E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezoluta serbe, Bregu: Pse e refuzoi Shqipëria

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka sqaruar dje pse Shqipëria nuk ka firmosur deklaratën e nxjerrë nga takimi me liderët e Rajonit për çështjen e integrimit evropian, të zhvilluar në Serbi. Sipas ministres, shkak ka qenë mosthirrja në këtë forum e shtetit më të ri të rajonit, Kosovës, e cila megjithëse njihet nga pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, Serbia nuk e ka bërë pjesë të këtij forumi. Gjithashtu përfaqësuesit e Shqipërisë u kanë kujtuar serbëve se ka forume të tjera të specializuara më të larta ku mund të trajtohen objektivat e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE dhe se nuk është ky rasti për të trajtuar dhe për t‘i kërkuar Evropës këtë gjë.

Znj.Bregu, është zhvilluar një forum në Serbi. A mund të na thoni çfarë është ky forum dhe me kë është përfaqësuar Shqipëria atje?

Po, është e vërtetë me datë 3 shkurt 2009 është zhvilluar në Beograd një takim me liderët e rajonit për çështjen e integrimit evropian, ku merrnin pjesë përfaqësues nga: Serbia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Ka qenë një ftesë e drejtuar nga zëvendëskryeministri serb, ministres së Integrimit në Shqipëri, por ne jemi përfaqësuar si institucion nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit, Arben Kashahu, dhe Këshilltari Diplomatik i Ministrisë, Ilir Shqina.

Me informacionin që ju keni marrë nga ky takim çfarë është propozuar atje dhe cili ka qenë qëndrimi i Shqipërisë, sepse mësohet se ka pasur një debat mes Shqipërisë dhe Serbisë për çështjen e Kosovës?

Ka pasur një debat nëse mund të përdorim këtë term, mes palës shqiptarë dhe asaj serbe, sepse pala pritëse pra, Serbia, ka propozuar në këtë takim miratimin e një deklarate të përbashkët drejtuar Bashkimit Evropian ku kërkohej që procesi i integrimit evropian i vendeve të rajonit të kthehej në prioritetin e axhendës së BE-së. Pra, BE-ja të merrte në prioritet çështjen e zgjerimit të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit. Nismë e cila është mirëpritur edhe nga Shqipëria po ashtu edhe nga të gjitha vendet e rajonit, por ne kemi theksuar se ky forum nuk është forumi i institucionalizuar zyrtar më i lartë për të marrë vendime të tilla, pasi ka forume të tjera në rajon më të larta, të cilat kanë tagrin për të trajtuar çështje të tilla dhe për t‘iu drejtuar pikërisht BE me të tilla mesazhe. Për ne është e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor në perspektivën e tyre të zhvillimit bazuar pikërisht në atë çfarë ka kërkuar KE dhe Brukseli, pra një proces i bazuar në merita, një proces individual që të kenë një të ardhme të përbashkët në BE, por sigurisht, kjo ditë e anëtarësimit të njërit apo tjetrit vend në BE ndikohet nga politikat rajonale, por është një proces individual. Në këtë aspekt kur një nga rregullat kryesorë, kur një nga kërkesat kryesore të BE-së është kryesisht ruajtja dhe zhvillimi i marrëdhënieve të mira bilaterale dhe i marrëdhënieve të fqinjësisë, pasi ky është një nga kushtet për integrim në BE, sigurisht që do të kishte qenë shumë me vend edhe për palën shqiptare që rajoni të përfshihej si i tërë. Ne e dimë që sot rajoni ka një konfigurim tjetër, ka një shtet tjetër që quhet Kosovë, fakti që Kosova ka një marrëdhënie kontraktuale me BE që do të çojë në konkludimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit

nuk mund ta lërë jashtë forumeve të tilla. Faktin që kjo deklaratë e përbashkët u drejtohej vendeve të BE, një pjesë e madhe e të cilave e kanë njohur tanimë shtetin e ri të Kosovës dhe pavarësinë e saj, sigurisht që për ne do të ishte e rëndësishme që në deklaratë dhe në forume të përbashkëta rajonale të përfshihet rajoni si i tërë dhe me konfigurimin e tij të ri.

Pse nuk firmosi Shqipëria në deklaratën e nxjerrë nga forumi?

Ashtu siç theksova edhe më lart, në këtë deklaratë kërkohej përfundimi i negociatave me Kroacinë, hapja e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë, konsiderimi i përgjigjes nga Këshilli për aplikimin e Malit të Zi, si dhe për aplikimet e pritshme të Shqipërisë, Bosnjës dhe Serbisë. Por në këtë deklaratë në asnjë rresht të saj nuk përmendej Kosova, por vetëm vendet e rajonit të ftuara në takim nga pala serbe. Ndaj përfaqësuesit e Ministrisë së Integrimit kanë vlerësuar frymën e bashkëpunimit rajonal, si dhe rëndësinë e madhe që ka për Shqipërinë përshpejtimi i procesit të integrimit evropian, por nuk kanë rënë dakord në miratimin e deklaratës, duke theksuar se konfigurimi i ri i Ballkanit, si dhe perspektiva evropiane e Kosovës nuk mund të neglizhohet.

Ju si përfaqësi shqiptare a keni propozuar ndonjë kërkesë konkrete?

Po. Ne kemi propozuar që në deklaratë të përfshihej edhe kërkesa për përfundimin e shpejtë të studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit midis BE-së dhe Kosovës. U kemi kujtuar fqinjëve se ekzistojnë forume rajonale më të institucionalizuara që mund të diskutojnë dhe miratojnë deklarata të një lloji të tillë. Pasi e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor e konfiguruar përfshirë edhe Kosovën duhet garantuar në frymën e axhendës së Selanikut. Sepse po e ritheksoj, se procesi i integrimit evropian i këtyre vendeve duhet të jetë individual, i bazuar në meritat e secilit shtet që aspiron hyrjen në Bashkimin Evropian.

A ka pasur ndonjë reagim nga pala serbe për qëndrimin e Shqipërisë?

Besoj se ka pasur një mirëkuptim, duke iu dhënë këto arsye që unë thashë më lart, pra që ka forumeve të tjera të institucionalizuara, të cilat do t‘i trajtonin këto çështje, por besoj se edhe ky qëndrim i yni është një qëndrim më së shumti jo vetëm në koherencë me politikën e Shqipërisë, por besoj edhe në koherencë me kërkesat e BE. Zhvillimi i politikave të fqinjësisë, i marrëdhënieve të mira në rajon, respektimi i pavarësisë së secilit shtet është një nga politikat kryesore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›