E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti përplas Kongresin me Shtëpinë e Bardhë

Nga Express më 16 maj 2011 në ora 12:37

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, John Booehner, tha se dëshiron arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin me demokratët dhe Shtëpinë e Bardhë.
“Jam gati për marrëveshjen. Nuk duhet të presim deri në minutën e fundit”, tha Boehner.

Por në komentet për rrjetin CBS, Boehner këmbënguli në parimin themelor të republikanëve: rruga drejt një të ardhmeje të shëndoshë fiskale është në uljen e shpenzimeve dhe jo në rritje tatimesh.

"Çdo mundësi është e hapur përveç rritjes së taksave, pasi rritja e taksave do të dëmtonte ekonominë dhe aftësinë tonë për të hapur vende të reja pune në vend”, tha ai.

Pra ballafaqimi partiak për buxhetin vazhdon.

Demokratët pohojnë se është e nevojshme të kufizohen shpenzimet, por shtojnë se kombinimi i uljes së shpenzimeve dhe rritjes së tatimeve mbi amerikanët më të pasur do të rezultonte në një ulje më të madhe të deficitit, pa dëmtuar programet qeveritare që ofrojnë ndihmë për të varfrit dhe personat në nevojë.

Senatori demokrat, Richard Durbin, bëri komente për rrjetin Fox: "Mendoj se duhet të ulim shpenzimet, por gjithashtu duhet të analizojmë të ardhurat dhe programet qeveritare”.

Programet qeveritare në fjalë ofrojnë kujdes shëndetësor dhe të ardhura për pensionistët dhe shihen nga shumë vetë si shkaktari kryesor për deficitin fiskal të Amerikës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›