Nis fushata zgjedhore në Maqedoni

Në Maqedoni të hënën ka filluar kampanja zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku gjatë 20 ditëve të ardhshme të gjitha partitë, kandidatët e pavarur dhe koalicionet që marrin pjesë në zgjedhje do të prezantojnë programin e tyre zgjedhor.
Në zgjedhjet e 5 qershorit qytetarët do të mund të zgjedhin ndërmjet 18 listave zgjedhore, të cilat i ka konfirmuar Komisioni Shtetëror Zgjedhor.
Të drejtë vote kanë 1 milion e 835 mijë qytetarë të evidentuar në listën unike të votuesve.
Në këto zgjedhje për herë të parë do të votojnë shtetasit e Maqedonisë në diasporë.
Sistemi zgjedhor në Maqedoni është proporcional, ndërsa vendi është i ndarë në gjashtë njësi zgjedhore.
Zgjedhjet do të t’i vëzhgojnë përfaqësuesit e OSBE-së dhe ODIHR-it (Zyra për institucione demokratike dhe të drejta të njeriut e OSBE-së), si dhe organizatave joqeveritare vendore MOST.
Gjithsej numri i vëzhguesve ndërkombëtarë është 332, ndërsa vendorë janë 3.500.
Para tri ditësh 30 përfaqësues të partive politike, të cilat do të marrin pjesë në zgjedhje, nënshkruan Kodin e mirësjelljes gjatë kohës së fushatës dhe zgjedhjeve, me qëllim të parandalimit të incidenteve zgjedhore.
Anketat e deritanishme tregojnë për epërsi të partisë aktuale në pushtet VMRO-DPMNE të kryeministrit Nikolla Gruevski, derisa korpusit politik shqiptar i prin Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).