E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skender Sherifi: Kritika shqiptare mes paragjykimit dhe mosleximit



Petrika GROSI
Debati i hapur nga “Albania” mbi kritikën shqiptare vijon me një tjetër personazh që flet mbi fenomenet dhe dukuritë që lidhen me kritikën dhe letrarët shqiptarë. Poeti i njohur, Skënder Sherifi, i cili prej disa ditëve është kthyer në Shqipëri nga Belgjika, ku jeton e punon, mes të tjerash vë në dukje mungesën e përgatitjes së kritikëve shqiptarë, shkrimet e mangëta me tendencë kritike por aspak të tilla, që botohen në gazeta e revista, shpesh të pasakta e me plot mungesa të pikave referuese si dhe paragjykimin, ves jo vetëm i kritikëve, por mesa duket edhe i një pjese të mirë të shkrimtarëve që duket se pak e lexojnë njëri-tjetrin...

A ka sot kritikë letrare në Shqipëri dhe si është ajo?
Nga sa kam parë në shtypin shqiptar kjo kritikë më duket shumë e dobët. Kam përshtypjen, se dikur (në kohën e Titos) kritika letrare ka qenë shumë më e zhvilluar në Kosovë se sa në Shqipëri. Ndoshta kjo ka të bëjë dhe me shkollën e munguar këtu, sidomos gjatë komunizmit.

Po kritikët që kemi pas dikur a duhet marrë parasysh?
Kanë mbetur pas me kohën. Kritika do studim, punë dhe azhornim me zhvillimet bashkëkohore. Këta kritikë në atë koha ndoshta kanë qenë të zotët por sot nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Ka shumë lloje të kritikës që na mungojnë. Një tekst letrar mund të shpjegohet përmes shumë teorive të kritikës siç është ajo psikanalitike, historike, strukturaliste, teoritë e romanit të ri, teoria filmike etj. Kemi një kritikë shumë diletante, të mbushur me vlerësime e superlativa, me autorë të përkryer dhe me gjeni.

A duhet të merret kritika me jetën e autorit duke u larguar nga vepra?
Edhe kjo është një çudi pasi vepra e autorit konsiderohet si baza mbi të cilën duhet të përqendrohet kritiku. Jeta e autorit është tjetër gjë; ai mund të ketë pasionet e veta, veset dhe perversionet e tij që nuk na interesojnë teksa flasim për letërsi, pasi janë detaje që i përkasin jetës së tij personale. Nëse do të marrim si shembull Bukovskin, nuk na intereson jeta e tij e rëndomtë, marrëdhëniet me pijet e prostitutat... Pra, këto dy gjëra, jeta e personaliteti nuk duhet ngatërruar me veprën.

Shpesh ndodh që një autor të botohet jashtë shtetit dhe në Shqipëri kjo merret si vlerë e mirëqenë. ǒdo të thoshit?
Kjo është një çështje që ka të bëjë me kompleksitetin e shqiptarëve. Ka shumë talente që janë shumë më të panjohur se sa shumë autorë të botuar jashtë të cilët më duken ordinerë.

Si funksionon mekanizmi i botimeve jashtë shtetit, të paktën në hapësirën frankofone që ju e njihni më mirë?
Është më tepër problem relacional se sa komercial. Shtëpitë serioze nuk të botojnë kollaj dhe nuk u intereson nëse t’i paguan. Po ju jap një shembull konkret; Jusuf Vrioni, përkthyesi gjenial i Kadaresë që vjen një herë në shekull dhe miku im. Atij nuk i mungonte talenti por duke qenë ai që ishte dhe duke pasur simpati në rrethet borgjeze e intelektuale të elitës franceze e kishte rrugën shumë më të hapur se të tjerët për të botuar çfarëdo lloj gjëje që t’i donte qejfi, qoftë dhe një listë me numra telefoni (qesh). Me pak fjalë, botimi jashtë ka të bëjë me ngritjen e lobingjeve.

A jeni i mendimit që shkrimtarët tanë mund ta bënin kritikën e munguar?
Sa u takon shkrimtarëve francezë ka pasur mjaft emra që kanë bërë kritika të mira. Por, që shkrimtarët të jenë profesionalë në kritika u duhet edhe specializim në këtë fushë. Megjithatë, duhet theksuar se që të bësh një kritikë të mirë nevojitet shumë kohë dhe përkushtim, pasi duhet të lexosh me orë të tëra vepra dhe teori të ndryshme dhe të bësh analizat e qasjet përkatëse. Mendoj që universitetet dhe revistat duhet të ishin më të interesuara në ngjalljen dhe forcimin e debatit kritik dhe ngritjen e një shkolle kritike shqiptare që për fat të keq sot na mungon. Shkrimtarët dhe kritikët shpesh flasin pa e lexuar fare veprën, në bazë të atyre që kanë dëgjuar apo që mendojnë se i dijnë mirë dhe ky është një problem i madh. Mendoni, kam mbi 20 vjet që veprën time ia kam dhënë si pasuri Shqipërisë dhe deri më sot askush nuk ka bërë një studim serioz për të thënë dy fjalë mbi mua, pse? Ose krijimtaria ime nuk paraqet vlera, ose kritikët dhe studiuesit janë të paaftë për t’i kuptuar dhe shpjeguar ato. Theksoj këtu, se kemi një kritikë tejet paragjykuese, që nuk shikon dhe ka frikë ta thotë fjalën e saj, pra, një kritikë provinciale ku mungon debati, interesi dhe profesionalizmi.

9 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›