E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimi i rregullores, PS-PD duel për kompetencat e Presidentit

Ku ndryshojnë propozimet e dy partive të mëdha nga njëra-tjetra për dekretet. PD-ja synon forcimin e rolit të Kuvendit për përzgjedhjen e kandidatëve

Shaban Sulçe

Edhe pse të dyja partitë e mëdha, PS dhe PD, mbështetën dhe përkrahën idenë e ndryshimit të rregullores së Kuvendit, tashmë duket qartë që kanë lindur mosmarrëveshje mes tyre në lidhje me këtë çështje. Partia Socialiste, e cila inicioi e para çështjen e ndryshimit të rregullores duke prezantuar edhe një projektvendim konkret, u tërhoq pas propozimit të beftë të PD-së nëpërmjet deputetit të saj dhe njëkohësisht nënkryetarit të Parlamentit, Fatos Beja. Arsyeja është e lidhur me ndryshimin thelbësor që përmban propozimi i PS-së në krahasim me propozimin e PD-së për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Nëse platforma e PS-së synon në zgjidhjen e krizave të ngjashme, si ato të këtij muaji mes Presidentit dhe Kuvendit për çështjen e dekreteve, platforma e PD-së duket se e thellon edhe më tej këtë krizë. E gjithë marrëveshja konsiston në përmbajtjen e pikës 7, që propozohet t’u bashkohet ndryshimeve për rregulloren e Kuvendit. Në këtë pikë maxhoranca synon që të forcojë edhe më shumë rolin e Kuvendit për përzgjedhjen e kandidaturave për anëtarët e Gjykatës së Lartë, duke e zbehur rolin kushtetues të presidentit në këtë drejtim. Pika 7 e nenit 113 të propozuar nga deputeti i PD-së Fatos Beja fuqizon rolin dhe kompetencat e Kuvendit (në këtë rast me anë të Komisionit të Ligjeve) për përzgjedhjen e kandidaturave. “Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale”, - thuhet në një pjesë të propozimit të PD-së për ndryshimin e rregullores. Ky propozim duket se ka qenë edhe shkaku kryesor i prishjes së konsensusit midis dy partive të mëdha. Socialistët e kanë kundërshtuar fortë këtë pikë dhe kanë përjashtuar çdo lloj mundësie për të mbështetur propozimin e PD-së për ndryshimin e rregullores.
Platforma e PS-së
Platforma e propozimeve të Partisë Socialiste, e cila u bë publike një javë më parë nga deputetët Malaj e Dervishi, synon kryesisht në reduktimin e afatit kohor që kreu i Parlamentit duhet t’ia kalojë kandidaturat Komisionit të Çështjeve Ligjore. PS-ja synon që kjo të ndodhë që në momentin kur kandidaturat t’i kalojnë kryetares së Kuvendit, e cila do të jetë e detyruar që t’ia dorëzojë ato menjëherë Komisionit të Çështjeve Ligjore, administratës dhe të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, propozimi i PS-së cakton edhe periudhën kohore që ky komision duhet të shqyrtojë kandidaturat e përzgjedhura për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Edhe këtu propozimi i PS-së ndryshon nga ai i PD-së. Socialistët kanë përcaktuar një afat kohor prej dy javësh, ndërkohë që PD-ja i ka përcaktuar tri javë kohë komisionit për shqyrtimin e kandidaturave.
Platforma e PD-së
Në platformën e paraqitur nga deputeti Fatos Beja për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, PD-ja mbështeste nismën e PS-së për organizimin e seancave dëgjimore nga ana e komisionit për kandidaturat e përzgjedhura për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kjo gjë e përbashkët konstatohej për propozimin për të shtuar pikën 7 në nenin 111 të rregullores. Por Partia Demokratike ka avancuar edhe më shumë në propozimet për shtesën e pikës 7 në këtë nen. Ajo ka synuar që të forcojë kontrollin dhe kompetencat e Kuvendit nëpërmjet Komisionit të Ligjeve, Administratës dhe Çështjeve Ligjore. Sipas kësaj platforme, komisionit i garantohet e drejta për të shqyrtuar meritën e kandidatëve, si dhe për të bashkëpunuar dhe konsultuar me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale për këto kandidatura.

Propozimi i PS-së për pikën 7

Në nenin 111, pas pikës 6, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje: “Komisionet përkatëse, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, janë të detyruar të zhvillojnë seanca dëgjimore për çdo kandidat apo kërkesë. Paraqitja e kandidaturave apo e kërkesës për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit, përfshihen automatikisht në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit”.

Propozimi i PD-së për pikën 7

Pas pikës 6 shtohet pika 7 si më poshtë: “Komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen dhe pasi ka marrë miratimin me shkrim të personit të propozuar, shqyrton si përmbushjen e kushteve formale, kushtetuese e ligjore, ashtu edhe meritën e çdo kandidature duke u bazuar në kritere të matshme dhe objektive. Për të garantuar cilësinë e përzgjedhjes dhe rolin substancial të Kuvendit në këtë përzgjedhje, komisioni bashkëpunon dhe/ose kryen konsultime me institucionet përkatëse dhe rrethet profesionale. Për të rritur transparencën dhe ndihmesën e publikut në përzgjedhje, Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Përfundimet e nxjerra nga ky proces i përcillen Kuvendit për të vendosur miratimin ose jo të çdo kandidature të propozuar”.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›