E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëdorëzohet bashkëpronari i firmës “Arti”

Autori i Lajmit: red.
Bashkëpronari i firmës “Arti” shpk, ka vendosur që të vetëdorëzohet duke çuar në 10 numrin e personave të arrestuar për tragjedinë e rëndë që ndodhi ditën e diel në Gjirokastër ku nga shembja e një pallati humbën jetën 3 persona si dhe u dëmtuan 30 shtëpi. Bëhet fjalë për Aristotel Haxhi bashkëpronar i firmës "Arti" shpk, i cili ishte i shpallur në kërkim nga policia që prej ditës së diel. Të arrestuarit akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e rëndë të mesditës të së dielës ku si pasojë e shembjes së një pallati në Gjirokastër humbën jetën tre persona dhe u lënduan disa të tjerë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se ai u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës në orët e para në mëngjesit. "Haxhi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e rrethit, pasi shoqëria e tij Arti sh.p.k po punonte për ndërtimin e godinës së re pranë pallatit pesëkatësh që u shemb të dielën në lagjen “11 Janari” të qytetit, duke shkaktuar tre të vdekur dhe disa të plagosur”- thanë burimet policore. Sipas policisë, 30 vjeçari Aristotel Haxhi u dorëzua, pasi kishte qëndruar i fshehur në një zonë të periferisë, jo larg qytetit të Gjirokastrës. Ndërkohë që gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën "arrest me burg" për nëntë të arrestuarit e mëparshëm Aferdita Papamihali, kryetar e e KRT-së së Gjirokastrës, Alfred Mamani, shef urbanistike, Admir Shehaj, pergjegjës i Inspektoriatit të Ndërtimit ne bashki, Thanas Llahana, inxhinier-gjeolog,Sotiraq Janora, drejtues teknik i firmes ndertuese "Arti sh.p.k", Jani Ndrico eskavatorist, Luan Bufi, inxhinier Njazi Cobani, arkitekt i firmës ndertuese "Arti sh.p.k" dhe Gjergji Meço inxhinieri zbatues i firmës i cili u arrestua në tentativë për tu larguar nga vendi. Këta persona akuzohen për
shkelje të rregullave të sigurimit dhe shpërdorim të detyrës.
Ky lajm është publikuar: 14/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›