E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet Kodi, nuk merren parasysh kërkesat e grevistëve

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Sot nuk kemi më një sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal. Së dyti, ndryshimet kanë të bëjnë me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti, kanë të bëjnë me numërimin, i cili është një nga elementet më të rëndësishme”

Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore i ka dhënë fund Kodit të ri Elektoral. Greva e urisë e 10 deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe PS 91, pikërisht për kapitullin e administrimit të zgjedhjeve të këtij ligji, nuk ka penguar anëtarët e komisionit të miratojnë variantin përfundimtar të tij. “Komisioni i Reformës Zgjedhore ka pasur si qëllim të tij pikërisht të përgatisë projektin që do t i paraqitet Kuvendit për miratim. Komisioni me mbledhjen e sotme e konsideron të përfunduar detyrën e tij në përputhje me vendimin përkatës të Kuvendit të Shqipërisë”, - tha bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafaj. Nuk dihet ende nëse kodi i ri do të arrijë të votohet në datën e përcaktuar, nisur nga situata aktuale në sallën e Kuvendit dhe jashtë saj.
Mbledhja
“Sot nuk kemi më një sistem mazhoritar, por një sistem proporcional rajonal. Së dyti, ka të bëjë me thjeshtëzimin e administrimit. Së treti, ka të bëjë me numërimin, i cili është një nga elementet më të rëndësishme”, - shpjegoi Xhafaj ndryshimet thelbësore të bëra në Kodin Zgjedhor. Më tej ai shtoi se ky rregullim ligjor që është bërë, siguron një transparencë të gjerë. Financimi dhe media në të cilat janë bërë thjeshtëzime shumë të rëndësishme, që e bëjnë Kodin më të thjeshtë dhe më praktik. Xhafaj theksoi gjithashtu se ajo që është shumë e rëndësishme është eliminimi i disa dukurive negative të shfaqura historikisht në proceset e mëparshme zgjedhore.
Kodi
Një ditë përpara përfundimit të mandatit të tretë, komisioni i cili prej muajsh punoi për Kodin e Ri, miratoi disa nene që lidhen me sanksionet në raste shkeljeje të Kodit të Ri, por dhe ndarja e rajoneve në zona. Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të votohet me sistemin proporcional, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që tashmë nuk është më institucion kushtetues, do të përbëhet nga 7 anëtarë, sipas skemës, 2 nga Partia Demokratike, 2 nga Partia Socialiste, 1 nga partitë e vogla të majta, 1 nga partitë e vogla të djathta dhe një anëtar propozohet nga Parlamenti. Lidhur me menaxhimin e procesit zgjedhor, Komisionet Zonale Zgjedhore reduktohen nga 13 në 7 anëtarë, ndërkohë që ligji i ri që është në përgatitje e sipër nga Qeveria, vendos rregullat e reja për financimin e partive. Ndërsa për sa u përket grupeve të numërimit të votave ata do të përbëhen nga 4 anëtarë, 2 prej të cilëve do t i përkasin PS-së dhe PD-së, ndërsa dy të tjerët do të zgjidhen me short nga subjektet e tjera politike që kanë siguruar të paktën 2 deputetë në zgjedhjet e 2005-ës. Në bazë të këtyre rregullave, asnjë parti apo biznes që ka përfituar projekte nga fondet publike nuk do të lejohet të financojë partitë politike për zgjedhje. Por elementi më i rëndësishëm i Kodit që lidhet me sistemin, është përllogaritja e mandateve të deputetëve që një parti apo koalicion zgjedhor fitojnë në Kuvend. Për këtë, u ra dakord për dy formula: njëra quhet “De Honti” dhe tjetra “Sant Lege”. Të gjitha këto ndryshime në Kodin Zgjedhor do t i nënshtrohen votimit të deputetëve të kësaj legjislature gjatë javës së ardhshme.
Sanksionet
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme qofshin ato të përgjithëshme apo lokale, për garën e ardhshme elektorale për të gjithë ata që do të shkelin dispozitat e këtij projekt- ligji parashikohen masa të forta ligjore administrative që fillojnë që nga gjobat e rënda në miliona lekë dhe deri tek heqja e lirisë. Në këtë mënyrë neni 167 i këtij kodi sanksionon përgjegjësinë penale dhe administrative për të gjithë anëtarët e komisioneve në të tre nivelet për të gjitha rastet e shkeljes së dispozitave të këtij kodi. Kështu, braktisja e detyrës pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve zgjedhore, anëtarët e grupeve të numërimit dhe vëzhguesve përbën kundravajtje penale dhe denohet me gjobë ose heqje lirie nga 6 deri në dy vjet. Gjithashtu për herë të parë kodi parashikon dhe masa mjaft të rrepta për të gjithë ata individë apo shtetas shqiptar që do të tentojnë të votojnë më shumë se një herë. Kështu në nenin 168 të këtij projekt-kodi sanksionohet se votimi dy apo më shumë herë në të njëjtat zgjedhje përbënë kundravajtje penale dhe denohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj.
Ky lajm është publikuar: 14/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›