Buxheti suplementar, debate në komision për fondet e Durrës-Kukës
Të ardhurat nga privatizimi i kompanisë shtetrore të naftës “ARMO” dhe ato që do të sigurohen nga shitja e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të përdoren për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë se këto të ardhura nuk do të përfshihen në buxhetin suplementar, pasi së bashku me paratë që do të sigurohen nga privatizimet jostrategjike do të shkojnë për rrugën që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën. Opozita ka kundërshtuar buxhetin shtesë dhe ka kërkuar transparencë për të ardhurat nga privatizimet. "Shifrat e privatizimit nuk mund të dalin jashtë buxhetit. Ju jeni të detyruar ligjërisht dhe në bazë të Kushtetutës që çdo shifër ta pasqyroni në buxhetin e shtetit", -ka deklaruar deputeti i PS-së Arben Malaj. Ai ka shtuar më tej se, "ju nuk jeni të qartë, ose diçka nuk shkon me harmonizimin brenda qeverisë tuaj për të sjellë në buxhetin suplementar shifrat ireale të përfituara nga privatizimi i një nga kompanive më të mëdha të vendit, ARMO-s". Ministri Bode ka prezantuar në komision e Ekonomisë buxhetin shtesë të këtij viti, që llogaritet në rreth 20 miliardë lekë, nga të cilat 14 miliardë lekë janë siguruar nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërsa 6 miliardë lekë nga dividenti i ndërmarjeve shtetërore. Ministria e Financave ka parashikuar që 10 miliardë lekë nga buxheti suplementar t’i kalojnë Ministrisë së Puënve Publike Transportit dhe Telekomunikacionit për investime në rrugë, 2 miliardë lekë të shkojnë në arkën e pushtetit vendor, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për të ulur deficitin buxhetor nga 7.9 për qind në 5.2 për qind e e GDP-së. Projektligji mbi këtë buxhet suplementar paraqet të ardhurat dhe shpenzimet si për buxhetin qëndror dhe atë lokal, ashtu dhe të ardhurat nga zërat e tjerë.
17 Korrik 2008