“Buxheti, të mos preket shëndetësia”
nertila maho
Raportet e komisioneve parlamentare, lidhur me ndryshimet në buxhet, u diskutuan dje në parim në Komisionin e Ekonomisë. Deputetët e opozitës gjatë debatit ngritën edhe një herë shqetësimin për transparencë, lidhur me investimet dhe fushat përkatëse që prekin shkurtimet në buxhet. Ndërkohë informacione më konkrete u dhanë nga relatorët përkatës të komisioneve, të cilët shprehën edhe rezervat për shkurtimet në disa sektorë. Nga ana e opozitës u kërkua me ngulm që shkurtimet të mos prekin shëndetësinë, ashtu sikurse ka ndodhur në gjithë vendet e tjera, nga të cilët vetëm Greqia ka prekur fondet e këtij sektori. Kryetari i Komisionit për Punën, çështjet Sociale dhe Shëndetësisë, Et’hem Ruka, dha detaje më të hollësishme se çfarë prekin shkurtimet në shëndetësi. “Shkurtohen rreth 60 për qind e fondeve të shpenzimeve kapitale të shëndetësisë, që kanë të bëjnë me rikonstruksione godinash. Nga 5.4 miliardë janë shkurtuar 3.2 miliardë dhe kanë mbetur 2.2 miliardë. Me këtë preket sistemi parësor, spitalor dhe shëndeti publik, në investime dhe shpenzime operative. Preken disa rikonstruksione, siç janë spitali i Elbasanit, apo pajisje spitalore, shërbime të depistimit. Ne duam t’ju sensibilizojmë. Mirë është që shëndetësia të mos preket” u shpreh Ruka. Ndërkohë, një tjetër relacion, ku Ekonomia u ndal gjatë, ishte ai i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, i cili kishte në thelb shkurtimin e fondeve të SHISH. “Në diskutimet që kemi bërë jemi bazuar tek të dhënat që na ka dhënë SHISH dhe institucionet e larta përfaqësuese të tyre. është problematike çështja e financimit dhe buxhetimit të Shërbimit Informativ sepse që në ligjin aktual ata kanë probleme, pasi nuk i mbulojnë dot shpenzimet për tërë veprimtaritë dhe aktivitetin e tyre”, informoi dje nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni. Ngritjen e kësaj problematike, anëtarët e maxhorancës në Komisionin e Ekonomisë nuk e kanë vlerësuar si shumë shqetësuese, pasi SHISH është institucioni që është prekur më pak nga shkurtimet dhe nga ana tjetër nuk mund të bëhen dallime mes institucioneve, ku disa të kenë shkurtime dhe disa të tjera jo. Në emër të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Tregtisë, Ilir Beqja shprehu shqetësimin se shkurtimet në buxhet shkurtojnë fondet për programin e menaxhimit dhe të ujitjes. Ai theksoi edhe faktin që këto ndryshime mund të mos lejojnë ndërtimin e argjinaturës jetike për Shkodrën, e cila mund të shoqërohet sërish me një situatë përmbytjesh. Komisioni i Ekonomisë i kaloi një për një, disa nga relacionet para hartimit të relacionit të tij si komision përgjegjës për diskutimet e ndryshimeve në buxhet. Ky relacion do t’i paraqitet në seancë plenare Parlamentit.
çfare kerkuan Komisionet tek ekonomia
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
-Të rishikohen shkurtimet e buxhetit të SHISH. Ky institucion ka vështirësi në mbulimin financiar të aktivitetit që me buxhetin fillestar.
-Të shihen me kujdes shkurtimet te Ministritë e Mbrojtjes apo e Brendshme, që të mos preken objektivat që lidhen me liberalizimin e vizave apo përmbushjen e detyrimeve nga anëtarësimi në NATO.
Komisioni për Punën, çështjet Sociale dhe
Shëndetësinë
-Të mos shkurtohen në 60% fondet e shpenzimeve kapitale të Shëndetësisë, pasi preken rikonstruksioni i spitalit të Elbasanit, pajisjet spitalore apo shërbime të depistimit.
-Ministrisë së Punës dhe çështjeve Sociale i shkurtohen fonde të cilat mund t’i rrisin më tej borxhet që lidhen me faturat e energjisë elektrike të papaguara si dhe me shërbime të tjera.
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese dhe Tregtinë
-Shqetësim në Ministrinë e Bujqësisë, programi i Menaxhimit i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, i cili është shkurtuar me 2/3 ose 67% ka qenë 1.9 miliardë dhe zbret 650 milionë lekë.
-Shqetësim është që argjinatura e çastit nuk mund të bëhet. Kjo argjinaturë me shumë probleme në Shkodër, duhet të zgjidhet sepse rrezikon gjithë Nënshkodrën dhe fondet nuk duhet të shkurtohen.
Komisioni i Politikës së Jashtme
-Të shikohet mundësia për të rritur shpenzimet për integrimin europian dhe euroatlantik. Zëri buxhetor përkatës për Ministrinë e Jashtme.
Komisioni i çështjeve Ligjore
-Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë dakord me shkurtimet në buxhetin e tij veçse kërkon që të ndryshohet destinacioni i zërave që janë shkurtuar.