Maska në Lezhë, u grabisin dy malazezëve 20 mijë USD
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Grabiten me armë e maska dy shtetas malazezë në Lezhë. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 19:10 në afërsi të fshatit Kallmet. Dy të rinjtë po udhëtonin me makinën e tyre "Wolsvagen" me targë UL AC 682 nga Tirana për në Mal të Zi, kur një mjet tip "Benz" me targa të huaja që dyshohet se i ka ndjekur ata që nga kryeqyteti, iu kanë prerë rrugën në momentin kur nuk kishte qarkullim. Sipas deponimeve të dhëna në polici pas ngjarjes, dy shtetasit e huaj janë detyruar të devijojnë rrugën, duke u larguar rreth 50 metra nga aksi nacional. Nën kërcënimin e armëve, pistoleta, dy grabitësit i kanë detyruar malazezët të dalin nga makina. Rezistenca iu ka kushtuar, pasi njëri prej tyre mori plagë në kokë pasi u godit me tytën e armës. Pasi iu kanë marrë me dhunë edhe aparatet telefonike si dhe dokumentet personale, personat janë larguar në drejtim të Shkodrës, duke iu marrë edhe makinën. Në gjendje të plagosur ata kanë mundur të dalin në rrugë dhe të kërkojnë ndihmë. Një makinë e rastit i mori menjëherë sapo pa njërin prej tyre të gjakosur. Ai i çoi fillimisht ata në spital ku i plagosuri mori ndihmën e parë, por dy shtetasit e huaj kërkuan me ngulm të shkonin në polici, pasi brenda mjetit ata kishin pasur një shumë prej 20 mijë dollarësh. Pak kilometra pas vendit të ngjarjes, njëri nga grabitësit që kishte marrë mjetin e malazezëve e ka braktisur atë. Policia e Lezhës bëri bllokimin e të gjitha akseve rrugore, duke vijuar më pas me kontrollin e të gjitha mjeteve që lëviznin në akset që lidhin Lezhën me rrethet e tjera. Blutë gjetën të braktisur mjetin, por autorët ende nuk janë identifikuar. Deri në orët e vona, grupi i hetimit kreu veprimet në vend, duke u munduar të fiksojë edhe gjurmë të autorëve në mjetin e braktisur. Pas rreth një ore, blutë shoqëruan mbi 15 persona, por pa mundur të gjejnë autorët e grabitjes. Sipas burimeve të policisë, njëri prej shtetasve malazez ishte kthyer dje nga Amerika. Ai kishte zgjedhur Rinasin si vend transit. Në aeroport e kishte pritur një tjetër malazez për ta marrë me mjetin e tij. Ende nuk është konfirmuar motivi i sasisë kaq të madhe të parave që kanë pasur me vete personat, si dhe mënyra se si i ka kaluar malazezi pa i deklaruar ato nëpër aeroporte. Burime të policisë bënë të ditur se pista kryesore e hetimit është fakti se grabitësit mund të jenë bashkëkombës të tyre. Ata mund të kenë pasur dijeni për lëvizjen dhe shumën e parave të dy të rinjve. Blutë e Lezhës bënë të ditur se nga mekanizmi dhe rrethanat e këtij krimi, dyshohet se ngjarja nuk është e rastësishme.