E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-PD pakt vetëm për Komisionin Hetimor, por Patozi e Ruçi ndahen për kutitë e fletëve të votimit



Aristir Lumezi

Negociatat PS-PD, të nisura dje, nuk i dhanë përgjigje çështjes së fletëve të votimit. Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe ai demokrat, Astrit Patozi, në përfundim të takimit të tyre dje në selinë e kryesisë së Kuvendit sqaruan pikat mbi të cilat ata biseduan për rreth 90 minuta. Në prononcime të veçanta para mediave, Ruçi dhe Patozi pranuan se kishin rënë dakord për ngritjen e një komisioni të ri hetimor parlamentar, ku opozita do të ketë shumicën dhe drejtimin e tij. Për këtë, Ruçi deklaroi se ky premtim do të duhet të formulohet në ligj, ndërsa Patozi e cilësoi si koncesion të maxhorancës ndaj opozitës. “Të dy palët ranë dakord që maxhorancën dhe drejtimin e komisionit ta ketë opozita dhe lidhur me këtë, në takimet që do të pasojnë, të gjejmë modalitetet përkatëse ligjore që kjo dakortësi politike të garantohet ligjërisht”, u shpreh Ruçi. Ndërsa Astrit Patozi u shpreh se “një kërkesë e përsëritur e opozitës, për të pasur maxhorancën ligjore në komision, sigurisht që është një koncension shumë i madh, për shkak se ligji për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore nuk e mundëson këtë. Do të thotë që do të gjejmë modalitete që edhe ligji të mos ndryshojë, por që edhe opozita të mbetet e kënaqur me pretendimet e saj”. Por edhe pas këtij takimi, palët qëndrojnë ende larg kapërcimit të një prej çështjeve që i ndajnë që prej 11 muajsh, atë të fletëve të votimit. Socialisti Ruçi tha se fati i kutive të fletëve të votimit do të përcaktohet në takimet e ardhshme. I pyetur nëse opozita është e gatshme të pranojë ngritjen e komisionit hetimor, sipas nenit të Kodit Zgjedhor, që parashikon djegien e fletëve të votimit, kreu i deputetëve socialistë dha këtë përgjigje. “Fola për gjetjen e modaliteteve, e bëhet fjalë për kutinë e fletëve të votimit që do të jetë objekt diskutimi në takimet e radhës”, tha Ruçi. Ndërsa kreu i grupit demokrat të deputetëve, Patozi, dha më shumë argumente lidhur me kutitë e fletëve të votimit dhe pse sugjeroi rrugët që mund të ndjekë PS për këtë çështje. “I bëra të qartë zotit Ruçi që kjo maxhorancë është për respektimin e plotë të shtetit ligjor, të Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit dhe brenda marzhit të këtyre hapësirave është gati të pranojë çdo lëshim dhe çdo pretendim të opozitës. I bëra të qartë zotit Ruçi se nuk është maxhoranca diga e pretendimeve apo kërkesave maksimaliste të opozitës, por është kuadri ligjor i vendit, është Kushtetuta, janë ligjet, janë vendimet e gjykatave dhe institucioneve të tjera kushtetuese, ato që i ndalojnë këto pretendime. Dhe ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të bëhemi bashkautorë në rrëzimin apo shembjen e kësaj dige, vërshimi pas së cilës do të shkaktonte pasoja të pallogaritshme dhe shumë të rënda për vendin dhe pse jo edhe për vet opozitën që sot ka këto pretendime”, u shpreh Patozi. Për kreun e deputetëve demokratë, çështja e fletëve të votimit ka vetëm dy rrugë, për t’u trajtuar nga Parlamenti, ose opozita të kërkojë vendim nga Gjykata Kushtetuese, ose të pranojë zbatimin e kodit për djegien e tyre.
“Ne jemi gati të diskutojmë sot për ngritjen e komisionit hetimor, që të ketë objekt materialet zgjedhore, por duke respektuar kodin elektoral në fuqi, që djeg kutitë e fletëve të votimit”, tha Patozi. Nga ana e tij, Ruçi e interpretoi pikën 6 të nenit 178 të Kodit Zgjedhor, si një nen që rregullon marrëdhënien e KQZ-së me Arkivën e Shtetit dhe jo me Parlamentin, institucion që e zgjedh atë. Në lidhje me funksionimin e komisionit hetimor dhe materialeve që do të nevojiten në këtë hetim, palët ranë dakord “që të gjitha institucionet shtetërore KQZ-ja, apo institucione të tjera private, që kanë lidhje me zgjedhjet sipas kërkesave që unë i parashtroj komisionit që mund të ngrejë Parlamenti shqiptar, të jenë të detyruara që t’i përgjigjen në një afat kohor sa më të shpejtë dhe mundësisht brenda 7 ditësh”. Në përfundim të këtij takimi, palët i kanë lënë pak ditë kohë njëra-tjetrës, për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së kutive të fletëve të votimit, ndërsa nuk është lajmëruar se kur do të zhvillohet takimi i ardhshëm.

Gramoz Ruçi
Kur fola për objektin e hetimit të materialeve zgjedhore, flas për dakortësinë e palëve, lidhur me materialet zgjedhore në raport të administruara nga KQZ-ja. Ky është komision hetimor. Arkiva e shtetit është institucion studimor dhe nuk mund të jetë institucioni i arkivës së shtetit, objekti i një komisioni hetimor parlamentar. Atje mund të shkojnë gazetarë për të parë diçka, sipas një kohe. Këtu flasim për raportin e komisionit hetimor me institucionin zgjedhor, që është institucioni KQZ. Së dyti, kur fola për gjetjen e modaliteteve, bëhet fjalë për kutitë e fletëve të votimit, që do të jetë objekti i diskutimit në takimet që do të pasojnë këtë takim. Unë nuk jam këtu për të lexuar nenet.

Astrit Patozi
I bëra të qartë gjithashtu se nuk është maxhoranca diga e pretendimeve apo kërkesave maksimaliste të opozitës, por është kuadri ligjor i vendit, është Kushtetuta, janë ligjet, janë vendimet e gjykatave dhe institucioneve të tjera kushtetuese, ato që i ndalojnë këto pretendime. Dhe ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të bëhemi bashkautorë në rrëzimin apo shembjen e kësaj dige, vërshimi pas së cilës do të shkaktonte pasoja të pallogaritshme dhe shumë të rënda për vendin dhe pse jo edhe për vet opozitën që sot ka këto pretendime. Unë shpresoj që në ditët e ardhshme, ne të arrijmë
një zgjidhje në mënyrë që të procedojmë sa më shpejt.

Christoph Zopel
Ish-ministri gjerman i shtetit, Christoph Zopel, gjatë një vizite në Tiranë, ku takoi përfaqësues të lartë të opozitës dhe maxhorancës për krizën politike, e sheh zgjidhjen e saj tek rekomandimet e OSBE-së për zgjedhjet. Ai e cilëson të pakuptimtë për politikën shqiptare zgjatjen e kësaj situate dhe i bën apel palëve të nisin punën me reformën zgjedhore. Zopel përgëzon përpjekjet e bëra nga dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare në PE, Doul dhe Shultz, për gjetjen e zgjidhjes së krizës dhe i kërkon Kryeministrit Berisha të pranojë draftin e tyre, ashtu siç bëri Edi Rama. Christoph Zopel shprehet se u ka rekomanduar socialistëve shqiptarë të mos bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme, por të punojnë për të ndërtuar një shtet të së drejtës.

Meta: Maxhoranca e gatshme për transparencë, Rama e pengon atë

Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehu dje gatishmërinë e maxhorancës për të bërë transparencën e zgjedhjeve, ndërsa bëri fajtor kreun e opozitës se po pengon zgjidhjen e krizës politike në vend. “Ne jemi gati t’i ofrojmë të gjithë asistencën liderit të opozitës, që ai të dalë nga kjo gjendje krejtësisht e panevojshme në të cilën ai ndodhet, ku ka futur opozitën, por që nuk mund të fusë vendin dhe nuk mund të fusë këtë komunitet të mrekullueshëm që ka nevojë për investime dhe ka nevojë sigurisht edhe për zgjedhje më të mira dhe rruga më e mirë për këtë është Kodi i ri Elektoral. është reforma e re zgjedhore, ashtu sikurse kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët”, u shpreh Meta. Lidhur me negociatat PD-PS, Meta tha se maxhoranca është gati të ofrojë gjithçka për një proces transparent, por sipas tij, vetë Rama dhe e majta pengojnë kërkesat e tyre. Ju e dini që maxhoranca është shumë e hapur për t’i dhënë drejtim të gjitha kërkesave të opozitës, e rëndësishme është që vetë opozita të mos pengojë veten në këtë proces të transparencës”, u shpreh Meta. Këto deklarata Meta i bëri gjatë inaugurimit të dy qendrave shëndetësore në fshatrat, Sheqishte dhe Grykë të komunës Topojë të Fierit.

Patozi-Ruçi ndahen për fletët e votimit

ADI SHKEMBI

Takimi i parë mes krerëve të grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së nuk ka avancuar aspak në drejtim të zgjidhjes së krizës. Të dyja forcat politike, në 90 minuta, kanë qëndruar në variantet e tyre fillestare për sa i përket fletëve të votimit, ndërkohë që pika e vetme në të cilën kanë ndarë të njëjtin mendim, ka qenë ngritja e një komisioni të ri hetimor me shumicë dhe kryetar të opozitës.
Takimi
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi u pa i pari në dyert e Kryesisë së Kuvendit, kur në orën 10:20, ai përshëndeti gazetarët dhe u drejtua në zyrën e grupit të PD-së. Dhjetë minuta më vonë pas tij shkallët e kryesisë i ngjiti kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, i cili hyri në sallën e grupit të PS-së, vetëm pak metra larg kundërshtarit të tij politik. Ashtu siç edhe ishte parashikuar një ditë para takimit, në orën 11:00 krerët e dy grupeve parlamentare lanë zyrat respektive dhe u ngjitën në katin e dytë, në një zyrë të rikonstruktuar së fundi, që më parë ka shërbyer për mbledhjet e Komisionit Parlamentar të Integrimit. Pasi janë lejuar për pak minuta operatorët e televizioneve të marrin disa plane të takimit, Ruçi dhe Patozi kanë nisur diskutimet, të cilat pak minuta pas nisjes u ndërprenë për t’iu shërbyer atyre kafe.
Biseda
Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se fillimisht, në të parën negociatë zyrtare pas darkës së restorant “Crocodille” në Strasburg, ka folur kreu i grupit parlamentar demokrat. Kjo për t’i ofruar opozitës qëndrimin zyrtar të maxhorancës për fletët e votimit. Astrit Patozi ka sugjeruar dy rrugë për zgjidhjen e këtij ngërçi, që e ka zanafillën në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Demokratët kanë propozuar si rrugë të parë që Partia Socialiste t’i drejtohet me një kërkesë zyrtare Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit Komisionit të Venecias, nëse legjislacioni shqiptar e lejon hapjen e kutive të votimit. Sipas kreut të grupit të PD-së, nëse Venecia, një organ këshillimor pranë Këshillit të Europës, i jep të drejtë opozitës, maxhoranca do të garantojë hapjen e të gjitha kutive të votimit. Oferta e dytë e shumicës parlamentare ka qenë ngritja e komisionit hetimor, i cili do të hetojë materialet zgjedhore, por duke respektuar Kodin Zgjedhor dhe më konkretisht nenin 178 pika 6 e tij, sipas të cilit, pasi materialet zgjedhore ruhen në arkiv, fletët e votimit digjen. Por opozita nuk i ka pranuar dy ofertat e demokratëve, duke tentuar të gjejë një rrugë të mesme, larg deklaratave të mëparshme për hapjen e kutive të fletëve të votimit. Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi ka propozuar që fillimisht dy forcat kryesore politike të ngrenë komisionin hetimor, i cili të nisë hetimin e kutive të materialeve zgjedhore. Ndërsa për çështjen e fletëve të votimit, PS-ja ka propozuar që së bashku me PD-në t’i drejtohen Komisionit të Venecias dhe më pas në varësi të përgjigjes së saj të procedohet. Por ky propozim i socialistëve ka hasur në kundërshtimin e maxhorancës. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi mësohet të jetë shprehur gjatë takimit, se PD-ja nuk mundet t’i drejtohet Venecias, për shkak se ajo është e bindur që është fituesja e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në këtë pikë, ai ka kërkuar që të jetë pikërisht PS-ja ajo që duhet t’i drejtohet Venecias. Në fund, pakti i vetëm i këtyre 90 minutave duket se ka qenë ajo për të cilën dy krerët e grupeve do të flasin para mediave, çka sipas tyre do të përqendrohej vetëm në ato që u arritën në këto bisedime. Rreth orës 13:00, në fillim Ruçi dhe pas tij Patozi kanë deklaruar se u arrit kompromisi përsa i përket ngritjes së një komisioni të ri hetimor, dhe jo amendimi i atij ekzistues. Në të njëjtën kohë, opozita do të ketë shumicën dhe kreun e komisionit. Por gjatë takimit nuk u vendos se kur të zhvillohet akti i dytë i bisedimeve, kjo për shkak se të dyja forcat janë ende larg përsa i përket fatit të fletëve të votimit.

Komisioni i Venecias
Në takimin me dyer të mbyllura në kryesinë e Kuvendit, mes kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi dhe homologut të tij socialist, Gramoz Ruçi, futja në lojë e Komisionit të Venecias ishte një nga alternativat për të zgjidhur krizën. Por ajo që la pa kompromis këtë takim ishte se kush prej forcave politike duhet t’i drejtohet këtij Komisioni. PD-ja propozon që Venecias t’i drejtohet opozita, e cila ka edhe dyshime për zgjedhjet e 28 qershorit, ndërkohë që sipas PS-së, kërkesa për hapjen e kutive duhet të përmbajë firmat e të dyja forcave politike.

Komisioni hetimor
Pas takimit të parë Ruçi- Patozi, Parlamenti do të jetë i detyruar të votojë ngritjen e një tjetër komisioni hetimor. Socialistët kanë kërkuar që hetimin e zgjedhjeve të mos e bëjë komisioni i ngritur disa muaj më parë vetëm me votat e maxhorancës dhe që së fundi i përfundoi mandati, por të bëhet një tjetër votim, ku sipas tyre edhe objekti i hetimit duhet të jetë i ndryshëm. Kryeministri Sali Berisha, duke folur pak ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, tha se shumica është e gatshme të pranojë variantin që do të propozojë opozita për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›