E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Lobing rajonal për të drejtat e emigrantëve



Ekspertët i rekomandojnë Qeverisë më shumë vëmendje ndaj fenomenit të emigracionit, që mbetet ende mjaft i përhapur në vendin tonë. Mbrojtja e të drejtave të tyre dhe lobimi rajonal për ndryshimet e përmirësime nga strukturat e BE-së ishin sugjerimet kryesore. Nga sa bëjnë me dije ekspertët, forcimi i përpjekjeve për të lobuar për rritjen e kuotave për punësim të emigrantëve jashtë vendit, duke marrë në konsideratë që emigrimi i shqiptarëve është kryesisht emigrim për motive punësimi dhe se liberalizimi i mundshëm i vizave nuk do të ketë ndonjë impakt konkret në lehtësimin e punësimit të shqiptarëve jashtë vendit. Ishte Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve (AFALC) në kuadër të projektit "Politikat e BE-së për emigracionin: Avokaci dhe lobim rajonal për ndryshime e përmirësime pranë strukturave të Bashkimit Evropian", i cili organizoi dje konferencën. "Emigracioni shqiptar në vendet e BE-së - sfidë aktuale e shoqërisë shqiptare". Të pranishëm në këtë konferencë ishin ekspertë të fushave që lidhen me problematikat komplekse të emigracionit, akademikë, përfaqësues të shoqatave të emigrantëve dhe përfaqësues institucionesh. Konferenca pati si qëllim evidentimin e problematikës shumëplanëshe të emigracionit shqiptar (ligjore, socialekonomike, kulturore, arsimore etj) në shoqëritë pritëse europiane, si dhe dhënien e disa rekomandimeve, drejtuar institucioneve ligjvënëse dhe vendimmarrëse europiane. Gjithashtu, për të adresuar një paketë rekomandimesh ndaj institucioneve shqiptare për të sjellë më mirë në fokus problematikën e popullatave migratore në kuadrin e një shoqërie të hapur dhe globalizmit të sotëm. "është i domosdoshëm zbatimi i menjëhershëm i masave të pazbatuara të Strategjisë Kombëtare për Migracionin dhe Programit Qeveritar, për sa i përket forcimit të komuniteteve shqiptare jashtë vendit dhe mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve", thuhet në deklaratën e ekspertëve. Sipas tyre, duhet vëmendje ndaj politikave të BE për emigracionin, si dhe avokaci e lobing rajonal, për ndryshime e përmirësime pranë strukturave të BE-së. Sakaq hapja e zyrave të avokatisë sociale në vendet ku kemi emigrantë, si pjesë e një politike të qëndrueshme për informimin dhe mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve është një masë e nevojshme. Hapja e zyrave të shoqërohet me hartimin e politikave të vetëfinancimit nga emigrantët nëpërmjet kontributeve 'një euro në vit'.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›