Ligji i ri, tatim tjetër për të ardhurat vjetore
Pas premtimit elektoral, më në fund Ministria e Financave ka hartuar ligjin e ri për deklarimin vjetor të të ardhurave. Bëhet fjalë për ligjin që do të detyrojë të gjithë individët të mbajnë fatura për shpenzimet e kryera gjatë vitit dhe të deklarojnë të gjithë llojet e të ardhurave që marrin gjatë një viti. I trumbetuar, si ligji që do të barazojë taksimin në të gjithë shoqërinë, tatimi i ri mbi të ardhurat, do të ketë vetë dy lloj shpenzimesh të zbritshme. Ato për arsim dhe shëndetësi. Sipas ligjit, që hyn në fundi më datë 1 janar të vitit 2011, që nga kjo datë, të gjithë qytetarët e vendit duhet të mbajnë në shtëpi të gjithë dokumentet e të ardhurave. Këtu përfshihen të ardhurat nga paga, pronat, qiratë, apo edhe bastet e fituara gjatë 12 muajve të vitit. Nga ana tjetër, qytetarët duhet të mbajnë edhe shpenzimet që kryejnë gjatë vitit. Por ndryshe nga vendet e tjera ku aplikohet ky ligj, në ligin shqiptar, shpenzime të zbritshme janë vetëm ato për arsim dhe ato për shëndetësi. Edhe këto dy lloj shpenzimesh, kanë një vlerë limit. Nga përfitimi, përjashtohen të gjithë ata individë që kanë të ardhura mbi 800 mijë lekë në vit, pra mbi 66 mijë lekë në muaj. Kjo pagesë quhet e lartë dhe të gjithë ata që kanë pagë mbi këtë shifër nuk do të përfitojnë kthimin e taksave. Bilanci, i cili bëhet i detyrueshëm nga vitit 2011, do të mbahet mbi numrin e kartës së identitetit. Ky pritet të jetë edhe numri fiskal i të gjithë shqiptarëve.
Ligji
Ligji parashikon që ata individë që paguajnë për arsim dhe shëndetësi, më shumë sesa tatimet që i mbahen për këto shërbime, duhet të rimbursohen. Pra diferenca mes shpenzimeve të tyre dhe tatimeve që ato kanë paguar për këto shpenzime, t'i kthehet mbrapsht. Sipas ligjit, shpenzime të rimbursueshme quhen interesat e kredisë për arsim që kanë marrë individët për fëmijët apo për vete dhe shpenzimet për mjekim, për vete apo fëmijët, që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor. Këto shpenzime shëndetësore nuk duhet të jenë më shumë se 4.1 për qind e të ardhurave bruto. Këto janë shpenzime të zbritshme. Pra nga totali i të ardhurave, zbriten shpenzimet për arsim dhe shëndetësi, dhe shuma që del tatohet me 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore, pra gjatë një viti. Sipas ligjit të ri, nëse diferenca është pozitive, pra tatimi është më i madh sesa shuma e tatimit vjetor, deklaruesi, brenda një muaji nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose me pëlqim të deklaruesit, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues. Pra në rast se një person ka të ardhura 800 mijë lekë në vit dhe ka shpenzuar për arsim dhe shëndetësi 100 mijë lekë, atëherë tatimi që i llogaritet në fund është 800 mijë-100 mijë/ 10%. Në fund tatimi i tij është 70 mijë lekë. Nga ana tjetër, ky individ ka paguar tatime gjatë gjithë vitit, në një shumë prej 80 mijë lekësh, atëherë tatimet duhet t'i kthejnë atij 10 mijë lekë, si tatime të paguara më shumë.
LIGJI I RI
Shpenzimet e zbritshme
1. Për efekt të llogaritjes të së ardhurës së tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, janë shpenzime të zbritshme shpenzimet e mëposhtme:
a) Shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, kur kontributi është deklaruar si i paguar në burim, por rezulton të jetë i papaguar;
b) Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari;
c) Shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, në masën deri në 4.1 për qind të të ardhurave bruto, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Individët jorezidentë, si dhe deklaruesit që kanë të ardhura vjetore prej të paktën 800 000 (tetëqind mijë) lekësh, nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni.
Tatimi për t'u paguar
1. Diferenca midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme, e cila tatohet me normën 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore.
2. Nëse diferenca është pozitive, deklaruesi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqim të deklaruesit, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues.