E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhetorët, me gisht në gojë. Rrogat do t‘i marrin në janar

Rreth 105 mijë buxhetorë do t‘i marrin pagat e tyre pas festave të fundvitit. Ndryshe sikundër ka ndodhur që pagat kaloheshin në dy ditët e fundit të dhjetorit, qeveria ka vendosur me anë të një urdhri të Ministrisë së Financave kalimin e fondit pas festave. Urdhri i lëshuar këto ditë ndalon aktivitetin e degës së thesarit pas datës 26 dhjetor, duke pezulluar të gjitha transaksionet financiare. I gjithë fondi i pagave për buxhetorët në muajin dhjetor shkon në rreth 5,3 miliardë lekë. Vetë Ministria e Financave ka pranuar ekzistencën e urdhrit për ndalimin e degës së thesarit, por nga ana tjetër ka sqaruar se buxhetorët i kanë marrë pagat gjithnjë pas muajit dhjetor. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë sqaruar gjithashtu për "Shqip" se mosfunksionimi i degës së thesarit pas 26 dhjetorit nuk mund të rrezikojë procesin e shpërndarjes së shpërblimeve për pensionistët dhe buxhetorët.

"Fondi i miratuar javën që shkoi nga qeveria ka kaluar në thesar, i cili po kryen transaksionet. Brenda datës 26 dhjetor do të bëhet e mundur që i gjithë fondi për shpërblimet të derdhet nëpër degët e bankave", sqaron Ministria e Financave.

Shpërblimi i vendosur nga qeveria për buxhetorët dhe pensionistët ka një kosto financiare prej 7 miliardë lekësh. Buxhetorët duhet të marrin nga 10 mijë lekë secili, ndërsa pensionistët nga 5 mijë lekë. Aktualisht, me këtë urdhër të fundit të gjithë punonjësit e administratës shtetërore do të duhet që të sajohen për festën e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri me ato para që kanë mundur të heqin mënjanë gjatë kësaj periudhe për të pritur më pas ditët e para të muajit janar.

Ndonëse të nisësh Vitin e Ri me rrogën e paprekur nuk tingëllon keq, më e trishtueshme ngjan festa përmbyllëse e një viti me kursime. Për një pjesë të punonjësve të administratës, kryesisht për ata që kanë rroga relativisht të mira dhe shumë të mira marrja e rrogës në janar nuk është edhe ndonjë lajm fort i keq. Por nuk dihet ende se si do ta presin këtë urdhër të Financave të gjithë ata punonjës që me atë pak rrogë kanë ëndërruar të kalojnë të paktën një mbrëmje ndryshe nga të tjerat, duke hequr dorë nga kursimi i përditshëm. Po pse jo edhe duke menduar për një dhuratë për festa për fëmijët apo nipërit e mbesat. Një shpërblim prej 10 mijë lekësh qofshin këto edhe të reja, zor se mund të përmbushë pritshmëritë e atyre mijëra buxhetorëve që presin me mundim datën e rrogave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›