E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxhuku: Shqipëria, i vetmi vend në rajon pa falje fiskale

07/03/2011  Sugjerimi, të bëhet gjatë pushimeve verore kur kthehen emigrantët

Konfindustria kërkon nga qeveria shqiptare që të mundësojë faljen fiskale për bizneset duke garantuar ecurinë e ekonominë. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që s’ka bërë një hap të tillë. “Konfindustria mendon se është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20-vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon, që nuk ka kryer asnjë falje fiskale”, - tha Buxhuku. Ai shprehet se falja fiskale, duke pasur parasysh veçoritë e ekonomisë kombëtare, në radhë të parë duhet t’i drejtohet qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. “Kthimi i tyre i përvitshëm me rastin e pushimeve verore 2011 është koha më e mirë e fillimit të faljes fiskale. Do të ishte me ndikim të ndjeshëm për mirë në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë ende mjaft të prekshme”, - shprehet ai. Buxhuku sjell në vëmendje dhe masat që kanë marrë vendet e tjera në rajon. Ai shprehet se pas faljes fiskale Greqia i ka çuar deri në 1.5 miliardë euro të ardhura në buxhetin e shtetit pa përmendur dhjetëra miliardë euro të hyra në ekonominë greke. “Edhe vendet e tjera konkurrente të rajonit përveç Greqisë, po veprojnë me shpejtësi, deri në veprime të dëshpëruara për tërheqjen e lukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre. Kihet parasysh për sa më sipër nisma e qeverisë së Malit të Zi deri për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj gjatë vitit 2010, që investojnë 500 mijë euro, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të qeverisë së Italisë, etj. Turqia gjithashtu nëpërmjet faljes fiskale të filluar në fillim të vitit 2011 ka futur në sistem mbi 25 miliardë euro”, - shprehet Buxhuku. Ekspertët e ekonomisë mendojnë se zbatimi i amnistisë fiskale do të sillte një gjallërim të ekonomisë dhe legalizimin e aseteve që kanë mbetur të fshehura ndaj shtetit prej vitesh.

Kryeministri

Pak ditë më parë ishte vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili bëri publike idenë e nisjes së këtij procesi. Gjithsesi, duke vlerësuar nisjen e kryerjes së faljes fiskale, Konfindustria vëren me shqetësim, se qeveria shqiptare me vonesat e saj të paarsyetuara ka shkaktuar praktikisht humbjen e mundësive të mëdha të përfitimeve nga kryerja e procesit në fjalë, si pasojë e veprimeve të ngjashme konkurruese nga vendet fqinje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›