Buzëqeshje vezulluese falë lazerit
Një llambë e re me dritë është aleati më i mirë i një dentisti. Ose më saktësisht: një llambë me dritë lazer, që përdoret kundër kariesit për të zbardhur dhëmbët, për trajtimin e kockave ose inflamacioneve të gojës, për të pastruar gingivat pa qenë nevoja që të gjakosen. Në të gjithë mjekësinë vazhdojnë të rriten aplikimet për gjetjen e terapisë së duhur dhe më e mira mendohet të jetë ajo me lazer: ka rezultat të menjëhershëm dhe është më pak i dhimbshëm.
Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme: gjatë pesë viteve të fundit, dega e Stomatologjisë ka bërë disa hapa të rëndësishëm në fushën e saj dhe një nga sektorët e zhvilluar më shumë është terapia me lazer, që sot është e pranishme në të gjitha aktivitetet e dentistit.
Shembulli i parë: lazer të vegjël me dioda, duke shfrytëzuar fluoreshencën që lëshohet nga goditjet kariogjene për të diagnostikuar kariesin edhe në fazat fillestare, të padallueshme me teknikat tradicionale. “Vazhdojmë të përdorim pasqyrën, por në një mënyrë më të ‘lehtë’ dhe nëse është nevoja përdorim edhe rrezet X. Në fakt, lazeri na lejon të bëjmë një diagnozë më të hershme”, thotë një stomatologe. “Pak a shumë gjithçka që bëjmë me lazer, mund ta arrijmë edhe pa të, por më me vështirësi dhe me dhimbje për pacientin, gjë e cila si pasojë ka edhe efekte anësore. Ka disa alternativa, por për të përdorur lazerin do të thotë të zgjedhësh efikasitetin më të madh dhe shqetësimin minimal për pacientin e ulur në poltronin tonë”, shton ajo.
Avantazhi është shumë i madh kur pacientët janë të vështirë: për shembull fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme të tjera shëndetësore. “Kur prek indet e buta, lazeri bën mpiksjen e menjëhershme të gjakut. Kështu mund të punojmë më lehtë dhe pa u shqetësuar te pacientët, të cilët kanë probleme me mpiksjen dhe si pasojë duhet të trajtohen në spital, vetëm pasi kanë pirë barna”, thotë një nga përgjegjësit e shoqatës “World Federation for Laser in Dentistry”. Për fëmijët lazeri përfaqëson një teknikë më të thjeshtë dhe për të shmangur afrimin me dentistin e frikshëm. “Natyrisht që një fëmijë trembet më shumë kur gjendet përpara një aparature të madhe teknologjike, që lëshon dritë dhe kërkon si mbrojtje të vetme vënien e një palë syzeve të mëdha plastike”, thotë drejtoresha e departamentit të shkencave stomatologjike në Universitetin La Sapienza. “Shumë fëmijë kanë frikë të shkojnë te dentisti për të hequr ose për të mbushur një dhëmb. Me lazerin ndërhyrja është më e lehtë, pa dhimbje dhe më e shpejtë”. Ideja që të kurosh një karies pa ndier dridhjet (dhe dhimbjet) e frezave u pëlqen edhe të rriturve. Sot, falë lazerit me erbium, që prek indet e forta si smaltin dhe dentinën të prishura nga kariesi, mund ta bëjë të pamundurën të mundur. Lazeri dezinfekton zonën duke vrarë edhe bakteret përreth. “Avantazhi më i madh është se lazeri ka aftësi të depërtojë thellë dhe të mos e dëmtojë rrënjën e dhëmbit”, pohon një profesor kardiologjie dhe stomatologjie në Universitetin Dundee në Britaninë e Madhe. Por, pavarësisht avantazheve ka edhe një kufi: “Duke punuar në mënyrë të tillë, doktori nuk e ka idenë se çfarë po bën dhe e ka të vështirë ta kuptojë nëse ka arritur të lokalizojë kariesin ose jo. Por duke krahasuar një lazer për largimin e kariesit me një lazer diagnostikues, që tregon se si po ecën puna, edhe ky kufi mund të kapërcehet”.
Këto janë disa risi të vogla, të cilat ndikojnë pozitivisht në të gjitha fushat e kurimit stomatologjik. Javën e kaluar, në kongresin “World Federation for Laser in Dentistry”, të zhvilluar në Dubai, janë paraqitur dhjetëra punë. Një profesor, i cili punon në Universitetin La Sapienza në Romë, ka propozuar disa teknika për të përmirësuar teknikën e përdorimit të lazerit te biopsitë e indeve të buta të gojës, në mënyrë që të shmanget përhapja e indeve të sëmura. Me lazerin mund të bëhen si biopsi të indeve të buta të gojës ashtu edhe të smaltit. Në një artikull të publikuar para pak kohësh në revistën “Optics Express”, një grup studiuesish australianë ka ilustruar një metodë të re për të vlerësuar përmbajtjen minerale, e si pasojë edhe gjendjen shëndetësore të smaltit të dhëmbëve. Kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Metoda është eksperimentuar me sukses vetëm te dhëmbët e hequr, por shkencëtarët po përgatiten të bëjnë provat e para te pacientët.
“E bukura e lazerit është se ka aftësi të bashkëveprojë me qelizat dhe indet biologjike, duke shkaktuar efekte pozitive, për shembull analgjezikë, antiinflamatorë që shndërrohen në ndërhyrës pa dhembje dhe përshpejtojnë proceset e shërimit”, thotë profesori. Në këtë rast po flasim për terapinë me lazer shumë të fuqishme dhe ideja është ajo e përdorimit të dritës si ilaç në këmbim të atyre tradicionale, të cilat natyrisht kanë efekte anësore. “Bëhet fjalë për të gjetur një dozë efikase. është shumë i rëndësishëm një formim korrekt i doktorit”. Një nga shembujt më të përmendur lidhur me këtë çështje është ai i trajtimit të mukozës, inflamimi i membranave orale të shkaktuara nga radioterapia dhe kimioterapia. Falë zhvillimit të teknologjisë lazeri ka pasur efekte vërtet mbresëlënëse. Megjithatë lazeri nuk është një instrument çudibërës, siç prezantohej në fillim të karrierës së tij stomatologjike, por është një aleat i shkëlqyer për dentistin.
#