E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nicholas Clegg

I sigurt, i qetë, i drejtpërdrejtë, i ri dhe trendi. Mjaftoi vetëm një debat televiziv përpara miliona spektatorëve për t’u bërë ylli i ri i politikës britanike, aq sa shumë e cilësojnë tashmë “Obama i bardhë”. Ja se si një ish i panjohur mund të bëhet Kryeministër Mbreti për një natë, që kërkon Anglinë

Ndoshta mund të ketë qenë minuta e 28 teksa dëgjonte një bisedë mes dy kundërshtarëve kur u kthye në profil, futi duart në xhep sikur ishte në pub dhe mori qëndrimin e një njeriu të qetë e të çlodhur. Ose ndoshta mund të ketë qenë që në minutën e parë kur pas prezantimit pa menjëherë drejt e te telekamerat pa i fiksuar sytë te publiku në sallë, ndryshe nga kundërshtarët që ktheheshin sa majtas djathtas për të shkëputur sadopak vëmendjen e publikut. Apo mund të ketë qenë edhe minuta e 58 kur iu drejtua i prerë David Cameron dhe Gordon Brown me fjalët: “është e kotë që vazhdoni të thoni se tani doni të bëni bashkë me mua reformat e sistemit politik dhe financiar, se doni të ndryshoni gjithçka”. “Unë i propozova në Parlament një vit më parë këto reforma dhe ju të dy i rrëzuat. Le t’i japim fund kësaj shtirjeje. Nuk jemi njëlloj. Zgjedhësit nuk janë të detyruar të votojnë gjithmonë për të njëjtët. Ekziston një alternativë për ta bërë këtë vend të ndryshojë vërtet. Ajo që mund të thuhet me siguri, është se në minutën e 91, në hapësirën e rezervuar për debatin e parë televiziv mes aspirantëve anglezë në historinë britanike, lindi një yll i ri. Nick Clegg, lideri i liberal-demokratëve, deri pak kohë më parë thuajse i panjohur, u bë mbret për një natë. Nëse do të sillet njëlloj në debatet e tjera në vazhdim deri në zgjedhjet e 6 majit, atëherë nuk është çudi të bëhet Kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe. Kështu thonë edhe sondazhet: i fundit i publikuar dy ditë më parë nga e përditshmja “Sun”, që i ka çuar liberal-demokratët në krye me 33 për qind të votave, një ringritje me 13 për qind brenda katër ditëve, të ndjekur nga konservatorët me 32 për qind dhe laburistët me 26. Këtë e konfirmon edhe një analizë që i ka dhënë Cleggu-t statusin e politikanit britanik më popullor të të gjitha kohërave, duke e krahasuar madje edhe me popullaritetin e Churchill-it. Edhe Brown donte nuk donte e pranoi: “Nick bëri një debat shumë të mirë”, dhe pas tij kundërshtari Cameron: “Brenda gjysmë orë bëri për vete mijëra zgjedhës”. Lideri i konservatorëve është edhe më i prekuri nga kjo ndodhi, pasi ishte ai që kishte kërkuar me ngulm një përballje mes tre kandidatëve për kryeministra, edhe pse Brown kishte kundërshtuar, por që në fund të fundit ai që fitoi nga kjo ishte Clegg. Po si mundi të ndodhte kjo? “është i ri, spontan dhe ndryshe nga ata që jemi mësuar të shohim zakonisht. është një lloj ‘Obame i bardhë’”, thotë Trevor Kavangh, kreu i opinionistëve londinezë. “Si imazh është perfekt, një komunikues i madh që di të flasë hapur dhe qartë”, tregon Alastair Campbell, një ish-strateg dhe zëdhënës i Blair (edhe pse pranon se shpesh aparenca të mashtron). “Televizionet dhe sondazhet vlerësojnë gjithmonë të renë, por njerëzit nuk i marrin fare në konsideratë këto”, vazhdon Boris Jonhson, kryetar i Bashkisë së Londrës, konservator, ish-drejtor i të përjavshmes “Spektator”. Megjithatë, media dhe politika nga e gjithë bota, jo vetëm në Britaninë e Madhe, janë të interesuar për këtë rast të veçantë: i panjohuri që ngjitet në podiumin e një skene televizive në ditët tona, replikon pa fund në internet dhe bën për vete të gjithë. Por nëse Clegg ia arriti, arsyetojnë këshilltarët elektoralë dhe spin masters, mjeshtrit e manipulimeve mediatike, mund t’ia dalin mbanë edhe të tjerët kudo qofshin: me siguri që ky është një mësim për t’u studiuar mirë. Megjithatë, ingredientët e suksesit të tij të jashtëzakonshëm në televizor mund të shiheshin edhe më parë. Sa për të filluar mund të themi se Clegg është me moshë shumë të re: 43 vjeç, njëlloj sa Cameron, por ngjan shumë, shumë herë më i ri (të mos flasim për Brown që është 59). Pastaj është shumë bukurosh, sigurisht që edhe në këtë pikë nuk mund të krahasohet me rivalët e tij. Ngjan shumë me Colin Fifth, aktorin që bën të dashurin e mirë me Brigit Jones në filmin me të njëjtin titull, dhe nga fytyra të jep përshtypjen e një djali të mirë, të urtë, të shkolluar të zgjuar dhe plot virtyte. Megjithatë fama e tij e parë i detyrohet një interviste të dhënë disa kohë më parë, ku pranoi se kishte shkuar me më shumë se 30 femra në gjithë jetën e tij. Bukuroshe është edhe gruaja e tij Miriam Gonzales Durantz, spanjolle siç duket nga emri dhe theksi kur flet, me të cilën ka tre fëmijë Antonion, Alberton e Miguelin. është një avokate shumë e zonja dhe vazhdon ende të punojë, ndryshe nga bashkëshortet e Brown-it dhe Cameron-it, që tashmë bëjnë fushatë elektorale me kohë të plotë përkrah burrave të tyre. Miriam e ndjek Nick vetëm në fundjavë, por edhe kjo kontribuon për ta bërë çiftin të duket më se normal, si çdo familje e shtresës së mesme angleze. Normal, por të ndryshëm nga politikanët tradicionalë: Clegg ka qenë trajner skish dhe ka luajtur tenis, ka recituar vargje të Kuranit në universitet, është me origjinë holandeze nga e ëma dhe pak rus nga i ati, për më tepër që flet rrjedhshëm katër gjuhë të huaja, holandisht, gjermanisht, frëngjisht dhe spanjisht. Në kohë të tjera, kaq shumë diversitet mund të ishin pengesë, por në klimën antipolitike të gjeneruar nga skandali i rimbursimeve të shpenzimeve në Parlamentin Westminster është bërë motiv mirëkuptimi: të paktën, mendojnë njerëzit, nuk është si gjithë të tjerët. Nick është deputet në Parlament vetëm prej një legjislature: më parë ishte në Strasburg në Parlamentin Europian, ndërsa para kësaj në Bruksel, në Komisionin Europian. Po ashtu si lideri i një partie të vogël në Britaninë e Madhe, Clegg ka më pak para për të shpenzuar në fushatën elektorale. Brown dhe Cameron kanë marrë në “punë” veteranë të kushtueshëm të fushatës elektorale amerikane, për t’u mësuar të gjitha truket e debateve televizive, një shkencë që lulëzon në SHBA që nga koha e sfidës së famshme Nixon-Kennedy. Clegg nuk ka punësuar askënd, sepse mendon t’i bëjë vetë të gjitha dhe rezultati u duk në përballjen e parë që patën në debatin televiziv. Si Cameron ashtu edhe Brown dukeshin të mërzitshëm, të ngadaltë, mekanikë, sepse e kishin kokën plot me udhëzime (mos bëj këtë apo atë, mos thuaj këtë apo atë) që nuk mund t’i zbatonin me përpikmëri, ndërsa Clegg u duk i sinqertë, i drejtpërdrejtë, i patrembur, me pak fjalë një njeri normal. Për më tepër, nuk kishte asgjë për të humbur: sondazhet tregojnë prej kohësh se as Brown, as Cameron nuk do të marrin një mazhorancë absolute në zgjedhje dhe kështu ose njëri, ose tjetri duhet të bashkohen me të për të formuar një qeveri koalicioni. Risia qëndron në faktin se tani aleanca mund të prishet me Clegg në rolin e më të fortit. Të paktën sipas asaj që thonë përqindjet: sepse një fitore me numër votash do të përkthehej në më pak vende në Parlament për konservatorët dhe laburistët, sipas sistemit mazhoritar britanik. Jo rastësisht Clegg kërkon të ndryshojë edhe këtë sistem, pasi nuk e sheh të drejtë që laburistët në zgjedhjen e fundit morën mazhorancën absolute të vendeve me pëlqimin e vetëm 22 për qind të elektoratit. “Në dy javë e gjysmë që kanë ngelur nga votimet, shkruan ‘Financial Times’, revolucioni i Nick Clegg do të ndalet”, zgjedhësit do ta njohin më mirë, do të zbulojnë se është shumë europian për euroskepticizmin britanik, se nuk është më pak “elitar” se Cameron, duke qenë se edhe ai vjen nga një familje bankierësh dhe nga shkolla të shtrenjta private, ndoshta do të bëjë edhe gafa. Por nuk është e thënë të ndodhë kështu. Fundi i ideologjisë, kriza e politikës (për shumë edhe ajo e fesë) dhe pushteti i televizionit apo edhe interneti mund të “prodhojnë” fenomene të paparashikueshme. Nick Clegg u bë mbret për një natë, por ai shpreson që të mos jetë vetëm për një natë. Dhe të mendosh se një vit më parë, një e teta e britanikëve nuk kishin dëgjuar kurrë të flitej për të, nuk është pak. Liberalët që i kanë dhënë vendit 26 kryeministra, nuk banojnë në “Downing Street” që prej vitit 1922. Që atëherë janë penalizuar nga sistemi elektoral në zgjedhjet e fundit të vitit 2005 liberal demokratët (Lib-Dem) morën vetëm 22.1 për qind të votave. Mbrojtës të flaktë të lirisë civile, liberal-demokratët janë filoeuropianë dhe kanë deklaruar se janë kundër angazhimit ushtarak të Britanisë së Madhe në Afganistan.

Pushteti i televizionit

Pikërisht 50 vjet më parë, John. F. Kennedy u përball kokë më kokë në televizor me Richard Nixon gjatë fushatës elektorale për President në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë e dinë se ai që fitoi debatin dhe presidencën ishte Kennedy dhe sipas pjesës më të madhe të personave, kjo ndodhi sepse Kennedy u shfaq i ri, i bukur, i saktë dhe i qartë, ndërsa Nixon, që kishte refuzuar edhe të trukohej, u duk i lodhur dhe i acaruar. Për sa i përket përmbajtjes së pyetjeve dhe përgjigjeve, Nixon u duk më bindës, aq sa publiku radiofonik ia dha fitoren kandidatit republikan, por ishte televizioni ai që tregoi se kush kishte të drejtë. Atëherë lindi koncepti sipas të cilit në epokën moderne është televizioni ai që krijon liderët. Nuk bëhet fjalë për një mit. Në disa kultura televizioni është për një politikan mjeti i jashtëzakonshëm i komunikimit. Mes liderëve aktualë, Barack Obama pa dyshim bëri për vete një pjesë të mirë të zgjedhësve me shfaqjet në ekran. Presidenti Sarkozy u bë i njohur kur u sigurua se televizioni do të mbulonte aktivitetet e tij si ministër i Financave në fillim dhe më vonë si ministër i Brendshëm. Në Itali, i vetmi rast në botë mes vendeve demokratike, Berluskoni posedon dhe kontrollon kanalet më të ndjekura, duke i dominuar kështu sipas dëshirës së vet. Kështu, në debatin e parë televiziv mes kandidatëve për Kryeministër në Angli, Nick Clegg, lideri i Partisë Liberal-Demokrate, jetoi momentin e tij magjik, njëlloj si Kennedy. Ai foli duke iu drejtuar kamerave duke theksuar se David Cameron dhe Gordon Brown janë liderë të partive të vjetra dhe kujtonte emrat e spektatorëve që i bënin pyetje. Me pak fjalë u shfaq i ri, i freskët, në formë, i pasionuar njëlloj si Kennedy. Tani pyetja që shtrohet është: Clegg betejën e parë e fitoi, a do mundet ai të fitojë luftën?

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›