Kriza e hirit dhe pasojat e saj në Europë
Pas pesë ditësh ndalesash fluturimi dhe qetësie në qiejt e Europës, ministrat e Transporteve të kontinentit organizuan një takim urgjent të hënën, në të cilin vendosën ta lehtësojnë ndalimin e fluturimeve, duke filluar nga 20 prilli. Reja e hirit, që vazhdon të vijë nga vullkani në erupsion në Islandë dhe që u përhap thuajse në të gjithë Europën, ka nisur të davaritet pak nga pak me kalimin e momenteve më të këqija nga kompanitë ajrore dhe jo vetëm kanë filluar që të llogarisin dëmet. Operatori më i madh i udhëtimeve në kontinent, “TUI Travel”, në një deklaratë të fundit ka bërë të ditur se ndërprerja e fluturimeve, për shkak të hirit të vullkanit, u ka shkaktuar atyre gjatë këtyre ditëve një dëm prej 30 milionë dollarësh. Rreth 100 mijë klientë të kompanisë ndodhen ende të hallakatur nëpër botë, për shkak të ndalim fluturimeve dhe fatura e humbjes rritet çdo ditë, që kalon me 9 milionë dollarë. Aeroportet europiane, një pjesë e mirë të të cilëve janë të shkretuar që nga fillimi i kësaj situate rreth një javë më parë, kanë pësuar një humbje prej rreth 200 milionë dollarësh dhe kjo shifër rritet çdo ditë. Ndërkohë, linjat ajrore në rang global kanë humbur shumë më tepër. Të goditura tashmë nga kriza ekonomike kompanitë e fluturimeve po pësojnë edhe këtë krizë të fundit dhe, sipas analistëve, kjo nuk është një kohë e mirë për t’u marrë dhe për të investuar në biznesin e udhëtimeve. Linjat ajrore po përjetojnë një periudhë krize prej disa kohësh dhe ndalim fluturimi i fundit duket se i ka bërë edhe më të dobëta. Por, ndikimi i kësaj situate të fluturimeve do të ndihet edhe në degë të tjera të ekonomisë dhe kjo përditë e më tepër. Dje, disa vende europiane kanë nisur që të çelin një pjesë të hapësirës ajrore dhe kështu kompanitë në njëfarë mënyre kanë nisur të “marrin frymë” më lirshëm. Megjithatë, pjesa më e madhe e hapësirave ajrore dhe e aeroporteve në Europë do të vazhdojnë të jetë e mbyllur. Përveç biznesit të fluturimeve, tregtia është një tjetër degë e ekonomisë, e prekur shumë nga kjo situatë. Këto ditë, pjesa më e madhe e transportit tregtar po kryhet përmes rrugëve alternative si ato tokësore, apo detare dhe hekurudhore. Në shumë vende transporti me avion për tregtinë nuk zë një hapësirë të madhe, megjithatë ndalimi i tij nuk mund të mos krijojë problemet e tij. Problemet më të mëdha po i hasin furnizuesit e luleve dhe të ushqimeve. Kryesisht i prekur është jugu i Spanjës, i cili eksporton shumë produkte në veri të Europës. Këtë vit, ekonomia e Eurozonës pritet që të rritet me 1% sipas publikimit të një parashikimi të fundit, por situata e hirit e ka vënë këtë shifër në pikëpyetje. Megjithatë, për firmat e mëdha situata nuk është aq tragjike. Ato kanë rezerva mjaftueshëm për të përballuar vonesën e disa ditëve për sa u përket fluturimeve. Por, në fakt, sipas shumë ekspertëve vala goditëse e krizës nuk ndihet menjëherë, por pas disa kohësh. Për shembull, nëse goditja ka ndodhur tani në mesin e muajit prill, efekti i saj do të ndihet në muajt e verës. Por sigurisht ato që humbasin më shumë në këtë mes janë kompanitë ajrore. Ndërkohë ajo që ka rënë shumë në sy në këtë moment krize është mënyra e reagimit ndaj saj dhe sigurisht e koordinimit të kundërpërgjigjes. Sipas disa parlamentarëve europianë, Europa ishte e përgatitur shumë keq për të bërë detyrën e saj në një rast krize dhe se ka pasur shumë probleme në kundërpërgjigje. Ndërkohë, Komisioni Europain u mbrjt duke argumentuar se kriza e vullkanit ishte e paparashikuar dhe se gjithçka ndodhi krejt papritur dhe se në fund të fundit secili vend është përgjegjës për funksionimin e hapësirës së tij ajrore. Eurocontrol agjencia, që merret me koordinimin e sigurisë së aviacionit në Europë, është akuzuar për “nxitim” në marrjen e vendimit për të mbyllur hapësirat ajrore të pjesës më të madhe të vendeve të Europës. Ndër të tjera, kriza ka nxjerrë në pah edhe mangësi për sa i përket aksesit të të dhënave në lidhje me rreziqet e mundshme që paraqesin erupsionet vullkanike. Sipas specialistëve, rasti i vullkanit islandik dhe i përhapjes masive të hirit të shkaktuar prej tij ka qenë një rast i paprecedentë. Në të shkuarën, situata të tilla janë përballuar duke iu shmangur hirit, ndërsa në rastin aktual u ndaluan plotësisht fluturimet. Sigurisht që kjo ishte një sfidë e re për shkencëtarët dhe specialistët e trafikut ajror. Ndër të tjera, me këtë rast kuptuam edhe se sa të lidhura janë fatet tona dhe se sa shumë ndikohemi të gjithë nga një fenomen lokal, siç ishte shpërthimi i një vullkani, pasojat e të cilit janë ndier në të gjithë botën.
#