E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje me thika në lokal, plagosen tre të rinj

Tre persona kanë ngelur të plagosur me armë të ftohta gjatë një sherri të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Kuçovës, ndërkohë që policia ka identifikuar autorët, por nuk ka mundur ende t‘i prangosë ata. Burime të policisë së Qarkut Berat bëjnë me dije se rreth orës 22:00 është marrë informacioni për një grindje të ndodhur në një lokal. Të rinjtë, banorë të Kuçovës, ndodheshin në një kafene në qendër të qytetit, ku ka ndodhur dhe sherri. Në pije e sipër, të ndodhur në dy tavolina të ndryshme, të rinjtë janë grindur me njëri-tjetrin për disa fjalë të hedhura mes tyre. Kaq ka mjaftuar që të rinjtë të përleshen me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe mjete të ftohta. Si pasojë e kësaj grindjeje kanë mbetur të plagosur rëndë Erold Kaçi, 18 vjeç, Taulant Hoxha, 24 vjeç dhe Marjo Pano, 23. Të tre të rinjtë kanë marrë plagë në trup dhe janë dërguar në spitalin rajonal të Beratit për të marrë ndihmën e parë. Ndërkohë, dy të tjerët kanë mundur të largohen me makinat e tyre para se në vendngjarje të shkonte policia. Tre të plagosurit Erold Kaçi, Taulant Hoxha dhe Marjo Pano kanë marrë mjekimin në repartin e kirurgjisë ku janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa po punohet për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje, dy autorët Serget Pjetri, 25 vjeç dhe Ilir Asqeriu, 21 vjeç janë shpallur në kërkim nga policia.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›