Bye-bye King!
Udhëheqësi i famshëm amerikan, Larry King, të enjten transmetoi emisionin e fundit në CNN, pas plotë 25 vjetësh të kaluara në të njëjtën ulëse.
Në emisionin emotiv u përfshinë edhe përshëndetjet e presidentëve, por edhe të rivalëve të tij nga televizionet tjera.
Larry King (77), i cili pritet të zëvendësohet nga ish-gazetari britanik, Piers Morgan, i tha përfundimisht lamtumirë emisionit të tij ‘Larry King Live’, të cilin e udhëhoqi që nga viti 1985.
Presidenti amerikan, Barack Obama, i dërgoi me këtë rast një video-mesazh, duke e quajtur atë “njërin prej gjigantëve të transmetimit”. Larry King u lavdëruar edhe nga udhëheqësit rivalë të televizioneve tjera amerikane, si Barbara Walters, Diane Sawyer dhe Katie Couric.
Edhe guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, u paraqit gjatë emisionit të fundit, për të njoftuar se në shtetin më perëndimor amerikan ai tashmë e kishte shpallur ‘Ditën e Larry King’ut’.
Rrjeti i CNN-it, që dikur dominonte me lajme ndërkombëtare, po lufton kundër dobësimit të audiencës dhe luftës së ashpër nga konkurrentët e rinj, ndërsa zëvendësimi i Kingut nga Morgani më agresiv, shihet si pjesë e një përpjekje për të fituar shikues të rinj.