E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylis ndal Skenderbeun

Kampionët e Shqipërisë arritën një barazim të vështirë dhe tronditës në fushën e Bylisit, veç duke luajtur jo në Ballsh, por në Vlorë. Një fat i vërtetë, që Skënderbeu nuk arriti ta shfrytëzonte duke shëuar i pari, por duke u barazuar në minutat shtesë të takimit. U duk se u siguruan 3 pikët me golin e të zakonshmit Pejiç, por Klodian Arbëri shënoi një rrjetë të vonshme.
Pas një pjese të parë tepër të fortë e të ashpër, Bylis u bë më i rrezikshëm pas pushimit duke krijuar raste të pastër në portën mike. Në një moment, në minutën e 51-të, topi madje goditi shtyllën dhe portieri Shehi shpëtoi për fat.
Pak minuta më vonë, afrikani i ballshiotëve, Adigun, pësoi një dëmtim të rëndë pas një dueli me Sebino Plakun. Pas ndihmës së shpejtë në fushën e lojës, për të u desh të sillej autombulanca e cila e dërgoi në spitalin e qytetit për ta pasur edhe më shumë nën kujdesin e mjekëve.
Rifillimi i ndeshjes e gjeti Skënderbeun më të qetë, ndërsa kampionët përfituan nga gabimet e rënda të mbrojtjes mike. Pas një gabimi të dukshëm të dy mbrojtësve të kuq, Pero Pejiç nuk e pati të vështirë që këtë dhuratë ta kthente në gol.
Shpresat e Bylisit morën një goditje tjetër të rëndë pak minuta pas pësimit të golit, kur Da Silva sërish gaboi dhe pastaj shkaktoi faull si mbrojtës i fundit duke marrë karton të kuq.
Mallakastriotët nuk u dorëzuan, gjithsesi, deri në fund, duke iu afruar shumë golit të barazimit me anë të Arifajt, por ky gjuajti jashtë. Megjithatë, barazimi do të vinte në minutën e tretë shtesë, edhe ky i ndihmuar nga gabime në mbrojtje. Klodian Arbëri nuk fali i vetëm me Shehin, duke shënuar e duke shkaktuar entuziazëm të jashtëzakonshëm në stadiumin “Flamurtari”.
Skënderbeu e mbylli edhe ai me 10 vetë pasi Arapi mori karton të kuq në sekondat e fundit për një ndërhyrje të gabuar. Pas këtij takimi, Skënderbeu u ngjit në kuotën e 7 pikëve, po aq sa Tirana, ndërsa Bylis ka 2 pikë.
Në Fier, Apolonia barazoi 0-0 me Kukësin, ndërsa të dielën luhen ndeshjet Tomori-Flamurtari e Shkumbini Besa në orën 14:00 dhe Vllaznia-Luftëtari në orën 17:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›