E Diel, 1 Nëntor 2026

Bylisi nuk fal sërish në shtëpi, mund Kastriotin rival

Nga Agim META

Ballshiotët edhe dje kanë shënuar 3 gola, ashtu sit ë dielën, duke treguar se janë makineri golash. Bylisi parakalon me 1 pikë krutanët në renditje

 

Bylis Kastrioti      3-1

Shënues: Ristevski 13 (11-m), Izuçuku 42, Meto 56 / Sefa 30

Bylis: Miço, Ristevski, Idrizi, Adigun, Olalekan, Izuçuku, Kule, Popoviç (Korreshi 59), Meto, Abazaj (Gega 59), Xhafa (Teqja 74). Trajner: N. Shensoj.

Kartonë të verdhë: Olalekan

Kastrioti: Halili, Pashaj, Sefa (Alikaj 46), Muçollari, Dragoi, Xhihani, Inkango, Malakarne (Ognjanoviç 59), Grishi (J. Agolli 52), R. Hoxha, Caca .Trajner: R. Ndreu.

Kartonë të verdhë: Grishi

Gjyqtarë: K. Meta, R. Avdo, A. Pregja (Tiranë)

Radiografia

2 Meto futet në zonën e Kastriotit dhe kur ndodhej afër portës, pason për Izuçukun, i cili gjuan drejt portës dhe pret Halili.

13- Malakarne, në pamundësi për të stopuar topin me gjoks, e prek atë me dorë. Kryesori e sheh dhe akordon 11-metërsh. Gjuan kapiteni Ristevski dhe shënon, 1-0 për Bylisin.

17- Inkango kalon mesfushën e Bylisit, jep një asist për Xhihanin, ky i fundit gjuan menjëherë, por Miço pret i sigurt.

30- Sefa ekzekuton me mjeshtëri goditjen e dënimit të fituar nga Xhihani, në një largësi prej 22 metrash dhe shënon, pasi Miço nuk arrin ta presë topin. Kastrioti barazon në 1-1.

33- Meto ka rastin më të mirë për të shënuar, por kur ndodhet përballë Halilit nuk gjuan me potencë, kështu që portieri e pret topin i sigurt.

42- Nigeriani Izuçuku, pas një rrëmuje në zonën krutane, gjuan dhe shënon golin e avantazhit për vendësit, 2-1.

49- Mesfushori Izuçuku kalon mbrojtjen krutane dhe kur i afrohet portës në largësinë e 20 metrave, gjuan, por jashtë.

56- Meto inkuadrohet mirë në fazën sulmuese të Bylisit, duke u gjendur në vendin e duhur pas një topi të dhënë nga kapiteni Ristevski dhe e gjuan drejt portës. Bylisi shënon sërish, 3-1.

79′- Inkango depërton nga e majta e sulmit krutan, gjuan, por Miço pret në kohë.

Bylisi vijon serinë e fitoreve dhe dje nuk është ndalur edhe ndaj Kastriotit, ekip i cili e ka mundur 4-2 në ndeshjen e parë. Trajneri Naxhi Shensoj ka ditur të hedhë në fushë një formacion, i cili edhe pse me disa mungesa, ia doli mbanë, duke arritur të marrë tri pikë me rëndësi, që e bëjnë të mendojë bindshëm gjysmëfinalen dhe të hyjë në histori.

Tashmë Bylisi ndodhet në kuotën e 5 pikëve në grupin A të Kupës së Shqipërisë dhe pothuajse e ka një këmbë në gjysmëfinale, edhe pse me pikë nuk është kualifikuar matematikisht.

Pjesa e parë Shensoj nxjerr në fushë një formacion disi të përgjysmuar, pasi mungon Frashëri, Shoshi dhe Teqja nuk e nis ndeshjen nga minuta e parë për shkak të dëmtimit. Loja fillon dhe terreni i vështirë pas reshjeve të shiut e bën lojën më të vështirë si për vendësit, edhe për miqtë.

Bylisi kërkon golin menjëherë, por nuk mund të shënojë në minutën e dytë pas një sulmi të Metos. Në mintuën e 13-të Malakarne prek topin me dorë dhe kryesori Meta akordon 11-metërsh. Gjuan Ristevski dhe shënon golin e avantazhit. Ballshiotët e ndiejnë veten superiorë dhe duan të shënojnë të tjerë gola, por miqtë shtrëngohen në radhët mbrojtëse.

Në minutën e 30-të vjen momenti i kundërshtarëve, të cilët fitojnë të drejtën e një goditjeje dënimi dhe Jetmir Sefa gjuan mjeshtërisht, duke mposhtur portierin Miço. Barazohen shifrat dhe të bësuarit e Shensojit nuk e shohin këtë gjë për të pranuar se janë më të dobët, por luajnë më fort dhe sulmojnë më shumë për golin e avantazhit. Në minutën e 42-të Izuçuku depërton në zonën e rreptësisë dhe shënon golin e avantazhit. 2-1 dhe Shensoji ndihet më i lirë, por kërkon më shumë në pjesën e dytë të ndeshjes. 

Pjesa e dytë Sapo nis loja, Ndreu hedh në fushë një përforcim të ri, duke nxjerrë Sefën dhe vendin e tij ia jep Alikajt, i cili është një përforcim i duhur në këtë moment për Kastriotin. Ballshiotët, që nuk kryejnë asnjë zëvendësim, e nisin lojën atje ku e lanë në pjesën e parë, në sulm. Realizojnë aksione të shumta dhe duan të shënojnë golin e tretë. Meto mundohet disa herë, por nuk shënon dot.

Në ndihmë i vjen Izuçuku dhe në minutën e 56-të vjen dhe çlirimi për ballshiotët, të cilët realizojnë golin e tretë, 3-1. Pas këtij goli, për disa minuta rresht Kastrioti mundohet të shënojë një gol për të ruajtur superioritet në golaverazhin e dy përballjeve, por mbrojtja e Bylisit “blindohet” nga minuta në minutë me përforcime të shumta nga stoli i rezervave.Në minutat e fundit të takimit, kur Kastrioti e shikon që nuk depërton dot për të paktën një gol në portën e vendësve, dorëzohet dhe ua lë vendin zotërve të fushës të kontrollojnë topin dhe aksionet.

Me kaq përfundon dhe ky takim kupe, që e vendos Bylisin në vendin e dytë, ndjekës i Tiranës, me 5 pikë më shumë pas fitores kundër Kamzës. Me këto dy ekipe Bylisi do të ndeshet në dy ndeshjet që vijojnë në kupë, veçanërisht me Kamzën përballet të shtunën për kampionat, ku do të synojë tripikëshin.

Shensoj: Sduhet të kalojmë në vetëkënaqësi

Jam i kënaqur nga loja e Bylisit, që edhe pse me mungesa të shumta, arriti ta fitojë këtë takim. Lojtarët mundën që të fitojnë këtë ndeshje të rëndësishme dhe kjo është diçka pozitive për ne. Tashmë jemi disi të bindur për Europën, por nuk duhet të futemi në vetëkënaqësi.

Unë do të punoj shumë me ekipin tim që të ruajmë qetësinë dhe të mos ndihemi superiorë, por të ecim me hapat që kemi ecur, sepse kështu do tia dalim më tutje. Të shtunën kemi një ndeshje të vështirë dhe duhet ti bëjmë mirë llogaritë, sepse na duhet patjetër fitorja.

Ndreu: Kundërshtari e meritoi fitoren, u luajt pastër

Së pari, loja ishte e bukur dhe më pëlqeu që u luajt fort dhe gjithçka ishte fair-play. Lojtarët që kam në dispozicion nuk mundën të merrnin të paktën një barazim, për të pasur disi të sigurt shkuarjen në gjysmëfinale, pasi terreni këtu është shumë i vështirë dhe në gjendje të keqe. Çdo gjë mbetet e hapur deri  në fund për ne dhe kemi besim te kualifikimi. I uroj suksese Bylisit, sepse është vërtet ekip i fortë dhe na vuri në vështirësi të shumta dhe e meritoi fitoren. Tani do të shikojmë me kujdes para, kemi ndeshje të vështira.

Të veçanta

- Ndryshe nga takimi i së shtunës, ku tribuna kryesore e stadiumit “Adush Muça” ishte e populluar nga shumë figura publike, dje në karriget e saj ishin të ulur vetëm drejtuesit mallakastriotë.

- Edhe pse reshjet e shiut ishin të pranishme gjatë zhvillimit të ndeshjes, tifozët mallakastriotë nuk e kanë braktisur skuadrën. Ata kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë 90-minutëshit dhe pas çdo goli ka pasur brohorima të shumta.

- Vihej re për të dytën herë mungesa e tifozëve ultras, por pritet rikthimi i tyre në ndeshjen kundër Teutës, ku do të shpalosin edhe një koreografi të re kushtuar Bylisit.

- Numri total i tifozëve i kalonte 1 mijë vetë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›