E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastrioti kalon pa problem Apoloninë, vetëm një pikë larg kreut

Krutanët fitojnë pastër, ku Inkango shënon golin e gjashtë personal, ndërsa fierakët nuk munden të bëjnë tjetër surprizë në transfertë

KASTRIOTI APOLONIA         2-0


Ndreu: Mund të kishim shënuar më shumë

Ishte një fitore e merituar. Treguam edhe një herë se jemi pretendentë. Megjithatë, mendoj se kishim mundësi të shënonim edhe më shumë. Gjithsesi, fitorja na gëzoi dhe na bën më entuziastë për ecurinë e mëtejshme drejt objektivave që kemi përcaktuar. Sido që jemi fitues, për rastet e shumta që kemi shpërdoruar, do ti nënshtrohemi një analize të mirëfilltë me fillimin e javës. Përpara kemi një sfidë të vështirë, ku shpërdorime të tilla do të jenë të patolerueshme, pasi nuk do të na krijohen gjithmonë kaq shumë raste.

Papuçiu: Nuk e arritëm dot objektivin këtë herë

Dy gola, që për mendimin tim, nuk duhej ti kishim pësuar. Skuadra nuk arriti të dalë siç duhet në lojën e saj për të mbajtur një rezultat të bardhë, pasi edhe transferta konsiderohej tepër e vështirë dhe kjo ndikoi pastaj edhe në shumë probleme të tjera nga prapa. Kështu ne nuk e arritëm dot objektivin, për të cilin edhe kishim ardhur, për të marrë një pikë. Gjithsesi, të dy golat e realizuar nga vendësit mbeten mjaft të dyshimtë. Unë nuk e kam zakon të merrem me arbitrat, por këtë herë mbetem i pabindur në këto dy raste.

TË VEÇANTA

-Trajneri i fierakëve, Stavri Nica, edhe pse e përgatit skuadrën gjatë gjithë javës, ndeshjen zyrtare e ndjek nga tribunat, për shkak të atij dënimi që ka marrë pak kohë më parë nga Komisioni i Disiplinës. Këtë radhë ai ka qenë mik i gazetarëve në tribunën e tyre.

- E gjithë pjesa dytë është zhvilluar nën reshjet e shiut, por që nuk ka penguar futbollistët në lojën e fortë e të bukur dhe as tifozët nuk janë larguar nga stadiumi deri në përfundimin e takimit.

- Menjëherë pas përfundimit të takimit, trajneri Ramazan Ndreu është nisur me urgjencë drejt qytetit të Durrësit për të ndjekur ndeshjen e kundërshtarit të radhës, Skënderbeut të Korçës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›