Bylykbashi: Argumenti i Presidentit për Kodin Zgjedhor nuk qëndron
Eksperti i PD-së për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor, Oert Bylykbashi, e ka vlerësuar si një veprim jo të matur vendimin e kreut të shtetit për kthimin e këtij projektligji sërish në Kuvend. Gjatë një prononcimi për mediat, ai ka theksuar se "vetoja e Presidentit është e drejtë kushtetuese, por që përdoret rrallë dhe në rast se përdoret duhet të ketë një motivim të mirë për më tepër kur miratohet një ligj dhe me një konsensus të tillë". Sipas tij, argumenti i kreut të shtetit se e ka të pamundur të dekretojë datën e zgjedhjeve sipas këtij ligji, është një argument teknik i cili nuk qëndron. "Nuk qëndron, sepse afati 9-mujor nuk është i përcaktuar në Kushtetutë. Kemi të bëjmë me afatin 9-mujor nga momenti i dekretimit e deri në fundin e mandatit të Parlamentit që i përkiste fillimit të shtatorit të 2009. Periudha zgjedhore 15 mars-30 qershor kur duhet të mbahen zgjedhjet e ardhshme gjithashtu nuk është një periudhë e përcaktuar në Kushtetutë. Kushtetuta, për këtë, autorizon Kodin Zgjedhor", është shprehur Bylykbashi. Por ai thekson se kthimi duket se nuk ka të bëjë shumë me çështjet teknike, por me një tentativë për të hapur një dritare negocimi mes PS dhe LSI për anëtarin e KQZ-së. Për ekspertin demokrat, kodi është përgatitur si asnjëherë tjetër në kohë të përshtatshme, që i duhen një ligji të tillë për tu përgatitur dhe për tu vënë në zbatim. Ai sqaron se, tashmë kthimi i kodit nga Presidenti i Republikës, krijon vështirësi, sepse me dekretimin e datës së zgjedhjeve ishin lidhur një sërë procesesh teknike dhe juridike, për përgatitjen e zgjedhjeve, të cilat me mosdekretimin vihen në rrezik, për shkak të kohës. "Në rast se presidenti do ta kishte dekretuar ligjin, dhe kohë për ta bërë këtë kishte, sepse vetë është shprehur se e ka marrë kodin në dorë në 24 nëntor dhe më këtë afat, ai, do të kishte mundësi ndër të tjera edhe për ta dekretuar datën e zgjedhjeve, në kohën e duhur. Tani, për shkak të kthimit të ligjit në parlament, është e nevojshme të shihet riparimi i këtij problemi të shkaktuar nga kthimi" është shprehur eksperti Bylykbashi. Pas vendimit të Presidentit për ta rishikuar kodin, Bylykbashi, sqaron se, ekspertët kanë nisur sërish analizimin e tij për të gjetur zgjidhje të pranueshme. Aktualisht, tha Bylykbashi, jemi në pritje të propozimeve konkrete nga PS-ja. Eksperti i PD-së, hedh poshtë çdo mundësi për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve, duke deklaruar se kjo mundësi nuk ekziston, pasi Kushtetuta e përcakton qartë, se zgjedhjet duhet të zhvillohen në periudhën zgjedhore, që i paraprin përfundimit të mandatit dhe kjo periudhë zgjedhore që i paraprin fundit të mandatit, është 15 mars -30 qershor.