E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, ende asnjë fjalë për ftesën e Metës për t‘u takuar

Partia Socialiste e ka kaluar në heshtje ftesën e bërë para dy ditësh nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, për të bashkëpunuar për Kodin e ri Zgjedhor. Selia rozë ka preferuar të mos bëjë asnjë koment duke e lënë vetëm kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, në përpjekjen e tij për të shkrirë akujt mes dy partive motra.

Burime nga PS-ja bëjnë të ditur se nuk do të ketë asnjë përgjigje zyrtare për ftesën publike të bërë nga kryetari i LSI-së derisa kryetari i PS-së, Edi Rama së bashku me strukturat të marrë një vendim konkret. Pas kthimit për shqyrtim në Kuvend të projektligjit të Kodit të ri Zgjedhor nga Presidenti i Republikës, kryetari i LSI-së Meta ka shtrirë i pari dorën e bashkëpunimit ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama, duke i kërkuar një takim. Nga Mati ku ish-kryeministri Meta ndodhej për një takim me simpatizantët e partisë së tij është shprehur se "duke qenë se ndaj të njëjtin mendim me ju dhe jam i bindur me shumicën e shqiptarëve në këtë çështje, do të bëja një sforco tjetër, meqenëse ka ende kohë për t‘u bërë rishikimi i Kodit, në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve. Në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e këtyre zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të barabarta, do t‘i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë, duke i kërkuar atij për t‘u takuar dhe për t‘i ndarë nga afër edhe një herë këto principe me të". Marrëdhëniet mes dy partive kanë muaj që nuk janë të mira duke krijuar herë pas here dallgë të forta akuzash ndaj njëra-tjetrës. Pak kohë më parë ka qenë kryetari i PS-së, Rama, i cili ka ftuar vazhdimisht për bashkëpunim kryetarin e LSI-së dhe forcën që ai përfaqëson, por Meta nga ana e tij nuk e ka pranuar këtë ftesë, duke deklaruar publikisht se LSI-ja nuk mund të rrijë në një llogore me ata të cilat po punojnë për të mbajtur në pushtet Kryeministrin Sali Berisha. Meta ka deklaruar për Ramën se po bashkëpunon me Berishën për të vjedhur votat e shqiptarëve dhe nuk ka ngurruar t‘i vërë epitetin "çift i babëzitur". Gjithashtu, Meta ka kritikuar edhe mënyrën e të bërit politikë nga kryetari i PS-së, i cili vazhdimisht ka theksuar se duhet të sillet një frymë ndryshme dhe e re në politikën shqiptare, duke mos i ndarë shqiptarët në të majtë dhe të djathtë. Sipas Metës, politika përtej së majtës dhe së djathtës që kërkon të bëjë Rama nuk bëhet duke bashkëpunuar me Berishën. Kryetari i LSI-së, Meta, e ka akuzuar kryetarin e PS-së, Rama, se ka bërë pazare me Kryeministrin Berisha, të cilat më pas sollën ndryshimet e padrejta në Kushtetutën e vendit, ndryshme të cilat rrezikojnë ta kthejnë këtë Kushtetutë, është shprehur Meta para pak kohëve, në "kodin e Gërdecit". Gjithashtu, Meta ka deklaruar për Ramën se ai nuk ka asnjë lidhje me të majtën. Këto janë disa nga akuzat që kryetari i LSI-së ka hedhur mbi kryetarin e PS-së, Rama, por lumi i tyre është edhe më i madh. Duke pasur parasysh të gjitha këto mbetet në dorë të Ramës për të pranuar ose jo ftesën e bashkëpunimit të bërë nga kryetari i LSI-së dy ditë më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›