PS: Kjo qeveri po përkeqëson nivelin e jetesës
Nënsekretari për programin në PS-së, Ervin Bushati, gjatë një konference për shtyp ka deklaruar dje se ekonomia në vend është tepër larg entuziazmit dhe premtimeve pa bazë të Kryeministrit Berisha. Sipas tij, Banka e Shqipërisë raporton një tkurrje të ndjeshme të ekonomisë dhe të mirëqenies së popullatës në vend, në deklaratën e fundit për zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë. "Dërgesat e emigrantëve nga jashtë në ndihmë të familjeve të tyre kanë një rënie të fortë prej 13%, ndërkohë që investimet e huaja janë pothuajse të ndaluara. Kontributi që japin këta faktorë jetikë të ekonomisë, në mirëqenien e qytetarëve, vështirëson parashikimet optimiste për një jetë më të mirë në vend", është shprehur Bushati. Në emër të PS-së, ai i ka kërkuar qeverisë që të parashtrojë dhe të ushtrojë një plan të detajuar masash, për të parandaluar krizën ekonomike në zhvillim. Shteti, tha nënsekretari socialist, ka për detyrë të mbrojë mirëqenien e qytetarëve të vet, në forma dhe metoda që i paraprijnë situatës ekonomike që po përjetojmë. Programi i ri i PS-së, tha ai, parashikon një zhvillim ekonomik, që do të mbrojë nivelin e jetesës duke shpërndarë mirëqenien për të gjithë qytetarët e këtij shteti, dhe jo vetëm për njerëzit pranë pushtetit.