Tabaku: Për Tiranën vendosën qytetarët
Tabaku: “24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin, në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron”
TIRANË Vetëm pak minuta pas përfundimit të konferencës për shtyp të kryetarit të PS-së, Edi Rama, kryesuesja e këshillit bashkiak demokrat, Jorida Tabaku deklaroi dje se për Tiranën vendosën qytetarët dhe jo politikanët. “Edhe sot z.Rama vazhdoi avazin e tij të vjetër. 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën, që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron. Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura, është i papranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin. Ka mbyllur veshët dhe sytë para qytetarëve, të cilët u shprehën me zërin e tyre në zgjedhjet më të ndershme dhe më transparente të bëra ndonjëherë në Shqipëri”, - tha dje Tabaku. Ajo iu referua edhe ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar respektim të vendimeve të institucioneve të pavarura. “Ka mbyllur sytë dhe veshët para komunitetit ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht dhe pa asnjë mëdyshje janë shprehur se të gjithë palët duhet të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit, dhe të respektojnë vendimin e institucioneve të pavarura...Në përfundim të këtij procesi, rezultoi se më shumë qytetarë kanë vendosur që z.Lulzim Basha të jetë kryebashkiaku i ardhshëm. Në një proces demokratik, janë qytetarët ata që vendosin se kush fiton në zgjedhje dhe jo politikanët dhe axhenda e tyre personale”, - tha ajo. Ashtu si edhe herët e tjera, Tabaku nuk harron të përfshijë edhe pyetjet publike ndaj Edi Ramës. “Përse pas numërimit të çdo vote, z.Rama kërkon të nxjerrë antikushtetuese votën e qytetarëve? Përse kërkon z.Rama të shpallë antikushtetues zërin e qytetarëve? Përse më 14 maj z. Rama e shpalli veten fitues me 10 vota, dhe tani që zëri i 250 mijë qytetarëve të Tiranës u dëgjua, kërkon të anullojë zgjedhjet? Përgjigja është e thjeshtë. Sepse prej dy vitesh, ai kërkon atë që qytetarët nuk ia japin”, - tha ajo.
n.p