Bylykbashi: Rrugët e qytetit të Elbasanit janë si në Mesjetë

Deputeti i Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi, ne një prononcim për mediat është shprehur se „qyteti i Elbasanit nuk është gati për të pritur qindra e mijëra vizitorë në festën e Ditës së Verës“.
Gjatë inspektimit të një prej rrugëve të qytetit, ku pasi ka evidentuar problemet në infrastrukturë që ka rruga “Qemal Stafa”, Bylykbashi theksoi se “rrugët e qytetit i ngjajnë qyteteve të mesjetës dhe janë në gjendjen më të keqe”.
Për këtë gjendje ai ka fajësuar pushtetin vendor “Ky është modeli i rilindësve të vjetër që kërkojnë të na rikthejnë në drejtimin e vendit rilindësit e rinj, të cilët si model kanë këtë qytet sot, ashtu siç kishin edhe një model, atë të Tiranës të cilët e morën përgjigjen në zgjedhjet e fundit lokale”.
Ndërkohë, ka reaguar menjëherë nënkryetari i bashkisë, Serafin Papa, i cili pohoi se, “bulevardi kryesor i qytetit është rikonstruktuar dhe është një nga bulevardet më të bukura të Shqipërisë”, ndërsa theksoi se rruga që pretendon deputeti ka probleme, por qarkullimi vijon normalisht, ndërsa pohoi se festimet do të jenë të përqendruara në qendër dhe jo në rrugët dytësore të qytetit.
Rruga “Qemal Stafa” është mjaft e amortizuar dhe vështirëson kalimin e qytetarëve dhe makinave që përshkojnë atë rrugë.