E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet, rritet me 10 lekë çmimi i naftës

 

Fabiola Çela

Çmimi i naftës është rritur sërish. Pas një stabiliteti prej pothuajse një muaji, çmimet e karburanteve kanë ndryshuar sërish. Sipas importuesve, shkak për këtë rritje çmimi janë bursat ndërkombëtare.
Çmimi
Çmimi i naftës eurodiezel është rritur me 10 lekë. Pak ditë më parë në pikat e tregtimit të karburanteve në vend, një litër naftës D1 shitej me 109 lekë, ndërsa dje me 119 lekë. Rritje ka pësuar edhe çmimi i naftës së cilësisë së dobët D2, e cila pak ditë më parë shitej me 100 lekë ndërsa dje me 113 lekë. Pas uljes drastike të çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, çmimi i karburanteve në vend pësoi një rënie të lehtë. Prej gati një muaji çmimet e karburanteve në vend nuk pësuan ndryshime por sapo çmimi i naftës në tregjet botërore pësoi rritje kjo rritje u reflektua edhe në tregun vendas.
Faktorët
Sipas importuesve të karburanteve, shkak për këtë rritje është rritja e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare. Kjo pasi, sipas tyre, për sa i përket çmimit të karburanteve në vend vetëm 7 për qind të çmimit e ka në dorë tregtari, ndërsa 93 për qind e çmimit reflektohet nga zhvillimet në tregun e jashtëm. Për vetë konjukturën që ka tregu vendas, është mjaft i ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, kjo pasi gati 90 për qind e nevojave të vendit për konsum plotësohet nga importi. Por lëvizjet e çmimit të arit në zi në bursat ndërkombëtare reflektohen në tregun vendas vetëm në rastet kur çmimi i karburanteve pëson rritje, pasi në rastet kur çmimi i karburanteve në bursa ulet, kjo rënie nuk reflektohet në tregun vendas. Në fakt jo pak herë ekspertët e ekonomisë kanë ngritur zërin për deformimet që ekzistojnë në këtë treg, si për çmimin e karburanteve, ashtu edhe për sa i përket konkurrencës së pandershme. Pikërisht për këtë arsye, pak kohë më parë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se do të hapin një hetim të përgjithshëm në sektorin e energjisë. Aktualisht, në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por, kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet. Dy janë faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimit të naftës në vend. I pari është faktori ndërkombëtar, pra rritja e kuotimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare, dhe faktori i dytë është niveli i akcizës dhe taksat e tjera, që duhet të paguajnë importuesit e karburanteve.

Rritet çmimi i arit të zi në bursa
Çmimet e naftës bruto u rritën dje gjatë ditës së dytë pas deklaratës së ministrit algjerian të naftës, Chakib Khelil se normat e OPEC me kuota do të përmirësohen me rreth 95 për qind deri në kohën e takimit të grupit në maj. Çmimet gjithashtu janë rritur ndërsa dollari është dobësuar në raport me euron dhe tregjet e monedhave reaguan ndaj humbjeve të mëparshme. Çmimi bruto i naftës u rrit me rreth 67 cent, apo 1.4 për qind duke arritur në 48.02 dollarë për fuçi në tregjet elektronike në merkaton e Nju Jorkut. Ndërsa në Londër çmimi ishte dje 47.57 dollarë. Një ditë më parë çmimi u rrit me 1.10 dollarë duke shkuar 47.35 dollarë për fuçi.Në tregjet amerikane dhe ato londineze nafta arriti një çmim rekord pej 147 dollarësh për fuçi në muajin korrik të vitit të kaluar, duke  tronditur sisemin tregtar e financiar në të gjithë botën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›