E Shtunë, 31 Tetor 2026

E dëmshpërblyen 5 mijë lekë, protestë me karamele

27/04/2010 Banor i fshatit Trush

SHKODER- Pakënaqësia ndaj masës së dëmshpërblimit të marrë për përmbytjen e janarit të këtij viti ka sjellë reagimin paqësor dhe thumbues të një banori të fshatit Trush. Gjatë ditës së djeshme shtetasi Lush Ndoci është paraqitur për të marrë dëmshpërblimin, por kur ka marrë vesh se qeveria e i kishte caktuar vetëm 5 mijë lekë të reja ka filluar të debatojë me punonjësit e postës, pasi mendonte se kishin bërë ndonjë në vendosjen e zerove pas numrit 5. Pasi ishte sqaruar se shumat dhe listat ishin të miratuara nga strukturat e qeverisë, shtetasi Ndoci është larguar dhe i ka shpenzuar të gjitha paratë duke blerë karamele. Më pas i është drejtuar shkollës së fshatit Trush, ku dhe ka filluar shpërndarjen e karameleve për nxënësit. Sipas vetë banorit Lush Ndoci, kjo është një zgjedhje për të protestuar ndaj shumave qesharake, me të cilat po dëmshpërblejnë banorët e zonave të përmbytura. Shtëpia e këtij banori kishte mbetur për një muaj e gjysmë nën ujë duke nxjerrë jashtë përdorimit të gjitha pajisjet elektroshtëpiake dhe orenditë e tjera. Ndërkohë, banori Ndoci shprehet se i janë mbytur me dhjetëra dele e bagëti të tjera, pjesa më e madhe e të cilave janë dhe të regjistruara. “Nuk e di se çfarë ka dashur të kompensojë qeveria me 5 mijë lekë të reja. Kjo është një tallje që nuk kapërdihet nga askush. Sikur asgjë të mos kisha pasur, vetëm qeni ruajtës i bagëtive, që u mbyt pas hekura nga vërshimi i ujit, më ka kushtuar 28 mijë lekë”, është shprehur tejet i revoltuar shtetasi Lush Ndoci. Sipas këtij shtetasi, ai është njëri prej shumë të pakënaqurve nga paratë e dëmshpërblimit, që po reagon me shpërndarje karamelesh. Në ditët në vijim do të ndihen reagime të panumërta, pasi thuajse asnjë nuk është i kënaqur nga paratë e qeverisë që po i jep sikur të ishin lëmoshë e jo dëmshpërblim për dëmet që u shkaktoi ajo vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›