Byroja përjashton 3 javë Ballën, pasi sheh filmimet e seancës
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë hyrë menjëherë në fuqi. Jo vetëm ato që kanë të bëjnë me zhvendosjen e diskutimeve të lira në fund të seancës plenare, por edhe ato që kanë të bëjnë me masat penalizuese për deputetët. I pari që do të duhet të vuajë forcimin e masave penalizuese është Taulant Balla, i cili me vendim të Byrosë Parlamentare është përjashtuar me 21 ditë nga seancat plenare dhe komisionet e përhershme. Ndërkohë që kanë mundur t’i shpëtojnë këtij dënimi dy deputetët e tjerë socialistë, Erion Braçe dhe Sajmir Tahiri, ky i fundit i sapokthyer nga dy javë përjashtim. Ndërkohë që masat e propozuara nga deputetët e djathtë janë bërë shkak për një debat të ashpër dje në mbledhjen e Byrosë Parlamentare, e cila ka zgjatur për afër dy orë.
Debati
Nën drejtimin e ryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, u mblodh dje Byroja e Kuvendit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Byroja shqyrtoi propozimin e një grupi deputetësh të djathtë për marrjen e masës disiplinore për deputetët Taulant Balla, Erion Braçe dhe Sajmir Tahiri, për shpifje dhe fyerje të anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe drejtueses së Kuvendit, Jozefina Topalli. Që në fillim mbledhja ka nisur me debate, pasi dy përfaqësuesit e opozitës në Byro, Namik Dokle dhe Erion Braçe, kanë ngritur shqetësimin e tyre për mënyrën sesi është kompozuar kjo strukturë e Kuvendit. Siç mësohet nga burime pranë mbledhjes me dyer të mbyllura, dy përfaqësuesit e majtë kanë evidentuar faktin se përbërja e Byrosë nuk përfaqëson raportet mes shumicës dhe opozitës në Kuvend, ashtu siç e përcakton dhe rregullorja e këtij institucioni. Më pas debati është kanalizuar në objektin e kërkesës së deputetëve demokratë, për të cilën socialistët janë përpjekur të shpjegojnë, shpesh herë me tone të larta dhe me ironi, se deputeti nuk mund të dënohet për shpifje për gjëra që janë të pavërtetueshme nga drejtuesja e Kuvendit. Kjo përsa i përket rastit të Ballës, i cili gjatë seancës së të enjtes publikoi disa foto ku paraqiteshin, sipas tij, vilat e qeveritarëve, ndërsa akuzoi kryeparlamentaren Topalli si hajdute dietash. Dy përfaqësuesit socialistë nuk kanë harruar t’i kujtojnë kryeparlamentares se në rast se do ndiqet ky standard, që çdo deklaratë politike në Kuvend të konsiderohet shpifje, atëherë i pari që duhet të përjashtohej nga seancat do të ishte kryeministri Berisha dhe më pas vetë Topalli. Kështu, mësohet se Dokle ka përmendur se kryeministri Berisha në të gjitha fjalimet e tij ka shpifur ndaj deputetëve të opozitës, duke iu përmendur atyre gratë dhe gjithë familjarët e tjerë. Braçe ka sjellë në vëmendje rastin e dy seancave më parë, ku Topalli, sipas tij, ka shpifur ndaj deputetëve Ermonela Felaj dhe Arben Ahmetaj. Nga ana tjetër përfaqësuesit e djathtë mësohet se kanë këmbëngulur se masat që kërkohen të merren ndaj këtyre deputetëve janë të domosdoshme për të disiplinuar jetën parlamentare konform përcaktimeve të Rregullores. Sipas tyre, deputeti duhet të fitojë dinjitet dhe jo të sillet në sallë për të marrë nëpër gojë gjithkënd që i del para. Por edhe një herë Dokle dhe Braçe kanë bërë të ditur se me masat e padrejta që merr kryetarja e Kuvendit nuk mund të disiplinohet opozita, e cila, sipas tyre, provokohet në mënyrë të vazhdueshme nga shumica. Ndaj ata kanë bërë të ditur se, sa herë që të djathtët dhe Kryeministri do të shajnë përfaqësuesit e PS-së, ata do të dalin dhe do të bllokojnë sërish podiumin.
Vendimi
Për të marrë vendimin, Byroja me kërkesë të dy anëtarëve të majtë ka parë edhe një herë pamjet e regjistruara nga seanca e fundit, ku deputeti Balla i drejtohet kryeparlamentares Topalli si hajdute dietash. Kjo duket se ka sqaruar gjërat, pasi me propozim të Ardian Turkut, nënkryetar i Kuvendit, Byroja ka vendosur të dënojë vetëm Taulant Ballën. Ndërkohë që, sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, dy deputetët e tjetër Erion Braçe dhe Sajmir Tahiri u falën nga Byroja. Nga burime pranë mbledhjes bëhet e ditur gjithashtu se kundër ndëshkimit të Ballës është shprehur dhe nënkryetari tjetër i Kuvendit, përfaqësuesi i LSI-së, Vangjel Tavo, i cili mësohet se ka theksuar se këto masa nuk ndihmojnë në qetësimin e situatës.