PS, afat dhe 4 ditë për t’u regjistruar në zgjedhje
Shkon në 24 numri i subjekteve politike që kanë paraqitur interes pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në garën elektorale për pushtetin vendor. Ndërkohë që jo të gjitha këto forca politike kanë mundur të regjistrohen, pasi një pjesë e vogël e tyre janë në proces përpunimi të dokumentacionit, ndërsa disa të tjera janë kthyer për plotësim kërkese sipas ligjit. Por në këtë numër të madh partish, mungojnë thuajse të gjitha ato forca politike që realisht përbëjnë atë që sot konsiderohet “Opozita e Bashkuar Shqiptare”.
Mbledhja
KQZ-ja, pa praninë e anëtarëve të majtë, ka vijuar dje punën normalisht me regjistrimin e subjekteve politike që kërkojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 8 Majit. Gjatë ditës së djeshme ky institucion ka miratuar kërkesat e 10 subjekteve zgjedhore dhe më konkretisht atë të Partisë Komuniste, Partisë së Punës të Shqipërisë e Riorganizuar, Partisë Aleanca Popullore, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partisë Agrare Ambientaliste, Partisë Konservatore, Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar, Partisë Republikane dhe Partisë Bashkimi Republikan Shqiptar. Ndërkohë që sipas administratës së KQZ-së numri i partive që kanë paraqitur kërkesë në këtë institucion është 24. Ndërkohë burime pranë KQZ-së kanë bërë të ditur dje në këtë numër forcash politike që kanë paraqitur kërkesë nuk bëjnë pjesë ato forca politike që janë në opozitë, megjithëse dje janë regjistruar edhe subjekte politike të majta, si Partia Komuniste dhe ajo e Punës.
Ristani
Tashmë forcave politike opozitare u mbeten dhe vetëm 3 ditë për t’u regjistruar, pasi në bazë të Kodit Zgjedhor afati për regjistrimin e subjekteve zgjedhore përfundon në datën 8 mars, ose thënë ndryshe dy muaj para ditës së zgjedhjeve. Këtë afat ia ka kujtuar dje këtyre partive edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka theksuar gjithashtu se pas kësaj date nuk do të tolerohet asnjë forcë politike. “Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të regjistrohen maksimalisht deri 60 ditë para ditës së zgjedhjeve, që do të thotë deri në datën 8 mars mbaron afati për regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore. Unë shpresoj që të gjithë janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm që ligji duhet zbatuar, sepse në të kundërt sigurisht do të përballen me pasojat ligjore”, - tha Ristani. Ndërkohë që Ristani ka bërë të ditur gjithashtu se ka nisur procesi i konstituimit të KZAZ-ve, ndërsa e ka konsideruar të mbyllur çështjen e paraqitjes së emrave për anëtarë të këtyre komisioneve nga PS dhe PBDNj. “Afati për të paraqitur propozimet nga partitë politike që kanë detyrimin ligjor për të propozuar komisionerë për komisionet e niveleve të dyta ose KZAZ, ka përfunduar në datën 23 janar dhe kjo çështje është e mbyllur për KQZ-në”, - tha Ristani, ndërsa ka sqaruar se nuk mund të ketë më kompromis qoftë edhe politik që mund të dalë mbi ligjin.