E Shtunë, 31 Tetor 2026

C4 makinës së demokristianit, vdes Aleks Keka

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
”Nuk kishim konflikt me asnjeri”

“Kemi 17 vjet që ia japim votën Partisë Demokratike, nuk e mendonim se do të na bënin një gjë të tillë. Vrasja është politike, ne nuk kemi borxhe apo konflikte me njeri”

I ati i Aleks Kekës ka mohuar çdo lloj konflikti apo borxhi të mundshëm të djalit të tij, duke theksuar me forcë se ngjarja ka si shkak të vetëm, postin e Aleksit si kreu i PDK-së në Malësinë e Madhe. “Këto ditë ka qenë shumë i qetë, kemi folur gjithmonë si babai me djalin.

Kur e morët vesh fatkeqësinë ?
U nisa me djalin e vogël me shku në shtëpi në qytet. Na kishte rënë telefoni gjashtë herë. Na thanë që ka ndodhur kjo që kishte ndodhë. Në fillim nuk na thanë që ka vdekur pastaj e morëm vesh.

A dini konflikte ose kërcënime që mund të ketë pasur djali juaj?

Për ne kjo është kryesorja që na i kanë marrë jetën djalit, është kjo puna me politikën dhe kjo është arsyeja që është dukur person problematik për dikë, se për kë unë nuk e di. Nuk dua të besoj se është politika kjo që u merr jetën njerëzve, por unë te ajo dyshoj. Nuk di asgjë tjetër pse iu mor jeta djalit. Ai ka punuar gjithë kohës me ujësjellës, kanalizime, duke bërë një pallat në Shkodër. Me ekonomi kemi qenë gjithnjë mirë, kemi pasur të ardhura të mira. Kam dhe djalin tjetër në Amerikë dhe ky ka qenë disa herë jashtë shtetit e në Amerikë. Nuk ka pasur probleme me të ardhurat asnjëherë. Nuk besoj se ma vranë për probleme ekonomike. Kam frikë nga politika kam frikë. Ka 17 vjet që ne të gjithë si shtëpi ia kemi dhënë votën Partisë Demokratike.

Ka pak kohë që kaluam me Demokristianen se djali kishte disa shokë të mirë atje.

Folëm dhe bashkë për këtë çështje. Më tha se do të kaloj kryetar me Partinë Demokristiane dhe unë i thashë, meqë ta kanë besuar ty këtë punë, pranoje. Tani e ndiej veten fajtor pse i thashë pranoje.

Biseda juaj e fundit me djalin?

Biseda ime e fundit ka qenë për të kaluar paratë në bankë dhe e lamë se do t i kalojmë.

A ka pasur djali juaj konflikt me njeri?

Ai nuk ka pasur asnjë konflikt me asnjë lloj njeriu.

A ishte njeri familjar?

Ishte shumë njeri familjar. Ka dalë jashtë shtetit me gruan dhe fëmijët. Na ka nxjerrë dhe neve jashtë shtetit, në Gjermani. Më familjar nuk e di a ka qenë njeri. Ka ndihmuar motrën për të bërë shtëpi se ishte në kushte të vështira ekonomike.

Besoj se nuk arrin politika deri në atë shkallë sa të marrë jetën e njerëzve për një karrige, për të marrë një mandat.

Kjo është vrasja më kriminale që mund të ndodhë.

Probleme më parë a keni pasur?

Absolutisht asnjë problem. Para 100 vjetësh kemi pasur një problem, por është zgjidhur shumë shpejt dhe nuk kemi pasur asnjë përplasje. Ai djalë ka pasur shumë autoritet dhe asnjë problem me asnjë njeri. Ai ka pasur moshë me mbyllë të gjitha konfliktet dhe jo për të hapur konflikte. S dua ta besoj se ma vrau politika, por nuk kam ku të dyshoj tjetër. Nuk mund të them asnjë emër, se nuk di asnjë konflikt. Ne nuk dimë kujt me t i drejtohemi, se nuk ia kishim bërë asnjë njeriu për borxh me na e vra djalin.

Xhaxhai

“Vrasje politike, mos hidhni baltë mbi djalin tonë”

“Jemi pikëlluar për deklaratat e policisë se djali jonë ka qenë trafikant droge. Ai ka qenë në Shkodër, në Amerikë dhe në gjithë shtetet e Evropës, po të ishte i përfshirë në trafiqe policia nuk do ta linte të lirë dhe të merrej me aktivitetet e tij. Djali ynë nuk ka pse del trafikant pas vdekjes Faleminderit shtetit që na e ka vrarë djalin dhe jo që na e turpërojnë pas vdekjes”. Kështu ka deklaruar dje, Llesh Keka, xhaxhai i kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, të vrarë dje në një atentat me minë me telekomandë. Reagimi i familjes ka ardhur pasi është njohur edhe me njoftimin e policisë lidhur me dyshimet për viktimën. Ata kanë mohuar çdo akuzë duke bërë thirrje të mos hidhet baltë mbi familjen e tyre. Mësohet se Aleks Keka ka dalë nga shtëpia si çdo ditë, pasi ka ngrënë mëngjesin me të atin, duke thënë se do të dilte për fushatë dhe më pas do të shkonte në Shkodër të takonte kreun e PDK-së, Nard Ndoka.

Mina me telekomandë
Trupi i pajetë i Aleks Ketës është gjetur disa metra larg makinës, i djegur

Atentat me minë me telekomandë kryetarit të Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe, Aleks Keka. Vrasja me eksploziv e 34-vjeçarit ka ndodhur dje rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik-Shkodër. Mjeti Mitsubishi Pajero me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga. Kalimtarët kanë njoftuar policinë, e cila ka shkuar me menjëherë në vendin e ngjarjes. Edhe pas hetimeve intensive deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme policia nuk ka dalë me një pistë zyrtare për motivet e ngjarjes dhe autorët.

Ngjarja

Kryetari i Partisë Demokristiane të degës së Malësisë së Madhe, Aleks Keka, ka mbetur i vdekur dje në mëngjes, teksa po udhëtonte me makinën e tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Grilë afër qytetit të Shkodrës. Viktima Aleks Keka po udhëtonte me automjetin e tij, tip fuoristradë, nga Kopliku drejt Shkodrës. Policia tha se kryetari i degës së PDK-së së kishte udhëtuar disa kilometra larg qytetit të Koplikut, dhe në fshatin Grizhë ka ndodhur shpërthimi. Pak pas ngjarjes Policia e Shkodrës pohoi se shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe automjeti ka pësuar dëmtime të rënda. Policia pohoi se është e vështirë të verifikohet, pasi automjeti është dëmtuar shumë nga shpërthimi. Ndërkohë që dëshmitarët pohuan se kanë parë makinën të shpërthejë dhe trupin e 34-vjeçarit duke dalë prej saj.

Policia

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Vullnet Topalli, deklaroi dje se trupi i kryetarit të degës së PDK-së është gjetur i djegur jashtë makinës së tij. “Makina ka dalë nga rruga dhe më pas ndodhi shpërthimi”, – sqaron drejtori i Policisë së Shkodrës. Pas verifikimit është vërtetuar se Aleks Keka po udhëtonte i vetëm në makinën e tij, kur ka ndodhur shpërthimi. Në momentet e para kur u mësua ngjarja, burime nga policia thanë se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga rrjedhja e gazit ose vënia e një eksplozivi në makinën e Aleks Kekës. Por në një prononcim për median, drejtori i policisë së Shkodrës, Vullnet Topalli, nuk ka pranuar të japë detaje mbi motivin duke u shprehur se po hetohet dhe është shpejt për të dhënë një pistë hetimi.

Ekzekutimi, dyshohet për prishje pazaresh

Një nga pistat kryesore që është duke hetuar grupi i ekspertëve është ajo për larje hesapesh

Vetëm pak minuta pas shpërthimit në vendin e ngjarjes kanë shkuar një numër i madh ekspertësh të kriminalistikës nga Policia e Shkodrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Grupi i Hetimit është kryesuar nga Prokuroria e Shkodrës, e cila ka ngritur një grup të posaçëm hetimi. Menjëherë, grupi i hetimit ka nisur punën për të përcaktuar se si ka ndodhur ngjarja. Ende nuk është përcaktuar nëse persona të caktuar kanë pasur synim për të ekzekutuar Kekën apo municioni që ka shpërthyer ka qenë që më parë në makinën e tij, pasi sipas policisë ai është skeduar për trafik të lëndëve plasëse. Grupi i hetimit ka ngritur disa pista, të cilat ende nuk janë konfirmuar apo të jenë përjashtuar, pasi edhe hetimi i shkakut të shpërthimit nuk është plotësuar ende me të gjitha detajet. Një nga pistat kryesore që është duke hetuar grupi i ekspertëve është ajo për larje hesapesh pasi, sipas policisë, viktima ishte i përfshirë disa herë në pazare droge. Pista e dytë është ajo e ndonjë konflikti të vjetër, duke pasur parasysh që vetëm një vit më parë atij i është vrarë edhe ortaku i biznesit të ndërtimit, dhe makina me të cilën po udhëtonte Keka ishte pikërisht e ish-ortakut të tij. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, bëhet me dije se mbahet ende pista e vrasjes politike, por janë të pakta gjasat që vrasja të ketë motive politike, duke pasur parasysh se edhe viktima nuk ka pasur ndonjë rol tepër të rëndësishëm në politikë apo t i ketë prishur punë ndokujt në këtë drejtim.

Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›