E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE/ODIHR: “Qeveria po përdor administratën dhe nxënësit për fushatë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Raporti III

Sipas ODIHR-it, nuk është inkurajuese për punën e 66 Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, shumica e të cilave nuk mblidhen rregullisht

OSBE/ODIHR-i ka publikuar dje raportin e tretë paraprak të zgjedhjeve në Shqipëri, ku konstaton se qeveria shqiptare përdor aktivitetet zyrtare për fushatën elektorale, duke mos kursyer këtu as nxënësit e shkollave. Në raportin e fundit para zgjedhjeve, ODIHR, i cili do të vazhdojë të monitorojë procesin zgjedhor, shprehet se vëzhguesit e këtij misioni raportojnë se në disa raste, si në mitingjet elektorale në Elbasan, Fier apo Korçë qeveria ka përdorur aktivitetet e përurimeve për efekt fushate. Raporti citon se shkollat në këto raste janë mbyllur në mënyrë që nxënësit të merrnin pjesë në mitingje, duke nënvizuar si rast specifik vizitën në Korçë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, apo përurimin e një parku hidroenergjetik në Elbasan nga kryeministri Berisha. Ndërkohë, misioni në fjalë është ndalur edhe në administrimin e zgjedhjeve. Kështu, situata sipas ODIHR-it, nuk është inkurajuese për punën e 66 Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, shumica të cilave nuk mblidhen rregullisht, ndërsa me gjithë kalimin e afatit nuk ka përfunduar emërimi i anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
ODIHR konstaton gjithashtu se fushata është shoqëruar me mosmarrëveshje mes palëve për çështjen e kartave. Duke cituar Partinë Socialiste, ky mision shprehet se ka probleme teknike me procesin, por edhe probleme me numrin e saktë të personave pa pasaportë që nuk kanë marrë kartat e identitetit. Për sa i takon pasqyrimit në media të fushatës, ODIHR vëren se televizioni “Neës24” ka pasqyruar aktivitetet e dy partive, respektivisht 40 për qind të kohës për Partinë Demokratike dhe 41 për qind për Partinë Socialiste, ndërsa TVSH, ka pasqyruar 57 për qind të kohës PD-në dhe 27 për qind PS-në, Top Channel 37 për qind të kohës PD dhe 34 për qind të PS, Vizion Plus 46 për qind PD-së dhe 32 për qind PS-së. Për TV Klan 58 për qind PD dhe 25 për qind PS. ODIHR-i vëren gjithashtu se anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias kanë pikëpamje të ndryshme dhe janë të ndarë në 3 me 4, mbi çka përbën publikimin e punës së Qeverisë në lidhje me veprimtaritë e fushatës zgjedhore. Në raportin e OSBE/ODIHR-it nënvizohet si më poshtë:

Fushata
• Aktivitetet e fushatës janë kryer gjatë periudhës së hartimit të raportit. Mjedisi i kësaj fushate kryesisht mbetet i qetë, por që ka pasur një rritje të tensioneve në disa zona. Mosmarrëveshje kanë gjeneruar veçanërisht mbi çështjen e vendosjes së posterave dhe parullave elektorale, si edhe fushatën e vendosjes së tendave. Një nga aktivistët e Partisë Demokratike (PD) u vra nga një tjetër i Partisë Socialiste
(PS) më 12 qershor në një mosmarrëveshje lidhur me vendosjen e posterave; por të dyja partitë kanë bërë deklaratat dhe thirrje për qetësi.

Qeveria
• Qeveria ka vazhduar të vërë në shërbim të fushatës zyrtarë të administratës. Qeveria shqiptare përdor aktivitetet zyrtare për fushatën elektorale. Në disa raste, është konfirmuar nga OSBE/ODIHR dhe vëzhguesit afatgjatë se shkollat janë mbyllur në mënyrë që nxënësit të mund marrin pjesë në veprimtari të tilla. OSBE/ODIHR vazhdon të evidentojë presion mbi punëtorët e sektorit publik për të dalë në fushatë.

KQZ
• Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar procedurat dhe vendimet e
nevojshme për kryerjen e anketimit dhe numërimit. Megjithatë, shumë nga Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ-ve) ende nuk mblidhen ose mblidhen shumë rrallë. Emërimi anëtarëve të Komisionit të Qendrave të Votimit (KQV-ve) është bërë vetëm për një të tretën, pasi ende për Administratën Zgjedhore Zonale nuk janë bërë propozimet nga asnjë prej katër partive, të cilat kanë të drejtë të propozojnë anëtarë për të gjitha pozicionet.

Lista e votuesve
• Lista përfundimtare e votuesve përfshin 3.084.067 qytetarë. PS ka kontestuar publikisht saktësinë e listës përfundimtare të votuesve, duke deklaruar se ajo përmban gabime të ndryshme dhe pasaktësi.

Kartat e votimit
• Fushata për të siguruar çdo qytetar, pa një pasaportë të vlefshme, me një kartë identiteti, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike. Sipas informacionit nga Ministria e Brendshme (MPB), deri më 12 qershor janë kryer 1,33 milion aplikime, dhe janë shpërndarë pothuajse 900 mijë karta. OSBE/ODIHR EOM vazhdon të marrë raportet teknike organizative dhe dështimet. Partia Socialiste ka pretenduar se në proces po bëhen aplikime selektive në paraqitjen e kërkesës dhe po shpërndahen kupona falas për të aplikuar për kartat e identitetit, në dëm të mbështetësve të PS-së.

Fushata në TV
• OSBE/ODIHR, Komisioni i Monitorimit të Mediave (EOM) ka raportuar pranë KQZ-së se dy nga pesë kanalet televizive që janë monitoruar kanë transmetuar dhe dhënë në lajme në mënyrë të barabartë hapësirën e fushatës së dy partive të mëdha PD-së dhe PS-së. Sidoqoftë, këto dy televizione bashkë me një tjetër, në mënyrë të vazhdueshme, kanë treguar njëanshmëri për sa i përket ngjyrimit dhe mbulimit të dy partive të mëdha.

Bordi i Monitorimit
• Anëtarët e KQZ-së kanë emëruar Bordin e Monitorimit të Medias, por ata kanë shprehur pikëpamje të ndryshme mbi çka përbën publikim të punës së Qeverisë në lidhje me veprimtaritë e fushatës zgjedhore, e cila sipas Kodit Elektoral duhet të llogaritë drejt kohën e caktuar për partitë politike përkatëse.

KQZ, vendimet
• Gjatë periudhës së raportimit të OSBE/ ODIHR, Kolegji Zgjedhor gjykoi apelimet kundër dy vendimeve të KQZ-së. Ai hodhi poshtë një kërkesë të PS-së për të anuluar vendimin e KQZ-së, i cili i miratoi listat e kandidatëve të Partisë Agrare Ambientaliste. Kolegji Zgjedhor përmbysi pjesërisht vendimin dhe mori një tjetër në të cilin palët janë të ligjshme për të marrë pjesë në shortin për të përcaktuar anëtarin e tretë dhe të katërt në grupet e numërimit të votave.
Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›