E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: :"Jam i bindur se do te marrim 71 deputete"

Autori i Lajmit: red.
Intervista

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një intervistë për Ora Neës shpjegon strategjinë e socialistëve për të maksimalizuar votën, pse nuk u fut në listën e deputetëve, përjashtimet nga listat, por dhe detaje për programin lidhur me punësimin, legalizimin, sistemin fiskal etj.
Çfarë do të bëni deri në datë 28, në piketa të përgjithshme, cila do të jetë strategjia juaj për të maksimalizuar votën e së majtës?
Fushata jonë është një manifestim i madh i mirënjohjes dhe i detyrimit ndaj qytetarëve dhe qytetareve të këtij vendi nga Veriu në Jug. Është një fushatë energjish pozitive, është një fushatë idesh dhe zgjidhjesh të reja për problemet e vjetra të këtyre 18 viteve. Është një fushatë me sytë nga e ardhmja, drejt udhëkryqit të 28 Qershorit, ku do të ndahet e shkuara me të ardhmen dhe ku qytetarët e këtij vendi, në shumicë absolute, do të votojnë për të ardhmen dhe jo për të shkuarën.
A është më opsion shtyrja e zgjedhjeve për shkak të tyre?
Për ne shtyrja e zgjedhjeve nuk ka qenë asnjëherë një opsion, për ne zgjedhjet duhet të mbahen në afatet kushtetuese. 28 Qershori është dita kur njerëzit duhet të vendosin për t u ndarë nga kjo politikë e vjetër e së shkuarës, njerëzit duhet të vendosin për të dalë nga kurthi ku po i mbyll përditë e më shumë kjo politikë, që tjetër thotë e tjetër bën, tjetër premton dhe tjetër realizon, për njerëzit flet gjithë ditën dhe për vete punon gjithë natën dhe për të pasur qysh vitin e ardhshëm një Shqipëri pa kufi.
Nëse për një pjesë të shqiptarëve pas 10 ditësh dilema është nëse do të kenë mundësi të votojnë për shkak të asaj që përmendëm pak më parë, një pyetje ka qenë gjithmonë e madhe që lidhej me ju. Ju pse nuk kandiduat?
Sepse, siç e kam bërë të qartë, unë kam një kontratë të nënshkruar me vullnetin e dyanshëm, timin dhe qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës, dhe kjo kontratë nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme, por kërkon me patjetër konsensusin e palës tjetër, që është populli i kryeqytetit. Unë u kam kërkuar dhe u kërkoj përsëri banorëve dhe banoreve të Tiranës, një mandat për të qenë Kryeministri i Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të ndryshojë nën shembullin e Tiranës dhe Tirana të transformohet me ritme akoma më të larta, ritme të cilat do të kishin qenë të tilla nëse do të kishim pasur qeveri kombëtare, me një vizion për kryeqytetin e Shqipërisë që duhet të jetë një pol zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
Pse nuk përfshitë në listat e kandidatëve politikanë si Fatos Nano, Musa Ulqini, Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Shkëlqim Cani etj.?
Së pari, janë njerëz të ndryshëm dhe arsyet janë të ndryshme. Unë do të shprehja këtu respektin dhe mirënjohjen time më të thellë për këta njerëz përgjithësisht, për gjithçka që kanë bërë dhe për gjithçka kanë dhënë. Por ndërkohë, siç e kam thënë dhe e përsëris edhe këtu, listat e deputetëve nuk janë lista që ndërtohen mbi bazën e kontributeve në të shkuarën, por janë lista që ndërtohen mbi bazën e angazhimit për të nesërmen. Por, ritheksoj nuk përjashtoj në asnjë mënyrë, por përkundrazi e konsideroj absolutisht të rëndësishëm për shoqërinë tonë kontributin që vazhdon të japë presidenti Mejdani, kontributin që kanë dhënë për parlamentin e Shqipërisë Musa Ulqini, Ylli Bufi. Apo kontributin për të cilin i jam mirënjohës Shkëlqim Canit si njëri nga njerëzit që asistuan me shumë dashamirësi dhe me shumë profesionalizëm në shkrimin e programit tonë të ri.
Harruat vetëm Fatos Nanon...
Lidhur me zotin Nano, unë besoj se arsyeja është më se e qartë për të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi. Ne kemi nevojë për deputetë dhe deputete që të kryejnë detyrën karshi atyre që i votojnë 24 orë në 24, 4 vjet me radhë.
Çfarë kriteresh u përdorën për përzgjedhjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, jo vetëm, në listat e kandidatëve, këtu kam atë që ju i keni pak më shumë për zemër, femrat, por edhe një pjesë që nuk hyjnë tek kjo kategori, Rudina Seseri, Shegush Ligori, Olta Xhaçka, Ditmir Bushati, Vasilika Hysi, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni, Luiza Xhuvani etj.
Unë besoj që është diçka që e nderon çdo burrë dhe çdo djalë që të ketë për zemër gratë dhe vajzat duke mos harruar asnjëherë që na ka lindur një nënë dhe na ka rritur dashuria e një nëne, e një gjysheje, e një motre që në të gjitha rastet është një dashuri e pakrahasueshme dhe e pakonkurrueshme me asgjë tjetër. Unë besoj që politika shqiptare ka nevojë për masën që sjell gruaja në hapësirën tonë të përbashkët, në botën publike ku diskutohen hallet dhe problemet e përbashkëta. Të gjitha gratë dhe vajzat që ju përmendët kanë rrugën e tyre dhe kanë cilësitë e tyre të posaçme që i kanë bërë pjesëtare të denja të skuadrave tona dhe më lejoni që t ju them shumë thjesht, vendin në skuadrat tona ato gra dhe vajza që ju përmendët e kanë fituar me kontributin e tyre në shoqëri.
Jam shumë dakord në parim me përfshirjen e këtyre grave dhe vajzave në këto lista. Por jam skeptik kur shikoj që jashtë këtyre listeve kanë ngelur katër anëtarët e kryesisë së PS: Allushi, Hafizi, Pino, Nikolla. Gjithashtu, Edlira Haxhiymeri, e cila është për ironi, sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta që nuk pati shans të jetë e barabartë për vete, Ermira Dinaj, kryetare e Forumit të Gruas dhe Megi Ajtyreza, kryetare formale e FRESH.
Së pari, unë do të doja jo për ta veçuar nga të tjerat, sepse të gjitha ato që ju përmendët janë kontributore dhe pa as më voglin dyshim janë një prani cilësore e rëndësishme në PS dhe janë pjesë e këtij procesi transformimi. Por, për të shprehur mirënjohjen time për atë çka bën në detyrën e saj si kryetare e Njësisë Bashkiake numër 1, do ta veçoja Lindita Nikollën, ndërkohë është pikërisht ajo që thashë. PS nuk është monopoli i socialistëve që janë brenda saj.
Pse nuk është politikë e re Fatos Nano, Rexhep Meidani, Shkëlqim Cani, por duhet të jenë Fidel Ylli, Tom Doshi, Dashamir Peza etj.?
Nuk di se si i bashkoni emrat në këtë mozaik. Por për të gjithë ata njerëz që janë në listën e PS-së ka arsye. Një nga komponentët e listave tona janë, pa dyshim, përfaqësuesit e sipërmarrjes së lirë shqiptare. Ne duam të bëjmë një aleancë të re me sipërmarrjen shqiptare. Ne duam të bëjmë të mundur që një politikë e re ndaj sipërmarrjes t i krijojë një frymëmarrje tërësisht të re talentit sipërmarrës të shqiptarëve dhe t u japë një mundësi tërësisht të re të gjithë sipërmarrësve shqiptarë, të cilët sot e për gjithë ditën pas 18 vitesh i fshihen shtetit, i fshihen jetës publike, i fshihen ekspozimit të suksesit të tyre, sepse janë të trembur nga ajo që vjen pas, që është trysnia deri edhe mafioze e një shteti që për të mbushur arkën, në fund të vitit u turret sipërmarrësve në forma dhe mënyra të papranueshme për një vend që është në Evropë dhe që synon të aspirojë të jetë anëtar i BE-së dhe t u japim sipërmarrësve piedestalin që u takon.
Ju kam ndjekur gjatë vizitave të fundit në Bathore dhe në disa rrethina të tjera për legalizimet. Pse duhet t ju besojnë juve dhe jo kësaj mazhorance që është në pushtet?
Sepse gjërat që unë i them, i bëj. Gjërat që nuk i bëj, s i them. Ajo që do të thosha është se sot janë bërë 18 vjeç fëmijët që kanë lindur fillimisht në këto zona. Të tjerë fëmijë lindin e rriten në kushte që janë të papërfytyrueshme. Këtu nuk është fjala thjesht për t i dhënë dokumentin e shtëpisë. Ky do të jetë hapi i parë dhe ne do ta realizojmë jo me fjalë, por me vepra. Këtu është fjala që të gjitha këto shtëpi të kthehen në kapitale të gjalla. Sot ato nuk janë kapitale të gjalla, ata njerëz sot kanë vetëm një strehë ku të fusin kokën, por nuk kanë një dokument që u jep mundësinë që të shkojnë në bankë për të marrë një kredi, për një biznes të vogël familjar, për studimet e fëmijëve. Kështu që, legalizimi është hapi i parë që e hap këtë valvulë dhe krijon mundësinë e një energjie të re ekonomike që do t i shtohet energjisë së sotme të këtyre qyteteve të mëdha të filluar nga Tirana, por këtu është integrimi urban, këtu është puna e transformimit rrënjësor të infrastrukturës nëntokësore, të infrastrukturës sociale. Për këtë arsye, duke krijuar nga njëra anë statusin e ri të metropolit dhe rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm rajonal me shërbime të integruara, dhe nga ana tjetër Komitetin Shtetëror të Zhvillimit të Rrethinave dhe fondin e posaçëm për rrethinat, ne do të bëjmë që të hyjmë në një rrugë zhvillimi të qartë, të sigurt dhe me një perspektivë të dukshme dhe të prekshme për të gjithë, që do të krijojë në radhë të parë shtratin e psikologjisë për të gjitha këto familje dhe në radhë të dytë, do të ulë ndjeshëm atë hendek social që është krijuar në vite për shkak të atij përjashtimi social ku jetojnë këto familje.
Ka një problem të madh në mes, është problemi i pronave. Si do të zgjidhet ky problem a vazhdoni t i qëndroni që partia juaj nuk është parti e pronarëve?
PS, pa asnjë dyshim, ka një vizion të saj dhe ka një program të veçantë për çështjen e pronës, i cili fillon aty ku duhet të kishte filluar 18 vjet më parë, nga inventarizimi i plotë i të gjithë pronës në Shqipëri, gjë që ende sot nuk është bërë. Është luajtur me pronën tamam si me mallin e tjetrit dhe ndërkohë ka një sërë skemash, të cilat do të mundësojnë trajtimin dhe kompensimin në kohë të pronarëve. Por e gjitha kjo nuk e përjashton dhe nuk e shmang dot themelin që është legalizimi këtyre shtëpive të ndërtuara me gjak në një kohë kur mungonte shteti e pastaj dhe në një kohë ku shteti për shkak të interesit të pushtetit i pa këto zhvillime thjesht dhe vetëm si mish për topat elektoralë.
Nëse ka diçka që PD mburret, por që është pranuar gjerë dhe nga grupet e interesit, është sistemi fiskal që kanë realizuar dhe që kanë implementuar gjatë këtyre katër viteve. Ju do ta prekni këtë sistem fiskal? Kush nuk preket? Çfarë do të ndryshoni?
Me paketën fiskale këta zotërinj që qeverisin, kanë bërë atë që nuk bëhet. Ndryshime disa herë brenda të njëjtit vit. Nëse ka një gjë që e ka shqetësuar dhe e ka penguar seriozisht sipërmarrjen në këto vite ka qenë mungesa e stabilitetit fiskal. Ne kemi pasur një konsulencë të nivelit më të lartë botëror për programin tonë, e posaçërisht dhe për programin e zhvillimit ekonomik dhe fiskal. Jemi konsultuar me kryeministra që kanë lënë gjurmë në vendet e tyre, e kam thënë dhe e rithem sot, u jam mirënjohës. Do të bëjmë një sërë ndërhyrjesh të koordinuara, për shembull, çdo mësuesi dhe mësueseje ne do t u ofrojmë një paketë shëndetësore deri në 10 mijë euro falas, në rast se ata do të kenë nevojë për kujdes shëndetësor dhe një sërë elementesh të tjera që janë një ndihmë që vjen në rrugë indirekte, por që lehtëson pikërisht barrën e kostos së jetesës së tyre. Të njëjtën gjë për nivelet e poshtme të pagave në administratë.
Po qeveri hije e keni bërë?
Jo, jo.
Një nga pyetjet që gjithmonë vërtitet është se sa mandate do të marrë Poli i Lirisë, PD, LSI. A do të arrini ta bëni të vetëm qeverinë më 28 qershor?
Jo vetëm, me koalicionin tonë ne do të kemi autonominë qeverisëse.
Ju shpresoni se do të merrni mbi 71 mandate?
Unë nuk shpresoj, jam i bindur për këtë. Në rast se sot kam një rezervë, kjo rezervë lidhet vetëm me besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor. Për këtë arsye unë dua t u bëj, me lejen tuaj, të gjithë qytetarëve dhe qytetareve që kanë aplikuar, të marrin kartën e identitetit, të mos e lënë për ditën e fundit, pasi është e nevojshme që t i japin mundësi vetes të votojnë, është e domosdoshme. Së dyti, Policisë së Shtetit që të qëndrojë korrekt dhe të mos vazhdojë të japë shenjat që po jep ditët e fundit, ku po bëhet, për fat të keq, palë në episode që mund të jenë të vogla në raport me të tërën, por që kanë domethënien e tyre.
Nëse ju si Kryetar i PS dhe koalicioni që ju drejtoni, nuk arrini t i merrni 71 votat për të krijuar qeverinë, a do të pranonit të bënit aleancë me LSI dhe koalicionin e tij?
Sot, ne jemi betejë për t i dhënë Shqipërisë një qeveri e cila do të realizojë angazhimet që ne po marrim. Të gjithë shqiptarët dhe shqiptaret që duan ndryshimin, që besojnë tek ndryshimi, që dëshirojnë të bëhen pjesë e ndryshimit, që kanë vullnet për të riorganizuar shtetin dhe Shqipërinë, duhet që votën e tyre ta vendosin tek kutia ku shkruhet PS, Edi Rama. Kjo sepse çdo votë që shkon në drejtime të tjera është një votë në drejtimin tanimë të ditur, të politikës së vjetër të këtyre 18 viteve.
Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›