E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat e huaja: “Në Shqipëri, zgjedhje të përgjakshme”

Autori i Lajmit: red.
Në pak minuta, ekzekutimi i kryetarit të PDK-së për degën e Malësisë së Madhe, bëri xhiron e botës. Mediat e huaja i kanë kushtuar jo pak rëndësi kësaj ngjarjeje që tronditi mbarë opinionin shqiptar dhe më gjerë, duke e cilësuar vrasjen me motive politike. Media e huaj që ka përcjellë lajmin e para ka qenë agjencia e lajmeve ANSA, e cila, vetëm pak minuta pas shpërthimit, ka nxjerrë një artikull, ku e cilësonte ngjarjen si një ekzekutim terrorist. Mediat e huaja komentojnë ngjarjen e rëndë që ka ndodhur gjatë fushatës elektorale në Shqipëri. “Associated Press”, duke komentuar vrasjen e fundit të politikanit konservator Aleks Keka, shkruan se fushata zgjedhore në Shqipëri gjithnjë është e tensionuar dhe e shoqëruar nga dhuna dhe parregullsitë. “AP” shkruan se vetëm një javë më parë një tjetër militant politik u vra në mënyrë fatale pas sherrit për një poster, ndërsa në muajin maj u vra një deputet i opozitës, Fatmir Xhindi. “Associated Press” shkruan se partia politike e viktimës e quan këtë sulm një akt terrorist, por policia sugjeron se fajtorë mund të jenë grupet e krimit të organizuar. Gazeta greke Earthtimes shkruan se një lider lokal i Partisë Demokristiane është vrarë në një sulm me bombë, 10 ditë para zgjedhjeve parlamentare. Edhe kjo media shkruan se fushata e zgjedhjeve të 28 Qershorit është shumë e dhunshme, pasi javën e shkuar një tjetër simpatizant i një partie politike u vra. Mediat e huaja shkruajnë se komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Shqipërisë të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme që të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian. Ky vend, dikur komunist, shkruajnë mediat, kurrë nuk ka mbajtur zgjedhje të lira e demokratike deri tani në përputhje me standardet ndërkombëtare. Me të njëjtën frymë e kanë trajtuar këtë ngjarje të rëndë në Shqipëri edhe mjaft media të tjera të rajonit dhe botës.
Ky lajm është publikuar: 19/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›