Largohet gjyqtarja për digën e liqenit
TIRANE – Padia e Bashkisë së kryeqytetit kundër Këshillit të Ministrave për kalimin e digës së Liqenit Artificial të Tiranës në pronësi të organit të qeverisjes vendore, rrezikon të nisë shqyrtimin nga fillimi. Shkak për këtë është bërë largimi i gjykatëses së çështjes me leje lindjeje. Kështu në ditët në vazhdim pritet që palët të kërkojnë rihedhjen në short të padisë, ose kalimin e saj ndonjërës prej gjykatëseve anësore në këtë proces. Në mbledhjen e 9 majit të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave vendosi që diga e Liqenit Artificial t’i kalonte në pronësi Bashkisë së Tiranës për vetë faktin se ndodhet në territorin që administrohet nga ky institucion i qeverisjes vendore. Por Bashkia e kundërshtoi këtë vendim, duke u ankuar në gjykatë. Seanca e parë e procesit u zhvillua në shkurt të këtij viti, ndërsa deri tani janë administruar provat shkresore të palëve. Gjatë ditëve në vazhdim pritet që krerët e gjykatës të vendosin rihedhjen e çështjes në short, i cili do caktojë emrin e ri të kryesuesit të procesit. f.m.