Transferohen dosjet penale
TIRANE – Nisi dje transferimi i dosjeve dhe sendeve të tjera që u përkasin gjykatësve penalistë të kryeqytetit, nga godina ekzistuese e gjykatës në atë ku deri pak ditë më parë funksionuan Krimet e Rënda. Kështu ambientet e Krimeve të Rënda i janë vënë në dispozicion 15 gjykatësve kryeqytetas të Dhomës Penale. Togat e zeza paralajmëruan dje se ambientet e reja të vënë në dispozicion të Gjykatës Penale janë vetëm tri salla gjyqesh, të cilat është e pamundur të përballojnë fluksin e proceseve për 15 gjykatës penalistë. Kjo për faktin se për pesë kolegje penalë që do funksionojnë në këtë institucion, duhet të kenë të paktën në dispozicion gjashtë salla gjyqi, pasi zhvillohen seanca me një gjykatës të vetëm dhe me tre gjyqtarë njëkohësisht. Gjyqtarët kryeqytetas pohuan dje se edhe zhvendosja e tyre në godinën e re të institucionit nuk do përmirësojë cilësinë e gjykimit, pasi mjaft procese do të zhvillohen nëpër zyrat e gjykatësve. Afrimi i seksionit penal pranë burgut, pritet të ulë shpenzimet e Policisë së Burgjeve, por jo në sasi të madhe, pasi 90% e të pandehurve gjykohen jo me masë “arrest në burg”. f.m.