E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvrasjet 2 herë më shumë se vrasjet

Vetëm për 8 muaj numri i vetëvrasjeve ka arritur në 160, gati dy herë më shumë se vrasjet. 

Zirina Llambro

Fenomeni po shtohet frikshëm nga viti në vit. Specialistët e shëndetësisë ngrenë alarmin për gjetjen e zgjidhjeve për popullatën. “Dukuri që imitohet”, kështu e kanë cilësuar ata gjatë takimit të djeshëm. Duke mbledhur bashkë të gjithë aktorët, Instituti i Shëndetit Publik kërkoi dje marrjen e masave për të zbutur pasojat. Sipas të dhënave që u publikuan, numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka pësuar rënie, ndërsa ai me helm është tepër problematik. “Jemi në kohë për të zbatuar programet e duhura, në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish. Këtu ka vend për përmirësim si në trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor, ndjekjen më të mirë të atyre që kanë tentuar njëherë vetëvrasjen, apo dhe punën në shkolla me të rinjtë në krizë”, u shpreh dje drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Ai kërkoi gjithashtu bashkëpunimin me arsimtarët dhe akses më të ulët ndaj pesticideve apo mjeteve të tjera, që mund të nxisin vetëvrasjen. “Në këtë pikë duhet bashkëpunim jashtë sistemit shëndetësor”, tha Ylli. Ndërkaq zv.ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, kërkoi më shumë kujdes me mënyrën si raportohet në media vetëvrasja, pasi transmetimi në mënyrë të gabuar mund të ndikojë negativisht në shtimin e rasteve. Përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme theksuan se po punohet në drejtim jo vetëm të identifikimit të shkaqeve, por dhe të mjeteve, duke marrë dhe masat e duhura për parandalimin e fenomenit. “Nuk duhet të jemi indiferentë ndaj vetëvrasjes”, nënvizuan ata, duke vënë theksin tek analizimi i fenomenit dhe mënyrat e parandalimit të tij. Sipas të dhënave, gjatë periudhës 2000-2008, numri i vetëvrasjeve ka arritur në 1502. Numri më i madh i vetëvrasjeve është kryer me helm në rreth 276 të tilla. Me varje janë regjistruar 273 raste, me armë zjarri 119, mbytje në ujë 31 raste, hedhje nga lartësitë 75 raste dhe me mënyra të tjera rezultojnë 19 raste. Ndërkohë, sipas specialistëve të Ministrisë së Brendshme, numri i vetëvrasjeve me armë zjarri ka ardhur në rënie. Sipas statistikave, përsa i përket grupmoshave, duhet marrë në konsideratë numri i të rinjve, 15-26 vjeç. Gjatë viteve 2005-2008 janë shënuar 172 raste nga kjo grupmoshë.

160 vetevrasje
janë regjistruar për 8 muajt e parë të këtij viti. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë vetëhelmime.

1502 persona
i kanë dhënë fund jetës me forma të ndryshme brenda harkut kohor 2000-2008. Në rritje është numri i të rinjve që kryejnë
këtë akt.

2 here
më shumë vetëvrasje se vrasje janë regjistruar vitet e fundit. Helmimi dhe varja janë më të shpeshtat, sipas statistikave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›