Itali, pranga 7 tutorëve shqiptarë
ITALI- Kapja e një prostitute shqiptare është bërë shkak që më pas të bien në prangat e policisë italiane shtatë persona, anëtarë të bandës që e shfrytëzonte atë. Mediat italiane njoftuan dje se në operacionin e zhvilluar në provincat e Bergamos, Veronas, Breshias e Mantovas, mes të arrestuarve ka edhe disa shqiptarë me precedentë të mëparshëm penalë. Mediat italiane pohojnë se njëri prej të prangosurve, shtetas shqiptar, gjenealitetet e të cilit nuk janë publikuar, i akuzuar si kreu i grupit, udhëtonte shpeshherë drejt Greqisë ku rekrutonte vajza të reja, të cilat i shfrytëzonte në trotuaret italiane. Policia italiane ka bërë të ditur se tashmë kjo bandë është shkatërruar plotësisht, ndërsa prej disa muajsh hetuesit kishin nisur veprimet procedurale ndaj të arrestuarve.