E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti, ndryshimet që shpëtuan Ina Ramën

Ina Ramës por edhe prokurorëve të përgjithshëm, që do të marrin detyrën pas përfundimit të mandatit të kryeprokurores aktuale, nuk i kanoset më rreziku i pezullimit nga detyra. 

Trazhgim Sokolaj

Neni që parashikonte pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm në rast se ndaj tij ngrihej akuzë nga vartësit, është hequr fare nga drafti që Ministria e Drejtësisë ka përgatitur për ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës dhe Ministrisë së Drejtësisë, por edhe nga një kopje e draftit që gazeta “Panorama” ka arritur të sigurojë ditën e djeshme. Bëhet fjalë për kopjen e projektligjit, që ka dalë nga Ministria e Drejtësisë dy ditë më parë dhe është dërguar në Prokurori dhe në grupet e interesit “për mendim”. Në këtë kopje të draftit të ministrisë nuk figuron neni, që ndodhej në projekt deri pak ditë më parë, për “pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm”. Konkretisht, neni nr.4 i draftit të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, ku përcaktohej se “Prokurori i Përgjithshëm pezullohet në ushtrimin e detyrës kur merr cilësinë e të pandehurit. Pas pezullimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Presidenti i Republikës, brenda 24 orëve, komandon në detyrën e kryeprokurorit, Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme me vjetërsinë më të gjatë në profesion. Dekreti i Presidentit për komandimin e Prokurorit të Përgjithshëm shqyrtohet nga Kuvendi brenda 24 orëve. Pezullimi i Prokurorit të Përgjithshëm vazhdon deri në marrjen formë të prerë të vendimit të gjykatës në lidhje me nisjen e procedimit penal ndaj tij”. Kjo ka qenë përmbajtja “e rrezikshme” e nenit nr.4 të draftit të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, që parashikonte pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm nëse ndonjë nga vartësit e tij në prokuroritë e rretheve vendoste të merrte të pandehur eprorin e tij duke i komunikuar akuzën. Ai nen, tashmë i hequr nga drafti, parashikonte largimin e Prokurorit të Përgjithshëm pa një vendim gjykate, por vetëm me ngritjen e akuzës nga prokurorët e shkallës së parë. Nëse miratohej dhe kthehej në ligj, neni në fjalë do të ishte një rrezik eventual për Prokurorin e Përgjithshëm në rast se ndaj tij iniciohej kallëzim penal e më pas ngritja e akuzës, e cila më pas mund të rrëzohej në gjykatë, por pa efekt, pasi drejtuesi i Prokurorisë do të ishte larguar tashmë nga detyra.
Prokurorët
Por ndërsa Kryeprokurorja Ina Rama ka arritur një fitore të vogël në raport me draftin e Ministrisë së Drejtësisë për institucionin e drejtuar prej saj, krejt e ndryshme është situata me prokurorët e thjeshtë. Negociatat e Kryeprokurores me Ministrinë e Drejtësisë kanë dhënë rezultat vetëm për heqjen nga drafti të nenit për pezullimin e Kryeprokurores, por ajo çka ndodh me prokurorët e thjeshtë nuk ka ndryshuar. Në draftin e ripunuar të Ministrisë së Drejtësisë, i cili është dërguar së fundi edhe në Prokurori, nuk është bërë asnjë ndryshim në lidhje me imunitetin e prokurorëve apo statusin e tyre. Madje, në nenin 17 të projektit thuhet qartë se neni 36 i ligjit aktual të akuzës, shfuqizohet. Ky nen, që shfuqizohet nga drafti i ri i Ministrisë së Drejtësisë, parashikonte se prokurorët nuk mund të arrestohen apo ndalohen nga policia pa autorizim nga Prokurori i Përgjithshëm. Siç duket edhe nga dokumenti i draftit të ndryshuar, i cili disponohet nga gazeta “Panorama”, për prokurorët e thjeshtë ka pasur vetëm një ndryshim. Në projektin e parë parashikohej se ata pezullohen nga detyra nëse ndaj tyre regjistrohet një procedim penal. Ndërsa në draftin e ripunuar nga Ministria e Drejtësisë thuhet se, prokurorët pezullohen nga detyra nëse marrin cilësinë e të pandehurit, pra nëse u komunikohet akuza për një vepër penale të kryer me dashje, e cila dënohet jo më pak se 5 vjet burg. Me përjashtim të nenit për pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm që është hequr dhe ndryshimit në kushtet e pezullimit të prokurorëve të thjeshtë, projekti i ripunuar i Ministrisë së Drejtësisë, është identik me draftin që edhe më parë kishte dalë në rrugë jozyrtare nga Ministria e Drejtësisë.

Neni i hequr nga drafti

Neni 4
Pas nenit 7 të ligjit aktual për Prokurorinë, shtohet neni 7/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 7/1
Pezullimi i Prokurorit të Përgjithshëm
1.  Prokurori i Përgjithshëm pezullohet në ushtrimin e detyrës kur merr cilësinë e të pandehurit sipas nenit 34 të Kodit të Procedurës Penale.
2.  Presidenti i Republikës brenda 24 orësh komandon në këtë detyrë, Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme me vjetërsinë më të gjatë në profesion. Dekreti i Presidentit për komandimin, shqyrtohet nga Kuvendi brenda 24 orësh.
3.  Pezullimi i Prokurorit të Përgjithshëm vazhdon deri në marrjen formë të prerë të vendimit të gjykatës në lidhje me nisjen e procedimit penal ndaj tij. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›