Qyteti pa ujë të pijshëm, ndërhyrje të shumta në rrjet
BULQIZË Kriza për ujin e pijshëm ka përfshirë edhe qytetin e Bulqizës, megjithëse burimet ujore dhe prurjet e tyre janë të shumta. Prej dy ditësh banorët e këtij qyteti janë ankuar në bashki dhe ndërmarrjen e ujësjellësit se nuk kanë ujë në çezmat e tyre. Prurjet e dy burimeve, nga ku furnizohet qyteti, janë të bollshme, mirëpo fermerët e zonave rurale kanë ndërhyrë në rrjetin kryesor duke e shfrytëzuar ujin e pijshëm për vaditje. Bashkia dhe ujësjellësi nuk kanë mundur ende të frenojnë abuzimet me ujin e pijshëm, por janë shprehur se po e ndjekin me vëmendje situatën dhe ndoshta me ndihmën e policisë lokale do të ndërhyjnë për zgjidhjen e këtij shqetësimi serioz. “Kemi vetëm një deri në dy orë ujë në ditë, kur nevojat janë mjaft të mëdha në këtë stinë” - thanë për “Mapo”-n banorët e qytetit të Bulqizës. Ata thonë se bashkia duhet të kërkojë ndihmën e policisë për mbylljen e të gjitha lidhjeve të paligjshme në rrjetin kryesor, ndryshe uji do të pakësohet edhe më shumë dhe qytetarët do të ndihen keq në këto ditë të nxehta korriku.
P. HASA