E Diel, 1 Nëntor 2026

Pitela: “Transparenca e zgjedhjeve, mbështes Ramën në rrugën e europianizimit



Eneida Jaçaj

Lufta për transparencën e zgjedhjeve e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, po gjen mbështetje çdo ditë e më shumë nga përfaqësuesit europianë. Zv.presidenti i parë i Parlamentit Europian, Xhovani Pitela, në një intervistë të dhënë pas takimit me Ramën, e ka mbështetur atë në rrugën e europianizimit të transparencës së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Pitela ka theksuar faktin se në një vend demokratik europian është shumë e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të pastra, pa manipulime. Në intervistën e tij vihet re dukshëm se Pitela nuk e mbështet kreun e PS-së si individ, por mbështet luftën e Ramës për të ngritur komisionin hetimor dhe për të nxjerrë në pah manipulimin gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit.
Pitela
“Mbi të gjitha i shpreha Edi Ramës mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike italiane, të europarlamentarëve të Grupit Socialist e Demokrat. Ne e mbështesim përpjekjen e madhe inovatore që po kryen Edi Rama. Përpjekjen për europianizimin e Shqipërisë. Europianizimi i Shqipërisë do të thotë të krijohen kushtet legjislative, të krijohen kushtet normative, të krijohet transparenca maksimale”, - u shpreh Pitela. Gjithashtu, zv.presidenti i parë i PE-së ka mbështetur edhe përpjekjen e madhe të Ramës në procesin e liberalizimit të vizave. “Beteja e Edi Ramës për liberalizimin e vizave është një betejë që nëse e fitojmë, do të lejonte që Shqipëria të hynte në Bashkimin Europian. Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk mund të bëhet një komb europian nëse vazhdojnë të mbahen kufizimet e vizave, kufizimet në lëvizjen e personave”, - tha Pitela. Në kuadrin e krizës politike në vend, ai ka shprehur besimin se politika shqiptare do të gjejë një zgjidhje. Por, Pitela e ka vënë theksin te transparenca maksimale e zgjedhjeve të 28 qershorit, gjë që nuk do të lejojë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të përsëritura si këto të fundit. “Mund të dilet nga kriza?! Pa dyshim që mund të dilet. Mund të dilet dhe e konsideroj si shumë të përgjegjshëm vendimin e Partisë Socialiste shqiptare për të hyrë në Parlament, por ama ka nevojë për qartësi, ka nevojë për transparencë, sepse zgjedhjet duhet të jenë të pastra dhe nuk duhen prekur nga asnjë lloj mashtrimi. Atëherë, të mos shohim nga e shkuara, por të shohim drejt së ardhmes dhe të krijohen ato situata e kushte që do të lejonin që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje mbi të cilat nuk rëndon asnjë dyshim”, - u shpreh Pitela.
Rasti në Ruzhdie
Pasi është njohur me dokumentacionin që tregon rastet e manipulimit në fshatin Ruzhdie të qarkut të Fierit, Pitela e ka cilësuar atë mjaft të frikshëm. Ai tha se dokumentacioni paraqet prova, të cilat tregojnë me bindje se atje ka pasur manipulim në procesin zgjedhor. “Unë lexova dokumentacionin dhe është më tërë mend e frikshme. Aty përshkruhen rastet, jo një e dy raste, por dhjetëra e dhjetëra situata në të cilat ka persona që rezultojnë të kenë votuar, por që nuk ishin të pranishëm në atë moment dhe në atë vend. Ka pasaporta që rezultojnë të jenë kontrolluar me numrin në procesverbalin e zgjedhjeve, por në fakt personat që i kishin ato pasaporta deklarojnë se nuk kanë votuar”, - u shpreh Pitela, ndërsa shtoi: “Pra, me një fjalë, ka prova të pakundërshtueshme që tregojnë se ka pasur mashtrim. Dhe këto mashtrime vijnë si pasojë e korrupsionit. Atëherë, duam t’u japim fund këtyre gjërave? Unë them dakord, t’u japim fund këtyre gjërave përsa i përket së shkuarës, por këto gjëra nuk duhet të ndodhin në të ardhmen”.
Për t’u dhënë fund manipulimeve që janë produkt i korrupsionit, Pitela vlerësoi ngritjen e komisionit hetimor. “Atëherë të ngrihet një komision hetimor. Ky komision hetimor të vërtetojë kush ka gabuar, qofshin këta të së majtës apo të së djathtës, kjo nuk ka rëndësi. Ka rëndësi të gjenden përgjegjësit dhe të parandalohet që kjo të ndodhë edhe në të ardhmen. Duhet t'u japim qytetarëve sigurinë që kur shkojnë për të votuar, shkojnë për të votuar në një sistem politik e demokratik në të cilin vota e tij ka vlerë. Dhe vota mund të ketë vlerë vetëm nëse nuk ka mashtrime. Kjo përsa i përket së ardhmes”, - tha Pitela. Zv.presidenti i parë i PE-së i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të pranojë propozimin për ngritjen e komisionit hetimor, i cili, sipas tij, është një propozim që nuk u shërben vetëm socialistëve, por të gjithëve. “Në të ardhmen të gjithë duhet të kenë të drejtat e tyre dhe detyrat e tyre, të gjitha partitë politike, e gjithë politika shqiptare duhet të konfigurohet si një politikë qartësisht europiane”, - tha Pitela.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›