E Diel, 1 Nëntor 2026

CEZ: Të hiqet faturimi i konsumatorëve me dy nivele

06/12/2010  Kërkesa për tarifë mujore

Kompania “CEZ Shpërndarje” ka rikërkuar edhe një herë heqjen e faturimit me dy nivele për konsumatorët. Aktualisht zbatohet tarifimi me dy blloqe mbi 300 këh dhe mbi 300 këh, për të ndihmuar sidomos shtresat sociale në nevojë. Sipas drejtuesve çekë, kjo politikë duhet të marrë fund, pasi shteti mund të shtojë subvencionet për këto kategori dhe duhet të eliminojë këtë kategorizim. Sipas tyre, kjo mund të hiqet gradualisht, pasi edhe ata persona që nuk janë shtresa vulnerabil vijojnë të paguajnë me këtë sistem. Prandaj për këtë çështje shteti mund të ndërmarrë politika shtetërore sociale dhe të rrisë subvencionin për ato shtresa që vetë i ka identifikuar si të tilla. Gjithashtu, “CEZ Shpërndarje” ka propozuar edhe vendosjen e një tarifë fikse mujore për energjinë elektrike. Tarifa fikse për mirëmbajtjen e matësve varion nga 130 lekë, deri në 564 lekë në muaj edhe për ata që faturohen me zero. “Ne jemi të vetëdijshëm se edhe alokimi i kostove që kemi bërë nuk është 100% i saktë. Sidoqoftë, ai tregon qartësisht se ndryshimi strukturor në tarifa mund të jetë i nevojshëm. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm se një ndryshim i tillë strukturor nuk mund të kryhet brenda një periudhe rregullatore, për shkak se është një synim afatgjatë. Duke shprehur këtë, ne respektojmë plotësisht rolin e ERE-s në përcaktimin e nivelit individual të tarifave përkatëse dhe jemi të gatshëm të diskutojmë skenarë të ndryshëm të mundshëm të alokimit të të ardhurave të kërkuara”, thuhet në dokumentin në të cilin CEZ kërkon rritjen e çmimit të energjisë.

Humbjet

Çekët kërkojnë që tu njihet një nivel i reduktimit të humbjeve, për efekt të çmimit më të ulët se ai që parashikohet në kontratë, duke sqaruar se situata e vështirë financiare e OSSH do të ketë impakt mbi investime. Duke u bazuar në deklaratën rregullatore, CEZ ka propozuar një program të ri për reduktimin e humbjeve, i cili do të përmbajë shpjegime dhe argumentime të detajuara në aplikime të veçanta. “Në vijueshmëri të këtij propozimi, ulja e humbjeve në raport me çmimin e ri të mos jetë 8 për qind, siç është parashikuar në deklaratën rregullatore, por 6 për qind”, theksohet në deklaratën e kompanisë.

Numri i konsumatorëve

Numri i pritshëm i konsumatorëve, duke u bazuar në të dhënat e CEZ, nga fundi i 2011-s pritet të rritet edhe me 37.500 konsumatorët të rinj, të cilët do të lidhen rishtas në rrjetin e energjisë. Gjithashtu, sasia e parashikuar e humbjeve për vitin 2011 është 1 541 485 MËh. Çmimet e supozuara bazohen në pritshmërinë e tregut të departamentit të CEZ group Trading për rajonin e Ballkanit me fokus në Shqipëri në nivelin 51,9 EUR/MËh plus 1,5 EUR/MËh për kapacitetin ndërkufitar, çmimi i blerjes i përdorur në aplikimin e tarifës është 53,4 EUR/MËh.

Tri kompanitë, KESH CEZ dhe OST kërkuan në total rritje 12 për qind

ERE shpall nesër vendimin për tarifat e reja të energjisë

Enti Rregullator i Energjisë do të shpallë nesër tarifat e reja të energjisë elektrike që qytetarët do të paguajnë nga janari 2011. Të tria kompanitë e energjisë, KESH-i, OST-ja dhe CEZ Shpërndarje aplikuan për një rritje të çmimit të energjisë elektrike me 12 për qind. Por specialistët e ERE-s janë të mendimit se rritja nuk do të bëhet në masën e kërkuar. Kjo duke parë edhe argumentet e tjera në lidhje me çmimin e energjisë në tregjet e huaja, apo edhe situatën aktuale në vend.

Aplikimet

Enti Rregullator i Energjisë është institucioni i cili vendos se sa do të jetë. “Çmimi aktual mesatar i energjisë është 9.53 lekë për kë/orë dhe propozohet të rritet në 10.67 lekë për kë/orë”, theksoi kryetari Bujar Nepravishta. Kompanitë kanë paraqitur zyrtarisht arsyet pse kërkojnë këtë rritje. Sipas tyre, investimet në rrjet, norma e inflacionit, si dhe detyrimet e mëdha që kanë ndaj palëve të treta janë arsyet kryesore. “Në propozimin tonë ne parashikojmë një tarifë të vetme. Bazuar në përllogaritjet që kemi bërë, propozimi ynë për tarifën është që në vitin 2011 ajo të bëhet 0.98 lekë më e lartë se tarifa aktuale. Dhe arsyet pse e kërkojmë këtë janë për të mbuluar normën e inflacionit si dhe investimet në rrjet. Pra ne duhet të vendosim sot se sa do të investojmë për vitin e ardhshëm”, u shpreh Josef Memecek, drejtor ekonomik në “CEZ Shpërndarje”. Sipas tij, një pjesë e konsumatorëve nuk paguan e të tjerë e vjedhin energjinë dhe këto janë problemet me të cilat ndeshet kompania aktualisht. Në propozimin e saj kompania çeke ka marrë parasysh edhe nivelin e humbjeve në rrjet, që në 2009 ishte 33,98 për qind, ndërsa objektivi për vitin 2011 është për të arritur në 29,99 për qind. Pikërisht mbi këtë skenar kompania ceke parashikon të realizojë 4,9 miliardë lekë investime gjatë vitit të ardhshëm. Nga ana tjetër, në propozimin fillestar KESH ka kërkuar një tarifë, e cila fokusohet në dy skenarë të mundshëm. “Ato kanë të bëjnë me mënyrën e shlyerjes së detyrimeve të vjetra të KESH, overdraftet që janë marrë në vitet 2007-2008 dhe konsistojnë përkatësisht në 3.97 lekë për kilovat/orë me hipotezën që këto detyrime do ti shlyejnë në dy vitet e ardhshme. Në rastin tjetër, 5.31 lekë nëse shlyerja e tyre do bëhet gjatë vitit 201,1 siç dhe janë aktualisht kontratat e këtyre linjave kredie me bankat e nivelit të dytë,” tha drejtori ekonomik në KESH, Artur Kurti. Nga ana e saj, drejtoresha ekonomike në OST, Sofie Xhepa, theksoi se duke ditur edhe sasinë e deklaruar më parë, sasinë që do të transmetojë energjia për vitin që vjen, tarifa mesatare e kërkuar në bazë të këtyre shifrave rezulton të jetë 0.73 lekë për kilovat/orë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›