E Shtunë, 31 Tetor 2026

CEZ, si do t‘i paguajnë dritat shqiptarët

Sfida e vërtetë e kompanisë çeke, CEZ, është rritja e arkëtimeve dhe forma se si do ta arrijë. Faturimi i energjisë elektrike mbetet çështje ku palët qeveri-investitor vazhdojnë ta diskutojnë ende, ndërsa pritet të merret si vendim brenda tre muajve të ardhshme. Në një kohë që ankesat e konsumatorëve vijnë në rritje, ERE ka menduar disa variante për faturimin energjisë elektrike, në mënyrë që të shmangen të gjitha kontradiktat, por mbi të gjitha të rrisë edhe arkëtimet. Varianti i parë, që duket më i zbatueshëm, lidhet me sistemin e faturimit online, në bazë të të dhënave që do të mblidhen nga një qendër dispeçer serveri. E dyta lidhet me faturimin, brenda të cilit paraqitet e skanuar fotografia e matësit në çastin e leximit nga faturisti. E treta, jo pak e zbatueshme, por me kosto, me faturë të parapaguar, sikundër ndodh me kartat e bisedave celulare. Për të tre variantet, kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta, ka shpjeguar për "Shqip" mundësinë ose jo të aplikimit. "Ne do të paraqesim alternativat tona, ashtu edhe CEZ. Pas diskutimeve do të jetë vetë kompania çeke që do të zgjedhë skemën më të mundshme për t‘u zbatuar, duke marrë në konsideratë kostot", tha Nepravishta, duke shtuar se kompanisë çeke po i kërkohet një proces sa më transparent shërbimi ndaj konsumatorëve.

Online

Konsiderohet si alternativë më e mundshme për t‘u zbatuar. Vendosja e matësve me transmetimin e të dhënave në distancë, të lidhura me një modem (që sot quhet rëndomtë kutia që lidh fijet) shikohet si mjeti i duhur që ul koston e faturimit, shmang rastet korruptive, si dhe rrit arkëtimet. Italia e aplikoi këtë skemë për herë të parë nga ENEL në vitin 2007, duke blerë nga një kompani kineze 10 milionë aparate. "Këto matëse do të jenë të lidhura online me një server qendror, që do të instalohet në qendrën dispeçer, tek OSSH. Me këtë formë mund të shikohet në çdo moment konsumi i energjisë elektrike për të gjitha familjet. Sa i takon kostos, nuk ka vlerë të madhe investimi, por problem do të jenë zonat informale", sqaron për gazetën kreu i ERE-s, Bujar Nepravishta. Aktualisht Bashkimi Evropian po shkon akoma e më shumë drejt këtij varianti, që shmang çdo mundësi shkeljeje. "Kemi pasur takime me kompani të ndryshme, që ofrojnë instalimin e këtij shërbimi. I fundit ishte me një kompani kineze, e cila furnizoi Italinë", thotë Nepravishta, duke shtuar se ky variant u jep fund problemeve me faturat. "Askush nuk mund të kundërshtojë faturën e skanuar nga sistemi online, pasi në çdo kohë mund ta verifikojë se sa ka konsumuar", shprehet kreu i ERE-s.

Me foto

Deklarata rregullatore, miratuar pak kohë më parë nga ERE, më pas CEZ dhe në fund nga qeveria, në njërën nga pikat e saj citon qartë se investitori që blen OSSH-në duhet të rrisë çdo vit shërbimin ndaj konsumatorit. Një nga cilësitë është mënyra e duhur e faturimit, që për ERE është shumë e rëndësishme. "Nga specialistët tanë është përgatitur një formë faturimi shumë transparente. Brenda në faturë është paraqitur e skanuar fotoja e aparatit matës në çastin kur lexohet nga futuristja. Përbri faturës vendosen dy data. E para është leximi i matësit në muajin e kaluar, kurse në të dytën është muaji që konsumatori do të paguajë. Ai do të shikojë mjaft mirë se sa ka konsumuar, pasi përbri do të ketë dhe foton", thotë Nepravishta. Këtë variant, ERE ia ka propozuar KESH-it në prillin e kaluar, por duke qenë se kompania ndodhej në fazën e privatizimit dhe se ky model kërkonte investim, u vendos të ishte vetë kompania e huaj që do bënte zgjedhjen. Zbatimi i kësaj skeme do të kërkonte riformatim të serverit dhe zgjerim të data-bazës, pasi numri i konsumatorëve e ka kaluar shifrën e 1 milion. Kreu i ERE-s sqaron se ky projekt nuk kërkon kosto të madhe, por nga ana tjetër nuk zgjidh çështjen e faturistëve. Ky variant kërkon mbajtjen në punë të punonjësve të OSSH-së, numri i të cilëve është 6400 vetë, që për CEZ konsiderohet tepër i lartë në raport me energjinë elektrike të shpërndarë.

Me parapagim

Konsiderohet si gjetja e duhur, por shumë e shtrenjtë. Aktualisht energjia elektrike me kartë, që vendoset brenda një automati, aplikohet në Shqipëri nga disa hotele luksi, në momenti kur klienti hyn në dhomë. "Këtë varianti e kemi diskutuar me stafin. Aplikohet nga disa vende të ndryshme, por kërkon pajisje. Zbatimi i saj është i njëjtë si kartat me parapagim të celularëve dhe i jep mundësi konsumatorit të bëjë zgjedhjen sipas mundësisë financiare. Realizohet, por është vërejtur një problem. Në rast se ndonjërit i ka mbaruar karta, mund të ndërhyjë tek aparati, duke ndryshuar nivelin e konsumit të energjisë elektrike. Kjo skemë mund të përdoret vetëm në zonat urbane të zhvilluara", thotë Nepravishta. Në një ndër konferencat e fundit për shtyp, para përfundimit të mandatit, kreu i BB-së në Tiranë, Nadir Muhamed, kishte propozuar edhe këtë variant, duke dhënë shembullin e vendit të tij, Sudanit, shtet në Afrikë, ku energjia blihej në supermarket me kartë parapagimi.

Zgjedhja

Në fund të gjithë këtyre alternativave, CEZ do të zgjedhë mënyrën më të përshtatshme për të. "Nuk përjashtojmë mundësinë që kompania çeke të vijë me një variant krejt tjetër nga këto që u përmendën. ERE nuk mund të vendosë mbi formën e faturimit të energjisë, por bën propozime. E rëndësishme është që t‘u jepet fund ankesave të konsumatorit, vjedhjes dhe korrupsionit", përfundon Bujar Nepravishta. Vetë kompania CEZ është shprehur se nga konsumatorët shqiptarë kërkon më shumë disiplinë. "Ne do të bëjmë investime dhe do të rrisim shërbimin. Për këto fakte duhet të paguhemi".

Alternativat

Varianti i parë, që duket më i zbatueshëm, lidhet me sistemin e faturimit online, në bazë të një qendre dispeçer serveri

Varianti i dytë lidhet me faturimin, brenda së cilit paraqitet e skanuar fotografia e matësit në çastin e leximit nga faturisti

Varianti i tretë, jo pak i zbatueshëm, por me kosto, me faturë të parapaguar, sikundër ndodh me kartat e bisedave celulare

Si paguajnë

të tjerët?

Një pjesë e disa vendeve të Bashkimit Evropian e paguan energjinë elektrike një herë në tre muaj. Në bazë të mesatares së tre muajve, vendoset një faturim, i cili në rast se nuk korrespondon me realen, bëhet zbritje ose shtesë te fatura. Kjo formë ul koston për kompaninë. Një pjesë e BE-së, si Italia, e paguan me faturë të skanuar nga sistemi online.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›