E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestë paqësore për mosnjohjen e rezultatit

Sot Komuniteti Mysliman do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e ri. Komuniteti Mysliman ka dërguar njoftimin pak ditë më parë, duke sqaruar se mbledhja do të zhvillohet në xhaminë e qytetit të Kavajës. Por 21 marsi nuk do të shënojë vetëm ditën e zgjedhjes së kryetarit të ri. Për shumë myslimanë, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues, myftinj, imamë të xhamive, besimtarë të thjeshtë, do të jetë një ditë proteste. Ata do të protestojnë në mënyrë paqësore për mosaprovimin e zgjedhjes së kryetarit të ri, për mospëlqimin e kësaj mënyre sesi janë parashikuar të zhvillohen zgjedhjet, dhe për faktin që asnjë platformë nuk është bërë publike, as një kandidaturë e re nuk është bërë e njohur për komunitetin. Kjo është shkelje e statutit të Komunitetit Mysliman. Për këtë, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman ka animuar në gjykatë vendimin për mbledhjen në datën 21.

Siç thonë dhe besimtarët, sot në qytetin e Kavajës ata nuk do të aprovojnë rezultatin dhe do të protestojnë në mënyrë paqësore për mënyrën se si u zhvillua procesi zgjedhor.

Përplasja për zgjedhjen e kreut të ri të Komunitetit Mysliman ka përfunduar në gjykatë. Disa anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman kanë vendosur të çojnë në gjykatë kundërshtimin për mbledhjen e sotme, më 21 mars, ku është lajmëruar se do të rizgjidhet kryetari. Lajmin e dërgimit të çështjes në gjykatë e ka bërë të ditur dje për mediat avokati i kësaj çështjeje, Isuf Shehu. Përfaqësuesi ligjor ka publikuar edhe disa nga pikat ku edhe kundërshtohet mbledhja e lajmëruar nga kryetari i komunitetit, Selim Muça.

"Në vija të përgjithshme mund të them se kam konstatuar shkelje të rënda dhe foshnjore nga ana e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilat lidhen ngushtësisht me ushtrimin e kompetencave nga ana e tij", tha avokati Shehu, që konfirmoi dërgimin në gjykatë të kundërshtimit të mbledhjes së 21 marsit, e programuar për t‘u zhvilluar larg kryeqytetit, në Medresenë e Kavajës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›