E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsion i madh, korrupsion i vogël

Një natë të javës që shkoi, kur po i jepnim dorën e fundit gazetës për ta dërguar në shtypshkronjë, një burrë i lagur nga shiu, mbiu në derë të redaksisë. Vinte nga një qytet i vogël i Jugut të Shqipërisë dhe kishte me vete një çantë të madhe të mbushur me dokumente. Fliste shpejt dhe lëvizte sytë me të njëjtin nxitim, si për të treguar se e dinte që ishte vonë, por e kishte një hall aq të madh, sa ia vlente ta dëgjonim.

Tha se kishte një skandal për të denoncuar, se kishte ca dokumente që vërtetonin katërçipërisht ca afera korruptive të kryetarit të bashkisë së vogël, ku vetë ky ishte këshilltar.

"Kryetari është i partisë sime, por ka bërë aq zullume, sa ne nuk pyesim më për partinë. Duhet të dënohet nga ligji, se ka vjedhur hapur", tha me një frymë dhe nisi të zbrazte çantën ku kishte shumë kopje të letrave që ky vetë, bashkë me ca shokë të së njëjtës parti, kishin nisur për këtë çështje në Prefekturë, në Qeveri, në Presidencë, në Prokurorinë e Rrethit, në Prokurorinë e Përgjithshme e kush e di se ku. Përveç letrave, kishte edhe ca fotografi që tregonin se si kryebashkiaku kishte bërë ndërtime pa leje ngjitur me murin e institucionit dhe aty kishte hapur një biznes gruaja e tij, e cila kishte pasur edhe një post në bashki. Ky kryetar na paskësh vjedhur çdo tender të zhvilluar në qytezën e tij, madje tani kishte vendosur edhe një antenë të telefonisë celulare mbi bashki, pa bërë asnjë dokument.

Shkurt muhabeti, ky kryetar bashkie nuk kishte bërë asgjë më shumë se sa bëjnë homologët e tij në qytete të vogla dhe kryetarët e komunave anembanë vendit.

Këtë i thashë këtij burrit me shkresa, për t‘i mbushur mendjen se halli i tij nuk ishte aq i madh sa të nisnim e të shqyrtonim atë dëng me letra që kishte sjellë me vete. "Na vijnë përditë ankesa të tilla, por nuk kemi aq njerëz dhe aq kohë sa t‘i verifikojmë të gjitha. Pa verifikuar, nuk mund t‘i botojmë e kështu që i kemi dhënë karar të mos merremi me këto lloj ankesash", i thashë. Dhe kështu bëjmë vërtet, jo vetëm ne në gazetën "Shqip", por edhe në redaksitë e tjera.

Po burri m‘u kthye e më tha: Ore, po ky yni, jo vetëm që ka vjedhur ç‘ka mundur, po nuk ka vënë asnjë llambë në qytet. Asnjë punë nuk ka bërë. Se dakord jam unë, kushdo që shkon atje (në karrige) do të vjedhë, se të gjithë po vjedhin, po do bërë edhe ndonjë punë. Jo kështu!".

Bëra ç‘bëra, i mora një numër telefoni dhe i thashë se do të merreshim me këtë çështje më vonë. Mezi e shqita deri te dera e makinës, se vazhdonte të nxirrte shkresa nga çanta e m‘i ngjishte m‘u në fytyrë që të lexoja ndonjë fjalë.

Kur e hoqa qafe e mora frymë, isha i bindur se ky ishte një nga ata njerëzit që e kanë zakon të bëjnë shkresa e t‘ia nxijnë jetën tjetrit, nëse ky nuk u bën ndonjë nder. Shkova me këtë mendim deri në shtëpi, ku më në fund duhet të merresha me veten. Por ngaqë isha dendur me kafe, nuk më zinte gjumi dhe pasi rraha gjerë e gjatë 100 probleme të miat, m‘u kujtua përsëri vizitori i lagur i redaksisë.

Mos kish të drejtë ai burri? Ajo kancelaria ngjitur me murin e bashkisë, që më tregoi në foto, dukej që qe shumë pa lidhje në atë vend. Nuk mund të ishte me leje. Ai tha që ishte e gruas së kryetarit. Për këtë nuk mund të gënjente, se ai e di që kjo verifikohet lehtë në atë qytezë ku të gjithë i njohin të gjithë.

Epo të drejtë paska pasur, po pse ishte aq i zellshëm për ta dënuar kryetarin, që e kishte edhe të partisë së tij? Të ishte vallë aq i ndjeshëm ndaj korrupsionit?! Nuk dukej shumë tip i ndjeshëm. Po gjithsesi, të drejtë mund të kishte.

Në fund të fundit, pse duhet ne të ndajmë korrupsionin në të madh e në të vogël. A është korrupsion në të dyja rastet? Është që ç‘ke me të dhe është më i rëndë kur është i vogël. Se këta lugetërit me karrige në këto bashkitë e vogla e nëpër komuna i vjedhin rrugës edhe asfaltin edhe çakllin. I vjedhin ujësjellësit tubat. Po, po. M‘u kujtua një bëmë në një komunë të Elbasanit. I kishin bërë letrat e kishin marrë në dorëzim një ujësjellës fshati, po ujësjellësi nuk ishte fare.

Puna është se dëgjojmë aq shumë bëma nga këto të korrupsionit të vogël, sa nuk na bëjnë më përshtypje. Njerëzit që vijnë me shkresa në dorë për të denoncuar këto abuzime, na duken ose si jashtëtokësorë, ose si të ligj, se helbete nuk po bëjnë ndonjë zbulim të madh. Në ato qytetet e vogla ku jetojnë të gjithë, i dinë bëmat e kryetarëve.

Por shumë nga këta të shkresave, të ligj apo të çmendur, kanë të drejtë. Atyre nuk u hyjnë në sy skandale miliona euroshe, përpara vjedhjes së rrugës së lagjes dhe ujësjellësit të fshatit. Ne, që kemi marrë përsipër misionin e informimit, dashje pa dashje kemi bërë ndarjen: korrupsion i madh, korrupsion i vogël dhe na pëlqen apo jo, jemi larguar nga ata, të cilët korrupsionin e prekin përditë me dorë, e ndiejnë t‘i fshikullojë në shpinë e nuk e kanë luksin t‘i bëjnë shtresëzime: i vogël, i mesëm, i madh...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›