ERE, gjobë 3 milionë lekë Shpërndarjes
Sikurse veproi dy vjet rresht me KESH-in, Enti Rregullator i Energjisë kësaj here ka penalizuar me gjobë OSSH-në, pasi nuk mundi ta mbyllë procesin e vendosjes së matësve brenda vitit 2008, sikurse e parashikonte vendimi i komisionerëve në ERE. Aplikimi i faturave aforfe në mungesë të matësve të energjisë elektrike mendohet se sistemit i shkakton humbje të konsiderueshme, në një kohë që vetë konsumatorët ankohen për tarifat. Gjoba e vendosur ndaj OSSH-së është 3 milionë lekë të vjetra, masa më e lartë e ndëshkimit që parashikon ligji në rast se nuk zbatohet afati. Pas kësaj gjobe, ERE u detyrua të shtyjë sërish afatin e vendosjes së matësve deri më 31 dhjetor 2009. Aktualisht janë rreth 63 mijë konsumatorë në rang vendi që e paguajnë energjinë elektrike në bazë të faturave aforfe. OSSH deklaron se në 2008-ën vendosi 80 mijë matës, sasi e siguruar nga tenderi, por e pamjaftueshme për tregun, e cila gjatë vitit të kaluar u rrit me 44 mijë konsumatorë. Konsumi i faturuar aforfe është mesatarisht 430 kilovatë, në një kohë që realisht, sipas ERE, harxhohen 600 kilovatë.