E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liderët e rinj, inkurajim për integrimin në NATO

Ka përfunduar dje punimet, forumi i Shoqatës së Atlantikut për Liderët e Rinj politikë.

Ky forum, i cili është zhvilluar për dy ditë me radhë në Tiranë ka mbledhur liderë të rinj politikë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut, si Maqedonia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Estonia, Norvegjia, Danimarka, Suedia, Kanadaja, Anglia, etj. Pjesëmarrës i veçantë në këtë takim ka qenë presidenti i Shoqatës së Atlantikut për Liderët e Rinj, deputeti i Parlamentit gjerman Dr.Raulf Brauksiepe. Të ftuar nga pala shqiptare ishin ministri i Jashtëm Lulëzim Basha, ish-kryeministri dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, deputetë të ndryshëm, politikanë të rinj të angazhuar në politikë, analistë, etj.Përfaqësuesi i këtij forumi në Shqipëri është Dorjan Duçka, i cili është edhe koordinatori i LSI-së për marrëdhëniet ndërkombëtare. Pjesëmarrësit në këtë takim, folën rreth rëndësisë së integrimit të vendeve të rajonit në strukturën Euro-Atlantike të NATOS, stabilitetit politik dhe zhvillimin e këtyre vendeve. Marrja e ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë për në NATO, u cilësua si realizim i vullnetit dhe aspiratave të popujve të këtyre vendeve, ndërkohë që pjesëmarrësit inkurajuan që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Maqedoninë në një të ardhme të afërt. Gjithashtu, pjesëmarrësit vlerësuan dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e cila jo vetëm realizoi ëndrrën shumë vjeçare të shqiptarëve të Kosovës, por edhe do të jetë një faktor kryesor për ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›