E Shtunë, 31 Tetor 2026

CIA analizon Enver Hoxhën

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
D.G. Kousoulas, profesor i politikave qeverisëse në universitetin e Hauardit dhe këshilltar i jashtëm i CIA-s

7 janar 1962 - Shumica e vëzhguesve perëndimorë e kanë analizuar prishjen sovjeto-shqiptare sipas një këndvështrimi më të gjerë, siç është ai i debatit ideologjik kinezo-sovjetik. Megjithatë, grindja sovjeto-shqiptare është kryesisht ende një problem i Ballkanit dhe më shumë se sa një debat i lartë ideologjik, ajo është një çështje personale jetë a vdekje për kastën drejtuese të komunistëve shqiptarë. Që prej themelimit të këtij vendi në vitin 1913, si një shtet tampon ndërmjet Italisë dhe Austro-hungarisë, Shqipëria ka kërkuar vazhdimisht mbështetjen dhe “mbrojtjen” e njërit nga të dy këtyre fuqive. Menjëherë pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Italia fashiste ia doli të fitonte supremacinë mbi fqinjët e tyre dhe shumë shpejtë u përpoq ta përdorte këtë territor si një hap për të përmbushur ambiciet e mëtejshme të Musolinit në Ballkan. Disa shqiptarë iu bashkangjitën forcave fashiste në luftën e tyre kundër Greqisë, në tetor të vitit 1940. Më vonë, pas sulmit të Hitlerit kundër Bashkimit Sovjetik, një grup komunistësh shqiptarë, nën udhëheqjen e një mësuesi gjuhe me emrin Enver Hoxha, arritën të vendosnin kontakte me partizanët jugosllavë matanë kufirit.
Hoxha ruajti avantazhin
Enver Hoxha shijoi epërsinë vendimtare ndaj shumicës së kolegve të tij në Partinë Komuniste Shqiptare. Ai ishte i shkolluar, fliste gjuhë të huaja, kishte udhëtuar jashtë vendit dhe ishte tmerrësisht dinak dhe i pamëshirshëm. I lindur në 16 tetor të vitit 1909, në një familje borgjeze myslimane në qytetin e Gjirokastrës, ai shkoi të studjonte shkencë në universitetin e Monteplies në Francë, falë një burse shtetërore. Hoxha nuk ishte një nxënës i dalluar, por mundi të ndërtonte marrëdhënie personale me disa prej drejtuesve më të lartë komunistë francezë. Më vonë ai shërbeu si një nëpunës i konsullatës shqiptare në Bruksel. Në vitin 1936, Hoxha u kthye në vendlindje dhe për katër vjet me radhë ai dha lëndën e gjuhës frënge në shkollat e mesme të Tiranës dhe Korçës.
Shfaqet si njeri i fuqishëm
Gjatë luftës ai luajti një rol kryesor në Lëvizjen Nacional Çlirimtare të Shqipërisë, lëvizje e dominuar nga komunistët dhe në 1946 ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme, i Mbrojtjes dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare. Që prej atëherë, Hoxha ishte drejtuesi suprem i Shqipërisë. Në vitin 1953, ai hoqi dorë nga postet e tij ministrore për t u përqëndruar në drejtimin e partisë. Mes viteve 1941 dhe 1948, linjat e komunikimit të Hoxhës me Moskën kalonin kryesisht përmes Beogradit, falë lidhjeve të forta gjatë kohës së luftës. Në vitin 1948, në kohën e prishjes së Stalinit me Marshallin Tito të Jugosllavisë, Hoxha u përball me një moment kur duhet të vendoste. Me sa duket i bindur se Titoja nuk mund të mbijetonte , ai u rreshtua përkrah Moskës dhe me një lëvizje të befasishme emëroi si Ministër të Brendshëm dhe shef të policisë së fshehtë, Mehmet Shehun, një ish student në Moskë. Në këtë kohë ai bëri dhe spastrimet e elementëve pro jugosllavë në parti. Nga 14 personat që drejtuan komunizmin shqiptar në vitin 1940, vetëm Hoxha është ende gjallë. Shumica e tyre u zhdukën pas spastrimit.
Premtime boshe Moskës
Shqetësimet e Hoxhës me Moskën nisën menjëherë pas kongresit të njëzetë të Partisë Komuniste Sovjetike dhe denoncimit të stalinizmit nga Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita S. Hrushov. Hoxha i bëri vetëm premtime boshe linjës së re politike të Moskës. Fushata anti-staliniste, shpalosi probleme të veçanta personale për udhëheqësin shqiptar. Me përjashtim të Valter Ulbrihtit të Gjermanisë Lindore, Hoxha është udhëheqësi i vetëm, i cili ka qenë vazhdimish në pushtet që prej fundit të luftës. Udhëheqësit e vendeve të tjera satelite ishin asgjesuar ose si Titoistë ose si Stalinistë. Megjithëse i njohur për besnikërinë e tij në kohën kur Mjeshtri i Madh ishte gjallë, Hoxha, në fillim bëri një përpjekje serioze për të bindur udhëheqësit e rinj sovjetikë, për qëllimin e tij për t u qëndruar besnikë edhe atyre. Moska dëshironte bashkëpunimin e Shqipërisë kryesisht për një qëllim: Nëndetëset sovjetike ishin vendosur që prej fillimeve të viteve 1950 në bazën shqiptare të Pashalimanit në ishullin e sazanit, (Vlorë). Hrushovi mund të ketë dashur të anashkalojë identifikimin e Hoxhës me stalinizmin, në këmbim të përdorimit të vazhdueshëm të bazës së Pashalimanit, nëse nuk do të ishte për kundërshtarët komunistë të Hoxhës, të cilët i mbijetuan spastrimeve të tij anti-titoiste. Këta ish-titoistë e interpretuan politikën anti-stalinite të Hrushovit si një shenjë që tregonte se kishte ardhur koha për zëvendësimin e Hoxhës me Kryeministrin e tij, Gjeneral Mehmet Shehun, dhe për çlirimin e vendit nga regjimi shtypës, i cili ishte vendosur mbi popullin shqiptar që prej fundit të luftës. Për tre apo katër vite, Moska tregoi një mosdëshirë të dukshme për të pranuar shërbimet e anti-stalinistëve shqiptarë. Një nga shkaqet mund të ketë qenë se shumë prej tyre kishin qenë ish-titoistë. Por Hoxha e kuptoi se kjo lloj strategjie nuk do ta çonte larg. Këtu nisi dhe rruga e kundërshtimit të Shqipërisë. Në periudhën në fjalë Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Evropës Lindore, ishin duke riparë politikat e tyre drejtuese që kishin të bënin me sistemin e ndjekur socialist në tërësi, si dhe me vijën e ndjekur deri në atë kohë. Ky rishikim nxorri në sipërfaqje luftën ndaj kultit të individit, që në këtë rast ishte Josif Stalin. Ishte një përiudhë refraktare, nuk bëhej kurrsesi fjalë për shembjen e sistemit komunist, por për një erë “demokratizimi” që dalëngadalë të hapte botën. Stalini që kishte vdekur që më 5 mars 1953, mbetej idhulli i botës komuniste dhe veçanërisht i Enver Hoxhës. Për këtë arsye, Bashkimi Sovjetik dhe udhëheqjet e vendeve të tjera lindore e dënuan kultin e njëshit. Enver Hoxha nuk mund ta pranonte dënimin e kultit të individit, sepse dënimi i tij do të thoshte rënie nga pushteti. Dënimi i kultit të Stalinit ishte fillimi i rrëzimit të Hoxhës. Por veç dënimit të Stalinit Hoxha nuk mund të pranonte kapitalizmin dhe përpjekjet e çarmatimit që “mbështeteshin” me imponim nga Rusia. Për Hoxhën, nuk mund të kishte bashkëkzistencë paqësore mes sistemit kapitalist dhe atij socialist. Ai e përjashtonte këtë mundësi që do të thoshte luftë, ndërsa alternativë të dytë nuk kishte.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›